Botë

Trupa të groposur me buldozer dhe varre pa shenja – fati i kërkuesve të ndihmave në Gazë

gaza

Raporti i CNN-it dokumenton vdekjen dhe zhdukjen e dhjetëra palestinezëve pranë kalimit Zikim, ku trupat shpesh janë groposur ose lënë të dekompozohen nga buldozerët izraelitë. Familjet e viktimave mbeten pa përgjigje duke u përballur me dhimbje dhe pasiguri mbi fatin e të dashurve të tyre

Ammar Wadi e dinte se po rrezikonte jetën kur doli për të marrë një qese miell për familjen e tij nga një kamion ndihmash pranë kalimit Zikim drejt Gazës në qershor.

“Më fal, nënë, nëse më ndodh diçka”, shkroi ai në ekranin kryesor të telefonit të tij. “Kushdo që gjen telefonin tim, t’i thotë familjes që i dua shumë”.

Në mes të zjarrit të rregullt izraelit ndaj njerëzve që kërkonin ndihma këtë verë, Wadi nuk u kthye kurrë në shtëpi. Mesazhi që la iu dorëzua familjes së tij disa javë më vonë nga dikush që gjeti telefonin. Ishte e fundit që ata dëgjuan prej tij.

Wadi është ndër dhjetëra palestinezë që të dashurit e tyre thonë se u zhdukën pranë Zikimit dhe fatet e tyre mbeten mister.

Një hetim i CNN-it tregon se ushtria izraelite ka përdorur buldozerë për të groposur disa nga të vrarët pranë kalimit në varre të gërmuara dhe pa shenja. Në raste të tjera, trupat janë lënë të dekompozohen në hapësirë, pa mundur të merreshin, në zonën ushtarake.

Mënyra e trajtimit të trupave me buldozerë mund të shkelë të drejtën ndërkombëtare, sipas ekspertëve ligjorë.

Rishikimi i CNN-it, që gjithashtu gjeti se njerëzit që kërkonin ndihma u vranë nga zjarri i paqëllimshëm izraelit pranë kalimit, bazohet në qindra video dhe foto nga zona e Zikim, si dhe intervista me dëshmitarë dhe shoferë lokalë të kamionëve të ndihmave.

Pamjet satelitore tregojnë gjithashtu aktivitet buldozeri gjatë verës në zonat ku u vranë njerëzit që kërkonin ndihma. Dy video, të gjeolokuar nga CNN në zonën e Zikimit, tregojnë pasojat e një incidenti në qershor, me trupa pjesërisht të groposur rreth një kamioni ndihmash të përmbysur.

CNN foli me dy ish-anëtarë të ushtrisë izraelite që përshkruan raste në Gazë gjatë luftës ku trupat e palestinezëve u groposën me buldozerë në varre të gërmuara. Ata kërkuan të mbeteshin anonimë, sepse nuk ishin të autorizuar të flisnin.

Sipas ligjit ndërkombëtar, palët në luftë duhet të bashkëpunojnë për të groposur të vdekurit në mënyrë që të mund të identifikohen, tha Janina Dill, bashkudhëheqëse e Oxford Institute for Ethics, Law and Armed Conflict.

“Qëllimi është të parandalohen të zhdukurit dhe të lejohet përkujtimi, kryesisht nga familjet e tyre”, tha Dill. “Gjithashtu, nëse trupat keqtrajtohen ose shfrytëzohen në mënyrë që shkel dinjitetin e tyre, kjo mund të konsiderohet një krim lufte sipas Konventave të Gjenevës”.

Pyetja nëse IDF-ja ndjek vendet ku ka groposur trupat mbetet e hapur. Një nga sinjalizuesit e IDF-së i tha CNN-it se kur njësia e tij groposi në fillim të vitit 2024 nëntë persona, vendi i varrit mbeti i papërcaktuar. IDF nuk u përgjigj për këtë incident.

Gati gjashtë muaj pas zhdukjes së Wadit, familja e tij ende nuk ka përgjigje. Në vend që të gjejnë ngushëllim në mesazhin e fundit të tij, nëna e Wadit, Nawal Musleh, është e munduar nga ajo që mund të mos e zbulojnë kurrë.

“Kur mendoj për të, sytë e mi nuk ndalen së qarri,” i tha CNN. “Ne pranojmë çdo gjë që ka shkruar Zoti për ne, por vetëm duam të dimë se çfarë i ka ndodhur djalit tonë.”

“Është si Trekëndëshi i Bermudës”

Disa video grafike të postuara në rrjetet sociale më 11 shtator, të rishikuara dhe gjeolokuara nga CNN, tregojnë një rrjedhë të vazhdueshme palestinezësh që ikin nga zona e Zikimit duke mbajtur qese mielli nën një breshëri zjarri.

Në të paktën një rast, një person që mbante miell duket se qëllohet nga pas, me zjarrin që duket të vijë nga drejtimi i një pozicioni të IDF-së, të cilin CNN e ka identifikuar në pamjet satelitore.

Robert Maher nga Universiteti i Shtetit të Montanas, ekspert për forenzikën e audios, analizoi videot për CNN dhe gjeti se të shtënat filluan rreth 340 metra larg vendit ku u filmua, që përputhet me distancën nga pozicioni i IDF-së.

Në videon tjetër, një grup mund të shihet duke u kujdesur për trupat e një personi të vrarë para se të largojnë. Ndërkohë zjarri vazhdon.

Në një deklaratë për CNN, IDF-ja tha se “nuk qëllon qëllimisht ndaj civilëve të pafajshëm” dhe në rastet kur lind një kërcënim, “zjarri përdoret për paralajmërim ose për neutralizimin e kërcënimit”.

Pamje dhe foto të tjera të shqyrtuara nga CNN tregojnë shumë trupa që nuk mund të merren nga njerëzit e tjerë që kërkonin ndihma ose nga mbrojtja civile për shkak të kushteve të rrezikshme.

Më 15 qershor, dy dëshmitarë thanë për CNN-in se një kamion ndihmash nga kalimi u rrethua nga një turmë palestinezësh të uritur. Kamionët e ndihmave operohen nga kontraktorë privatë lokalë në Gazë për të marrë furnizime nga kalimi dhe për t’i dërguar brenda Rripit.

Pak më vonë ushtria izraelite hapi zjarr drejt mjetit, dhe shumë njerëz duket se u qëlluan dhe ranë poshtë kamionit, thanë dëshmitarët.

Një ambulancë e punonjësve të mbrojtjes civile u lejua të hynte disa ditë më vonë.

“Ishim të tmerruar nga skena”, tha një punonjës i mbrojtjes civile për CNN-in, që kërkoi të mbetej anonim për shkak të sigurisë së tij. “Trupat që morëm ishin të dekompozuar - ishte e qartë që kishin qenë aty për një kohë, kishte shenja që qentë kishin ngrënë pjesë të tyre”.

Videot që CNN i geolokoi në atë vend në Zikim tregojnë një kamion ndihmash të përmbysur dhe të shkatërruar mes rrënojave. Disa trupa të dekompozuar janë shpërndarë rreth mjetit, pjesërisht të groposur në kodra rëre. Një qen endacak shihet pranë.

Ekipi i mbrojtjes civile mundi të merrte vetëm 15 trupa dhe, me ambulancën plot, rreth 20 nuk u rikuperuan, sipas punonjësit. IDF nuk u përgjigj për këtë incident.

Dhjetëra shoferë lokalë të kamionëve të ndihmave që punuan në rrugën Zikim folën me CNN-in në kushte anonimiteti për shkak të frikës për sigurinë e tyre.

Ata përshkruan skena me trupa të shpërndarë dhe të dekompozuar si një pamje e zakonshme, me buldozerë izraelitë që herë pas here i pastronin trupat në rërë.

“Shikoj njerëz të vdekur sa herë kaloj nëpër Zikim… Kam parë buldozerë izraelitë duke groposur trupat”, tha një shofer. “Nëse kalonit aty në korrik, nuk mund ta humbisnit ngjarjen; unë mbylla dritaret”.

“Buldozerët e ushtrisë izraelite ose i groposin, ose i mbulojnë me dhe”, tha një tjetër shofer.

Pamjet satelitore dhe fotot mbështesin këto dëshmi, duke treguar prezencë të vazhdueshme të buldozerëve izraelitë nga fundi i korrikut deri në fillim të gushtit. Shenja të aktivitetit të buldozerëve pranë kalimit Zikim shihen që nga mesi i qershorit, pas hapjes së rrugës së ndihmave, deri më 12 shtator, kur u mbyll.

Disa herë, aktiviteti duket i lidhur me pastrimin e rrugës së ndihmave, e cila shpesh ishte e mbushur me kuti dhe rrënoja.

Herë të tjera, pamjet satelitore tregojnë aktivitet buldozeri pa një qëllim të qartë, si kur një buldozer përfshiu një sipërfaqe prej 30 metrash katrorë dhe krijoi një grumbull të vogël në mes të qershorit, rreth 400 metra larg vendit ku u gjet kamioni i përmbysur nga punonjësit e mbrojtjes civile disa ditë më parë.

Buldozerët përdoren edhe për të shembur rrënojat e ndërtesave ku më parë kërkonin strehë njerëzit që kërkonin ndihma nga zjarri izraelit, siç shihet në shumë video.

Dy dëshmitarë thanë për CNN-in se më 7 shtator - ndërsa njerëzit kërkonin pranë Zikimit për familjarët e zhdukur - ata gjetën atë që duket se ishin trupa të groposur me buldozer.

“Gjeta trupat aty, të groposur së bashku me kutitë prej kartoni… i grumbullojnë mbi njëri-tjetrin”, i tha CNN-it Adel Mansour, një nga dëshmitarët që kërkonte djalin e tij 17-vjeçar.

Një shofer kamioni që punonte në rrugët e Zikim tha për CNN: “Është si Trekëndëshi i Bermudës; askush nuk e di se çfarë po ndodh aty dhe duket se askush kurrë nuk do ta dijë”.

Sinjalizuesit e IDF-së flasin

Raportet për ushtrinë izraelite që përdor buldozerë për të groposur trupat e palestinezëve nuk kufizohen vetëm te kalimi Zikim. Sinjalizues të IDF-së që folën për CNN dhe OJQ-në kundër okupimit Breaking the Silence (BTS) treguan një model më të gjerë të keqtrajtimit të të vdekurve në Gazë gjatë luftës.

Një sinjalizues i IDF-së, që më parë shërbeu në korridorin Netzarim, foli për CNN me kusht anonimiteti nga frika e hakmarrjes.

Ai tha se në fillim të vitit 2024, nëntë trupa palestinezësh të paarmatosur u lanë të dekompozohen për pothuajse dy ditë rreth bazës së tij. Era e trupave që kalbeshin u bë e padurueshme, ndërsa qentë hanin mbetjet, tregoi ai.

“Komandanti ynë i kërkoi buldozerëve D9 t’i mbulonin trupat me rërë”, kujtoi ai. “Ishte e tmerrshme të shihje aq shumë trupa përreth, të shihje që ishin të paarmatosur, të shihje qentë duke i ngrënë, duke luajtur me kockat, këmbët dhe kafkat”.

Nga sa di ai, nuk u morën foto të trupave për identifikim të mëvonshëm dhe nuk u shënua as vendndodhja. “Familjet ndoshta nuk e dinë çfarë ndodhi me të dashurit e tyre”, tha ai.

BTS, që u jep hapësirë ushtarëve izraelitë të flasin dhe verifikon dëshmitë e tyre, tha se ka marrë shumë rrëfime për këtë praktikë.

Një ish-ushtar tjetër i IDF-së -  një kapiten që shërbeu në një qendër komanduese të trupave izraelite në Gaza në fund të vitit 2023 – tha se nuk mori kurrë udhëzime mbi mënyrën e trajtimit të trupave të palestinezëve të vrarë. Kur trupi i një palestinezi të vrarë nga forcat izraelite bllokoi rrugën, oficerët vendosën të përdornin një buldozer për ta shtyrë trupin në një varr të cekët në anë të rrugës.

“Nuk na u dha asnjë protokoll apo urdhër se si të trajtonim trupat, qofshin luftëtarë apo civilë”, i tha ai CNN-it në kushte anonimiteti.

IDF nuk u përgjigj pyetjeve të CNN-it për dëshmitë e ish-ushtarëve.

Gjatë dy viteve të fundit, ushtria izraelite ka groposur vazhdimisht trupat e palestinezëve në varre të cekëta, në zona të ndryshme të Gazës. Kjo përfshin qindra trupa të gjetura vitin e kaluar në spitalin Nasser në Khan Younis, sipas autoriteteve atje, si dhe vrasjen e 15 punëtorëve të ndihmave në jug të Gazës në mars – raportuar më herët nga CNN.

IDF- ja ka mohuar vazhdimisht se varros palestinezët në varre masive.

Buldozerët janë përdorur gjithashtu nga IDF-ja gjatë luftës për të shkatërruar varreza palestineze. Një hetim i CNN-it vitin e kaluar gjeti se ushtria izraelite kishte shkatërruar të paktën 16 varreza gjatë ofensivës tokësore në Gaza, duke lënë varre të dëmtuara, dhe në disa raste, trupa të nxjerrë në sipërfaqe.

IDF-ja nuk dha shpjegime për shkatërrimin e këtyre varrezave, por tha se ndonjëherë nuk ka “zgjedhje tjetër” përveçe të godasë vendet që pretendon se Hamasi i përdor për qëllime ushtarake, dhe se trupat janë hequr nga disa varreza për përpjekje për të shpëtuar pengje.

Me shumë palestinezë që kërkuan ushqim këtë verë e që ende janë të zhdukur, kërkimi i dëshpëruar për përgjigje vazhdon për familjet e tyre. Disa shpresojnë se të afërmit e tyre mund të jenë gjallë diku - ndoshta në paraburgim izraelit ose të zhvendosur brenda Gazës.

“Ammar Wadi ishte dikush që la një boshllëk shumë të madh te ne, humbja e tij është si të humbësh një pjesë të vetes”, tha vëllai i tij, Hossam. “Nëse ka rënë dëshmor, Zoti e pastë mëshiruar, por nëse është gjallë, të paktën mund të kemi shpresë”.