Të paktën 19 persona kanë vdekur në Xhamajkë si pasojë e uraganit Melissa, ka bërë të ditur ministrja e Informacionit, Dana Morris Dixon. Ajo tha se përpjekjet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë, ndërsa autoritetet po përpiqen të dërgojnë ndihma në zonat më të goditura, raporton BBC.
Ky uragan, një nga më të fuqishmit që ka goditur Karaibet, ka shkaktuar gjithashtu vdekjen e të paktën 30 personave në Haiti, sipas autoriteteve lokale.
Në Xhamajkë, “ka komunitete të tëra që duken të izoluara dhe zona që janë shkatërruar pothuajse plotësisht”, tha Dixon, duke shtuar se pamjet nga rajonet perëndimore janë “shumë tronditëse”.
Pjesa më e madhe e ishullit ende nuk ka energji elektrike e mijëra persona kanë shprehur nevojën për ndihmë.
Në disa zona mungon uji i pijshëm prej disa ditësh, dhe ushqimet po pakësohen çdo ditë e më shumë.
Ndihmat kanë filluar të mbërrijnë më shpejt, pasi aeroporti kryesor në kryeqytetin Kingston është kthyer pothuajse në funksion të plotë.
Megjithatë, aeroportet më të vogla rajonale, disa prej tyre pranë zonave që kanë më shumë nevojë për ndihmë humanitare, janë ende pjesërisht jashtë funksionit.
Për këtë arsye, agjencitë humanitare dhe ushtria po transportojnë ndihmat urgjente nga Kingston me rrugë tokësore, megjithëse shumë rrugë janë ende të bllokuara.
Banorët e qyteteve në perëndim të Xhamajkës i thanë BBC-së të enjten se “fjalët nuk mjaftojnë për të përshkruar sa shkatërrues ka qenë kjo stuhi për vendin”.
 
            