Forcat ukrainase e kanë pranuar se ushtria ruse ka kaluar në rajonin lindor industrial të Dnipropetrovskut dhe po përpiqen të krijojnë një pikëmbështetje.
"Ky është sulmi i parë i një shkalle kaq të gjerë në rajonin e Dnipropetrovskut", ka thënë për BBC-në Viktor Trehubov, i Grupit Operacional-Strategjik të Trupave të Dniproskut, megjithëse ai ka shtuar se përparimi i tyre është ndalur.
Rusia ka pretenduar gjatë gjithë verës se ka hyrë në zonë, ndërsa forcat e saj përpiqen të arrijnë më thellë në territorin ukrainas nga rajoni i Donetskut.
Në fillim të qershorit, zyrtarët rusë kanë thënë se një ofensivë kishte filluar në Dnipropetrovsk, megjithëse raportet e fundit ukrainase sugjerojnë se ata mezi e kanë shkelur kufirin rajonal.
Çdo përparim rus në Dnipropetrovsk do të ishte një goditje për moralin e ukrainasve, pasi një përpjekje diplomatike e udhëhequr nga SHBA-ja për t'i dhënë fund luftës duket se po dobësohet pavarësisht takimit të presidentit, Donald Trump me presidentin rus, Vladimir Putin më 15 gusht në Alaska.
Projekti i hartëzimit DeepState i Ukrainës ka vlerësuar të martën se Rusia tani ka pushtuar dy fshatra brenda rajonit, Zaporizke dhe Novohryhorivka.
Megjithatë, shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës e ka mohuar këtë.
Ushtria "vazhdon të kontrollojë" Zaporizken, ka thënë ajo në një deklaratë, dhe "luftime aktive po vazhdojnë gjithashtu në zonën e fshatit Novohryhorivka".
Moska nuk ka pretenduar Dnipropetrovsk, ndryshe nga Donetsku dhe katër rajonet e tjera lindore të Ukrainës, por ka sulmuar qytetet e saj të mëdha, përfshirë kryeqytetin rajonal Dnipro.