Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të hënën se ushtria amerikane ka filluar një bllokadë të porteve iraniane si pjesë e përpjekjes së tij për ta detyruar Teheranin të hapë Ngushticën e Hormuzit dhe të pranojë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës që ka zgjatur për më shumë se gjashtë javë.

Irani u përgjigj me kërcënime ndaj të gjitha porteve në Gjirin Persit dhe Gjirin e Omanit, duke marrë në shënjestër vendet aleate të SHBA-së.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Të paktën dy cisterna që po i afroheshin ngushticës të hënën u kthyen mbrapsht menjëherë pasi filloi bllokada amerikane, tha gjurmuesi i anijeve MarineTraffic në një postim në X.

Agjencia britanike e Operacioneve të Tregtisë Detare tha se bllokada kufizonte “tërë vijën bregdetare të Iranit, përfshirë portet dhe infrastrukturën energjetike”. Njoftimi i saj për detarët theksonte se kalimi përmes ngushticës drejt ose nga vende jo-iraniane nuk raportohej të ishte  penguar, megjithëse anijet “mund të hasin praninë ushtarake”.

Bllokada amerikane dhe kërcënimet e Iranit për hakmarrje krijuan një përballje të jashtëzakonshme që paraqet rreziqe serioze për ekonominë globale dhe ngre shqetësimin se armëpushimi mund të prishet dhe luftimet të rifillojnë. Bisedimet për t’i dhënë fund përfundimisht konfliktit, i cili filloi më 28 shkurt me sulmet e SHBA-së dhe Izraelit  ndaj Iranit, nuk arritën një marrëveshje gjatë fundjavës së kaluar.

Trump thotë se bllokada ka filluar

“Nuk mund të lejojë që një vend të shantazhojë ose të zhvatë botën, sepse kjo është ajo që po bëjnë”, tha Trumpi për Iranin në Shtëpinë e Bardhë, ku njoftoi se bllokada kishte nisur.

Ai la të kuptohet se SHBA-ja mbetet e gatshme të angazhohet me Iranin.

“Mund t’ju them se pala tjetër na ka kontaktuar”, tha Trumpi, duke shtuar se “ata duhet të bëjnë një marrëveshje”.

Diskutimet mes SHBA-së dhe Iranit për një raund të dytë  negociatash ballë për ballë janë në zhvillim, thanë të hënën dy zyrtarë amerikanë dhe një person i cili ka njohuri mbi zhvillimet në negociatat mes dy palëve. Një diplomat nga një prej vendeve ndërmjetësuese tha se Teherani dhe Washingtoni kanë rënë dakord për më shumë bisedime.

FMN: Ekonomia globale në rrezik recesioni nëse lufta me Iranin vazhdon

2 min. më parë / 14 pri 2026 17:38
Iran

Ekonomia globale rrezikon të hyjë në recesion nëse lufta SHBA-Izrael me Iranin vazhdon dhe çmimet e larta të energjisë mbeten, ka paralajmëruar të martën Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN).

Në raportin e tij “World Economic Outlook”, FMN-ja ka thënë se në skenarin më të keq – ku çmimet e naftës, gazit dhe ushqimeve rriten dhe mbeten të larta këtë vit dhe vitin e ardhshëm, rritja globale mund të bjerë nën 2% në vitin 2026.

“Kjo do të nënkuptonte një situatë shumë pranë një recesioni global, gjë që ka ndodhur vetëm katër herë që nga viti 1980,” thuhet në raport, me rastin më të fundit gjatë pandemisë së Covid-it.

Çmimet e energjisë janë rritur ndjeshëm që nga fillimi i luftës më shumë se gjashtë javë më parë, pasi rruga kryesore detare e Ngushticës së Hormuzit është mbyllur praktikisht dhe bisedimet e paqes midis SHBA-së dhe Iranit dështuan.

“Edhe një herë, ekonomia globale rrezikon të devijojë nga kursi, këtë herë për shkak të shpërthimit të luftës në Lindjen e Mesme në fund të shkurtit 2026”.

Ajo ka shtuar se kushtet më të rënda që mund të çojnë në një ngadalësim global përfshijnë çmimet e naftës që arrijnë mesatarisht 110 dollarë për fuçi këtë vit dhe 125 dollarë në vitin 2027.

Bazuar në këto supozime, FMN-ja ka thënë se inflacioni mund të arrijë deri në 6% vitin e ardhshëm.

Kjo mund të detyrojë bankat qendrore të rrisin normat e interesit për të frenuar rritjen e çmimeve.

Çmimi i naftës është rritur afër 120 dollarëve gjatë konfliktit me Iranin, por më pas ka rënë dhe të martën një fuçi nafte kushtonte 98.85 dollarë.

Për më tepër, FMN-ja ka thënë se nëse konflikti zgjidhet në javët e ardhshme dhe nëse prodhimi dhe eksportet e energjisë nga Lindja e Mesme fillojnë të normalizohen deri në mesin e këtij viti, rritja globale do të jetë rreth 3.1% për vitin 2026.

Nga ekonomitë e zhvilluara në botë, FMN-ja parashikon se Mbretëria e Bashkuar do të goditet më rëndë nga goditja energjetike e shkaktuar nga lufta me Iranin.

Ajo ka ulur parashikimin për rritjen ekonomike të Mbretërisë së Bashkuar këtë vit në 0.8%, nga 1.3% që ishte parashikuar më parë.

Sipas parashikimeve të FMN-së, vendet eksportuese të naftës në Gjirin Persik ka të ngjarë të përjetojnë një ngadalësim të ndjeshëm të rritjes ekonomike ose edhe tkurrje këtë vit.

Trumpi kritikon kryeministren italiane: Jam i shokuar nga ajo

36 min. më parë / 14 pri 2026 17:03
Donald Trump dhe Giorgia Meloni

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar se homologes së tij italiane, Giorgia Meloni, i mungon "guximi" për luftën në Iran, raportojnë mediat italiane.

"Jam i shokuar nga ajo. Mendova se kishte guxim, por gabohesha", i ka thënë ai gazetës italiane Corriere della Sera, duke shtuar gjithashtu se Meloni "mendon se Amerika duhet ta bëjë punën në emër të saj".

Kritika e tij vjen pas deklaratave të Melonit, i cili i quajti komentet e presidentit amerikan për Papa Leonin "të papranueshme".

"Ajo është e papranueshme, sepse nuk i intereson nëse Irani ka një armë bërthamore dhe do ta hidhte në erë Italinë brenda dy minutash nëse do të kishte mundësi”, ka thënë Trumpi në reagimin e tij.

270 miliardë dollarë dëmet e Iranit nga lufta me SHBA-në e Izraelin

2 o. më parë / 14 pri 2026 15:12
Iran

Photo: Associated Press

Irani ka bërë vlerësime të kostos së dëmeve të shkaktuara nga lufta si pjesë e përpjekjeve të tij për t'i bërë dëmshpërblimet pjesë të negociatave, ka raportuar agjencia e lajmeve Tasnim e lidhur me IRGC-në.

Duke folur për mediat ruse, zëdhënësja e qeverisë iraniane, Fatemeh Mohajerani, ka thënë se një vlerësim "paraprak" dhe shumë i përafërt e vendos shifrën në rreth 270 miliardë dollarë deri më tani, por se kjo mund të ndryshojë.

Ajo ka shtuar se zyrtarët në Iran po vazhdojnë të bëjnë vlerësime, të cilat, sipas Tasnim, përfshijnë shqyrtimin e dëmeve në ndërtesa dhe të ardhurave të humbura nga mbylljet industriale.

Dëmshpërblimet ishin një nga çështjet e ngritura në bisedimet me SHBA-në gjatë fundjavës, thotë Mohajerani, sipas një raporti të komenteve të saj nga agjencia shtetërore iraniane IRNA.

Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance, ka thënë më parë se kishte pasur "diskutime thelbësore" në bisedimet në Pakistan, por se nuk u arrit asnjë marrëveshje.

SHBA-ja dhe Irani mund t’u kthehen bisedimeve këtë javë në Islamabad

2 o. më parë / 14 pri 2026 15:00
Bisedimet SHBA-Iran

Photo: Associated Press

Ekipet negociuese nga SHBA-ja dhe Irani mund të kthehen në Islamabad këtë javë për të rifilluar bisedimet për përfundimin e luftës, kanë thënë burimet për Reuters të martën, pasi dështimi i negociatave të fundjavës e shtyu Uashingtonin të vendoste një bllokadë ndaj porteve iraniane.

Ndërsa bllokada e SHBA-së ka shkaktuar reagime të ashpra nga Teherani, shenjat se angazhimi diplomatik mund të vazhdojë, ndihmuan në qetësimin e tregjeve të naftës, duke ulur çmimet bazë nën 100 dollarë të martën.

Bisedimet e nivelit më të lartë midis dy kundërshtarëve që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979 përfunduan në kryeqytetin pakistanez pa përparim të shtunën, duke ngritur dyshime mbi mbijetesën e armëpushimit dyjavor që ka edhe një javë për të vazhduar.

Por një burim i përfshirë në bisedime ka thënë të martën se të dy vendet mund të kthehen që në fund të kësaj jave dhe se një ftesëë u është shpërndarë Uashingtonit dhe Teheranit për të dërguar sërish delegacionet e tyre.

“Nuk është caktuar një datë e saktë, por delegacionet po mbajnë të hapur mundësinë për periudhën nga e premtja deri të dielën”, ka thënë një burim i lartë iranian.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se Irani kishte kontaktuar të hënën dhe dëshironte të arrinte një marrëveshje, duke shtuar se ai nuk do të miratonte asnjë marrëveshje që do t’i lejonte Teheranit të zotëronte armë bërthamore.

Që nga momenti kur Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën luftën më 28 shkurt, Irani praktikisht ka mbyllur Ngushticën e Hormuzit për pothuajse të gjitha anijet përveç atyre të tijat, duke thënë se kalimi do të lejohej vetëm nën kontroll iranian dhe me pagesë. Pasojat kanë qenë të gjera, pasi gati një e pesta e naftës dhe gazit botëror kalonte më parë përmes kësaj rruge të ngushtë ujore.

Si kundërmasë, ushtria amerikane ka thënë nisur të hënën të bllokojë trafikun detar që hyn dhe del nga portet iraniane. Mirëpo Teherani ka kërcënuar të godasë anijet luftarake që kalojnë nëpër ngushticë dhe të hakmerret ndaj porteve të fqinjëve të tij në Gjirin Persik.

Gati 24 orë pas fillimit të bllokadës amerikane, ende nuk ka raportime për veprime të drejtpërdrejta nga Uashingtoni për ta zbatuar atë. Të martën është raportuar të jenë parë katër cisterna të lidhura me Iranin duke kaluar nëpër Ngushticën e Hormuzit, sipas të dhënave të transportit detar, por ato nuk po shkonin drejt apo nga portet iraniane.

Bllokada amerikane ka errësuar më tej perspektivën për sigurinë globale të energjisë dhe furnizimin me një gamë të gjerë mallrash që varen nga nafta.

Aleatët e NATO-s të SHBA-së, përfshirë Britaninë dhe Francën, kanë thënë se nuk do të përfshihen në konflikt duke marrë pjesë në bllokadë, megjithëse kanë ofruar ndihmë për të mbrojtur ngushticën kur të arrihet një marrëveshje.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe kryeministri britanik, Keir Starmer, do të udhëheqin një videokonferencë të premten për vendet që janë të gatshme të kontribuojnë në një mision mbrojtës shumëpalësh për të rikthyer lirinë e lundrimit në ngushticë kur kushtet e sigurisë ta lejojnë, ka thënë zyra e Macronit.

Kina, blerësi kryesor i naftës iraniane, ka thënë se bllokada e SHBA-së ishte “e rrezikshme dhe e papërgjegjshme” dhe vetëm sa do të përkeqësonte tensionet.

Kërkesat bërthamore mbeten të forta

Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance, i cili ka udhëhequr delegacionin amerikan përballë kryetarit të parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, ka thënë për Fox News të hënën se SHBA-ja kishte “bërë shumë përparim” duke komunikuar me Teheranin se ku Uashingtoni “mund të bëjë lëshime” dhe ku do të mbetet i palëkundur.

Ai ka shtuar se Trumpi këmbëngulte që çdo material bërthamor i pasuruar duhet të hiqet nga Irani dhe duhet të krijohet një mekanizëm për të verifikuar që Irani nuk po zhvillon armë bërthamore.

Teherani “u afrua me qëndrimin tonë, prandaj mendoj se mund të themi se kishim disa shenja të mira, por ata nuk u afruan mjaftueshëm”, ka thënë Vance, pa dhënë detaje të tjera.

Katër anije të lidhura me Iranin kalojnë përmes Ngushticës së Hormuzit

5 o. më parë / 14 pri 2026 11:46 Nga: BBC
Ngushtica e Hormuzit

Photo: Associated Press

Të dhënat e gjurmimit të analizuara nga BBC Verify tregojnë se katër anije të lidhura me Iranin kanë kaluar përmes Ngushticës së Hormuzit, pavarësisht se bllokada detare e shpallur nga Washingtoni ka filluar.

Dy nga këto anije kishin vizituar porte iraniane, sipas MarineTraffic. Të  dhënat e saj tregojnë se një anije transportuese e mallrave të thata, Christianna, kaloi ngushticën të hënën pasi kishte ndaluar në portin iranian Bandar Imam Khomein.

Anija Rich  Starry, e sanksionuar nga SHBA-ja dhe që raporton se po transportonte mallra, lundroi drejt lindjes nga Sharjah në Emiratet e Bashkuara Arabe, përmes ngushticës gjatë natës, sipas të dhënave.

Cisterna Murlikishan, gjithashtu nën sanksione amerikane, u nis nga Lashan në Kinë dhe u drejtua drejt perëndimit përmes ngushticës gjatë natës. Sipas MarineTraffic, pozicioni i saj i fundit i raportuar ishte në lindje të ishullit iranian Qeshm.

Një tjetër cisternë, Elpis, kaloi ngushticën duke u drejtuar nga lindja të martën, pasi kishte ardhur nga porti iranian i Bushehrit, sipas të dhënave të gjurmimit. Ajo është gjithashtu nën sanksione amerikane dhe destinacioni i saj është i panjohur.

Është e mundur që këto anije të kenë transmetuar qëllimit pozicione të rreme, një praktikë e njohur si “spofing” për të fshehur vendndodhjen e tyre reale.

Ushtria amerikane ka deklaruar se duke filluar nga ora 14 të hënën do të bllokojë “të gjithë trafikun detar që hyn dhe del nga portet iraniane”. Ajo gjithashtu theksoi se nuk do të pengojë lirinë e lundrimit për anijet që kalojnë nëpër Ngushticën e Hormuzit drejt dhe nga porte jo-iraniane.

Pakistani: SHBA-ja dhe Irani të kthehen në negociata para përfundimit të armëpushimit

6 o. më parë / 14 pri 2026 10:45
Vance - Pakistan

Pakistani ka propozuar mbajtjen e një raundi të dytë bisedimesh mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Islamabad në ditët në vijim, përpara përfundimit të armëpushimit, thanë dy zyrtarë pakistanezë, shkruan AP.

Zyrtarët, të cilët folën në kushte anonimiteti sepse nuk ishin të autorizuar të diskutonin çështjen me mediat, thanë se propozimi do të varet nga fakti nëse palët do të kërkojnë një vendndodhje tjetër.

Njëri prej zyrtarëve tha se, megjithëse përfunduan pa një marrëveshje, bisedimet e para ishin pjesë e një procesi diplomatik në vazhdim dhe jo një përpjekje e vetme.