Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se ka urdhëruar qeverinë e tij që të rihapë dhe zgjerojë Alcatraz, ish-burgun famëkeq në një ishull pranë urës Golden Gate të San Franciskos.
Në një mesazh në faqen e tij Truth Social të dielën, presidenti Trump ka thënë se "për një kohë të gjatë Amerika është rrënuar nga shkelës të egër, të dhunshëm dhe të përsëritur kriminalë".
Rihapja e Alcatrazit, dikur i njohur si një nga burgjet më të vështira të SHBA-së, do të shërbente si një “simbol i ligjit, rendit dhe drejtësisë”, ka thënë Trump, raporton BBC.
Demokratët kryesorë kanë reaguar duke thënë se propozimi është "jo serioz".
Objekti i sigurisë maksimale, i njohur gjithashtu si Shkëmbi, është mbyllur në vitin 1963 dhe aktualisht funksionon si një vend turistik.
“Sot, po drejtoj Byronë e Burgjeve, së bashku me Departamentin e Drejtësisë, FBI-në dhe Sigurinë Kombëtare, për të rihapur një ALCATRAZ-in, të zgjeruar dhe rindërtuar”, ka shkruar po ashtu Trumpi.
Burgu do të "strehonte shkelësit më të pamëshirshëm dhe më të dhunshëm të Amerikës", sipas tij.
Alcatraz ishte fillimisht një fortesë mbrojtëse detare dhe është rindërtuar në fillim të shekullit të 20-të si një burg ushtarak.
Ndër të burgosurit e saj më të famshëm ishin gangsterët famëkeq Al Capone, Mickey Cohen dhe George "Machine Gun" Kelly.
Burgu është bërë i famshëm gjithashtu nga filmi i vitit 1962, “Birdman of Alcatraz”, me protagonist Burt Lancaster, për vrasësin e dënuar Robert Stroud, i cili gjatë vuajtjes së dënimit të përjetshëm në ishullin e burgut zhvilloi një interes për zogjtë dhe u bë një ornitolog ekspert.
Ishte gjithashtu vendi i filmit të vitit 1996 “The Rock”, me aktorë Sean Connery dhe Nicolas Cage, për një ish-kapiten të SAS dhe kimist të FBI-së që shpëtoi pengjet nga ishulli Alkatraz.
Burgu është mbyllur sepse ishte shumë i shtrenjtë për të vazhduar funksionimin, sipas faqes së internetit të Byrosë Federale të Burgjeve. Ai ishte gati tre herë më i kushtueshëm për të vepruar se çdo burg tjetër federal, kryesisht për shkak të vendndodhjes së tij në ishull.