Botë

Trumpi thotë se ka arritur marrëveshje historike mes Armenisë dhe Azerbajxhanit

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka njoftuar se do të mirëpresë liderët e Armenisë dhe Azerbajxhanit në Shtëpinë e Bardhë të premten, për atë që e kualifikoi si një “samit historik të paqes”, që ka për synim t’i jap fund armiqësisë shumëvjeçare ndërmjet dy ish-republikave sovjetike.

“Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, dhe presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, do të na bashkohen në Shtëpinë e Bardhë për një ceremoni zyrtare të nënshkrimit të marrëveshjes së paqes”, ka shkruar Trump në platformën “Truth Social”.

Armike të betuara për dekada, të dyja vendet kanë zhvilluar dy luftëra për rajonin e kontestuar të Nagorno-Karabakut, të cilin Azerbajxhani e rimori nga forcat armene përmes një ofensive të shpejtë në vitin 2023, duke shkaktuar eksodin e mbi 100,000 armenëve etnikë.

Të dyja shtetet kanë mbajtur bisedime për të garantuar një zgjidhje paqësore, përfshirë muajin e kaluar në Emiratet e Bashkuara Arabe, porse përparimi ka qenë deri më tani i kufizuar, ka shkruar The Guardian.

“Këto dy kombe kanë qenë në luftë për shumë vite, gjë që ka sjellë vdekjen e mijëra njerëzve”, ka shtuar Trumpi.

“Shumë udhëheqës kanë provuar ta përfundojnë këtë luftë, pa sukses – deri tani, falë ‘TRUMP’. Administrata ime ka qenë e angazhuar me të dyja palët për një kohë të gjatë”, ka theksuar ai, tek ka thënë se ishte “shumë krenar që këta udhëheqës të guximshëm po e bëjnë gjënë e duhur”.

Presidenti amerikan, i cili ka shprehur bindjen se përpjekjet e tij për ndërmjetësim në konflikte të ndryshme ndërkombëtare meritojnë Çmimin Nobel për Paqe, ka bërë të ditur po ashtu se Washingtoni do të nënshkruajë marrëveshje bilaterale “me të dyja vendet për të ndjekur së bashku mundësitë ekonomike”, që mund të shfrytëzojnë potencialin në rajonin e Kaukazit Jugor.