Botë

“U ktheva i gjallë, por gjithçka ishte zhdukur”

Gaza

Pas 20 muajsh në burgjet izraelite pa akuza formale, Mohammed Abu Moussa u kthye në një Gazë që nuk e njihte më. Shtëpia e tij ishte zhdukur, lagjet ishin sheshuar dhe familja e tij kishte pësuar humbje të pariparueshme. Në vend të gëzimit, e priste dhimbja – nëna, motra dhe nipërit e tij ishin vrarë nga një sulm ajror. Rrëfimi i tij pas lirimit zbërthen realitetin e rëndë të atyre që u kthyen nga burgjet drejt një vendi të rrënuar fizikisht e shpirtërisht.

Mes gëzimit për lirinë e rikthyer pas 20 muajsh vuajtje në burgjet izraelite, palestinezi Mohammed Abu Moussa e kuptoi se diçka nuk ishte në rregull.

Teksa zbriste nga autobusi që solli dhjetëra të burgosur të liruar në Rripin e Gazës javën e kaluar, 45-vjeçari, teknik mjekësor, u përqafua nga gruaja dhe dy fëmijët e tij të vegjël. Por kur pyeti për nënën, vëllai i tij nuk ia ktheu shikimin.

Më në fund, ata e ulën dhe ia thanë të vërtetën: Nëna e tij, motra më e vogël Aya, fëmijët e saj, tezja dhe xhaxhai i tij ishin vrarë nga një sulm ajror izraelit që kishte goditur strehën ku po qëndronin në qendër të Gazës, në korrik të këtij viti.

Më shumë se 1,800 palestinezë të ndaluar nga forcat izraelite në Gaza gjatë luftës dyvjeçare janë liruar këtë javë në kuadër të marrëveshjes së armëpushimit që çoi edhe në lirimin nga Hamasi të pengjeve të fundit që ishin ende gjallë.

Izraeli gjithashtu ka liruar rreth 250 të burgosur palestinezë, të dënuar gjatë dekadave të fundit, shumica prej të cilëve janë kthyer në Bregun Perëndimor të okupuar ose janë dëbuar jashtë vendit.

Një numër më i vogël është dërguar në Gazë.

“Zoti i mëshiroftë”

Të kthyer në Gaza pas muajsh e vitesh burgim, shumë nga palestinezët e liruar u përballën me një realitet tronditës: atdheu i tyre i shkatërruar dhe familjet e tyre të copëtuara nga bombardimet dhe ofensivat izraelite, ndërsa ata kishin qenë të mbyllur, me pak ose aspak informacion për luftën.
Duke rrëfyer përjetimin e tij, Mohammed Abu Moussa, një teknik i radiologjisë 45-vjeçar, tha se dhimbja nisi madje edhe para se të zbrisnin nga autobusi të hënën. Disa prej të liruarve thërrisnin nga dritaret e autobusit, duke iu drejtuar turmës së gëzuar që i priste: “Ku është vëllai im?”, “Po nëna ime?”, “Babai?”

Përgjigjja që dëgjonin shpesh ishte e shkurtër dhe e rëndë: “Zoti i mëshiroftë”.

Humbja e parë e rëndë për Abu Moussën ndodhi vetëm pak ditë pas fillimit të ofensivës së Izraelit kundër Hamasit, më 7 tetor 2023. Tetë ditë më vonë, një sulm ajror goditi shtëpinë e familjes së tij në qytetin Khan Younis, në jug të Gazës.

Në atë moment, Abu Moussa ishte në detyrë në Spitalin Nasser, ku punonte si teknik i radiologjisë. Pamje që qarkulluan atëherë në rrjet treguan atë dhe bashkëshorten e tij, Rawan Salha, duke vrapuar nëpër spital në kërkim të djalit të tyre, Youssef.

“Është 7 vjeç, me kaçurrela, lëkurë të çelët dhe shumë i bukur,” dëgjohet Salha duke thënë mes lotësh.

Djali ishte sjellë në spital pa shenja jete. Në të njëjtin sulm humbën jetën edhe gruaja e njërit prej vëllezërve të Abu Moussës dhe dy fëmijët e tyre.

Në muajt që pasuan, Abu Moussa vazhdoi të punonte pa ndalur, ndërsa dhjetëra të plagosur silleshin çdo ditë në spital. Bashkë me të, në ambientet e spitalit po strehoheshin edhe bashkëshortja e tij dhe dy fëmijët e mbijetuar, bashkë me qindra persona të tjerë të zhvendosur nga shtëpitë.

Në shkurt të vitit 2024, forcat izraelite e rrethuan spitalin, me qëllim për të hyrë brenda e për të kërkuar persona të dyshuar si militantë. Ata urdhëruan që të gjithë të largoheshin, përveç stafit mjekësor dhe pacientëve në gjendje kritike.

Por Salha, gruaja e Abu Moussës, refuzoi të largohej pa të shoqin.

Të bashkuar me fëmijët, familja u nis në këmbë për të kaluar një pikë kontrolli ushtarake izraelite aty pranë. Në atë moment, Abu Moussa u ndalua për t’u marrë në pyetje, së bashku me disa të tjerë, dhe u dërgua në një stadium të afërt të kthyer në qendër ndalimi.
Ishte fillimi i ndarjes së gjatë nga familja e tij.

“Na trajtonin si kafshë”

Mohammed Abu Moussa, një nga të liruarit së fundmi nga burgjet izraelite, ka rrëfyer se muajt e tij në paraburgim ishin të mbushur me abuzime të rënda fizike dhe psikologjike. Ashtu si të gjithë të kthyerit në Gazë të hënën, ai nuk ishte asnjëherë zyrtarisht i akuzuar për ndonjë vepër penale.

Abuzimi, sipas tij, filloi që në momentin e arrestimit, kur u ndalua në një pikë kontrolli ushtarak dhe u dërgua në një stadium të shndërruar në qendër ndalimi. Aty, gjatë marrjes në pyetje, thotë se është rrahur me shkopinj dhe grushte. Ai dhe të tjerët e ndaluar mbetën me duart e lidhura me pranga plastike për tri ditë, pa ujë dhe pa të drejtë për të përdorur tualetin.

“Pothuajse të gjithë u ndotëm nga nevoja”, tha Abu Moussa.

Më pas u dërgua në kampin ushtarak Sde Teiman brenda territorit të Izraelit, ku u mbajt për dy muaj. Çdo ditë, ai dhe të tjerët detyroheshin të qëndronin në gjunjë për orë të tëra pa lëvizur.

“Është rraskapitëse. Të duket sikur të thyhet shpina”, tha ai. Sipas tij, rojat shpesh i nxirrnin disa për t’i rrahur brutalisht – gjatë një prej këtyre rasteve, ai thotë se i është thyer një brinjë.

Më pas u transferua në burgun Negev, të menaxhuar nga autoritetet civile izraelite. Aty, sipas tij, dhuna ishte më e rrallë, por kushtet e jetesës mbeteshin të ashpra.

Pothuajse të gjithë të ndaluarit vuanin nga qerthi – një infeksion i shkaktuar nga parazitë që futen nën lëkurë.

“Njerëzit fërkoheshin pas mureve nga kruarja”, kujton ai. Pavarësisht kërkesave të përsëritura, kremrat për trajtim u shpërndanë vetëm disa javë para lirimit të tij.

Sipas Abu Moussa, çarçafët ishin të ndotur, nuk u jepej asnjë palë rrobash për t’i ndërruar, dhe prerjet e vogla shpesh infektoheshin. Kur rrobat i lanin, detyroheshin të rrinin nudo të mbështjellë me një batanije – por nëse rojat i kapnin ashtu, ua merrnin edhe batanijen, duke i lënë të flinin pa të.

Të sëmurët dhe ata me probleme kronike kërkonin ndihmë mjekësore, por shpesh refuzoheshin, thotë ai. Një prej tyre, Mohammed al-Astal, vuante nga bllokim në zorrën e trashë. Gjendja e tij u përkeqësua deri në vdekje.

“Na trajtonin si kafshë,” përfundon rrëfimin Abu Moussa.

Reagimi i autoriteteve izraelite

E pyetur nga mediat, Shërbimi i Burgjeve të Izraelit, që menaxhon burgun Negev, tha se nuk ishte në dijeni për rastin konkret dhe shtoi se operon në përputhje me ligjin, duke garantuar të drejtat për trajtim mjekësor dhe kushte të përshtatshme jetese për të burgosurit.

Po ashtu, ushtria izraelite mohoi ekzistencën e ndonjë abuzimi sistematik në objektet e saj dhe tha se çdo ankesë konkrete hetohet dhe veprimet e saj janë në përputhje me ligjet izraelite dhe ndërkombëtare.

Megjithatë, përshkrimi i Abu Moussës përputhet me dëshmitë e shumë palestinezëve të liruar më parë. Sipas një raporti të OKB-së të publikuar muajin e kaluar, të paktën 75 palestinezë kanë vdekur në burgje apo qendra ndalimi izraelite gjatë luftës. Raporti i OKB-së përshkroi kushtet në këto objekte si formë torturash që kanë kontribuar në vdekje.

Një rast i rëndë ishte ai i një 17-vjeçari palestinez, i cili vdiq në mars. Sipas një mjeku izraelit që asistoi në autopsi, i riu kishte humbur peshë nga uria, vuante nga inflamacion në zorrë dhe ishte i infektuar me qerthe.

Rikthimi në Gazën e rrënuar

Pas lirimit nga paraburgimi dhe kalimit të kufirit nga Izraeli në Gaza, Mohammed Abu Moussa përjetoi tronditjen e parë: shkatërrimi i plotë përreth.

“Tronditja e parë ishte pamja e shkatërrimit”, tha ai.

Qyteti i tij i lindjes, Khan Younis, ishte i panjohshëm. Lagje të tëra të zhdukura. Ai dhe të liruarit e tjerë përpiqeshin të dallonin ndonjë pikë orientimi mes rrënojave të betonit.

Autobusët ndaluan pranë Spitalit Nasser, aty ku dikur kishte punuar, dhe ku tani një turmë njerëzish priste të liruarit. Duke mos parë askënd nga familja e tij, Abu Moussa pyeti një koleg për bashkëshorten dhe fëmijët.

“Janë brenda, po të presin,” iu përgjigj ai.

Më pas e pyeti një nga vëllezërit për nënën. Vëllai nuk ia ktheu shikimin dhe tha vetëm:
“Po vjen”.
“E kuptova që nuk po më tregonte të vërtetën”, kujton Abu Moussa.
Pasi u përqafua me bashkëshorten dhe fëmijët, ai pyeti sërish për nënën dhe motrën e tij, Aya. Më në fund, i treguan.

Duke rikujtuar momentin, Abu Moussa heshti për çaste të gjata, i pushtuar nga emocionet. Me zërin që i dridhej nga lotët, kujtoi forcën e nënës, e cila nuk kishte derdhur asnjë lot kur një nga djemtë e saj ishte vrarë gjatë luftës mes Izraelit dhe Hamasit në vitin 2009.

“Ajo gjithmonë e mbante veten, që edhe ne të mos thyheshim”, tha ai.

Tani pyet veten nëse do të kishte qenë gëzimi i lirimit ai që do ta kishte bërë nënën të thyhej e të qante, po ta kishte përjetuar kthimin e tij nga burgu.

“Më mungon. Dua ta shoh. Dua t’ia puth dorën, kokën”, tha mes lotësh.