Zjarrfikësit janë përballur me disa vatra të zjarrit përgjatë Turqisë të martën, teksa një flakë e madhe ka vazhduar në rajonin veriperëndimor të Çanakalasë për të dytën ditë me radhë. Qindra banorë janë evakuuar si pjesë e masave parandaluese.
Si aeroporti i Çanakalasë njashtu edhe Ngushtica e Dardaneleve, e cila lidh Detin Egje me Detin Marmara, janë mbyllur përkohësisht si pasojë e zjarreve masive të hënën, ka shkruar Reuters.
Zjarret në distriktet e Ezinit dhe Ayvacikut janë vendosur kryesisht nën kontroll, porse flakët në qendrën e qytetit në pjesën jugore të Ngushticës së Dardaneleve ishin ende aktive, ka njoftuar ministri i Agrikulturës dhe Pyjeve, Ibrahim Yumakli, përmes një postimi në rrjetin social X.
Shtatë avionë dhe gjashtë helikopterë po merren me shuarjen e flakëve të martën, ka thënë guvernatori i Çanakalasë, Omer Toraman, përmes një postimi në X, duke shtuar se nuk ka rrezik të menjëhershëm për zonat e banuara.
Yumakli ka thënë se zjarret e tjera në provincën veriore të Edirnesë dhe provincën jugore të Hatay u vunë plotësisht nën kontroll, teksa po vazhdonin përpjekjet për të luftuar një tjetër zjarr të egër në provincën perëndimore të Manisës.