Është vrarë në rajonin Kursk të Rusisë gjeneralmajori Mikhail Gudkov, zëvendëskryetari i marinës Ruse, i cili gjithashtu drejtoi një brigadë që luftonte kundër Ukrainës, ka thënë të enjten Oleg Kozhemyako, guvernator i një rajoni të Rusisë në Lindjen e Largët.
Kanalet jozyrtare ushtarake ruse dhe ukrainase në Telegram kanë raportuar më parë se Gudkov ishte vrarë së bashku me 10 ushtarakë të tjerë në një sulm ukrainas në një post komande në Korenevo në rajonin Kursk, i cili kufizohet me Ukrainën, raporton Reuters.
Ai është një nga oficerët më të lartë ushtarakë rusë që është vrarë nga Ukraina që kur Moska nisi luftën e saj në shkallë të plotë kundër Ukrainës në vitin 2022.
Gudkov kishte marrë çmime për trimëri në veprimet ushtarake kundër Ukrainës dhe ishte akuzuar nga Kievi për krime lufte.
Presidenti rus, Vladimir Putin e emëroi atë zëvendëskomandant të përgjithshëm të marinës në mars, sipas një deklarate në faqen e internetit të Kremlinit.
Gudkov kishte udhëhequr një Brigadë Detare të Flotës së Paqësorit të Rusisë, e cila kishte luftuar në Kursk.
Pjesë të Kurskut u pushtuan nga forcat ukrainase në një ofensivë të papritur në gusht 2024 mirëpo Rusia ka deklaruar në fillim të këtij viti se i ka dëbuar ata.