Ukraina do të importojë gaz nga Greqia për të ndihmuar në mbulimin e nevojave të saj të dimrit, ka bërë të ditur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky të dielën.
Ai është zotuar të sigurojë gati 2 miliardë euro për të kompensuar sulmet ruse ndaj prodhimit vendas.
"Sot, ne kemi përgatitur tashmë një marrëveshje me Greqinë për gazin për Ukrainën, e cila do të jetë një rrugë tjetër furnizimi me gaz për të siguruar importet për dimër sa më shumë që të jetë e mundur”, ka thënë ai në një deklaratë në aplikacionin e mesazheve Telegram.
Deklarata e Zelenskyt ka ardhur pak përpara vizitës së tij të pritur në Greqi të dielën, nga ku ai do të udhëtojë për në Francë dhe Spanjë.
Rusia ka rritur sulmet në prodhimin e energjisë, sistemet e transmetimit të energjisë elektrike dhe objektet e prodhimit të gazit, në vitin e katërt të luftës së saj në Ukrainë.
Zelensky ka thënë se Kievi ka ndarë fonde për importet e gazit nga partnerët dhe bankat evropiane sipas garancive të Komisionit Evropian, si dhe nga bankat ukrainase, ndërsa ka shtuar se po punon gjithashtu me partnerët amerikanë për të siguruar financim të plotë.
Ukraina po zgjeron opsionet e furnizimit të dimrit përmes partnerëve polakë, ku po bashkëpunon me Azerbajxhanin dhe shpreson të sigurojë kontrata afatgjata, ka shtuar ai.