Botë

Trumpi thotë se i urren kundërshtarët e tij

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se i “urren” kundërshtarët e tij, gjatë një fjalimi para një mase të madhe njerëzish, që ishin mbledhur të dielën për të nderuar organizatorin e të rinjve të krahut të djathtë Charlie Kirk.

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në ngjarjen në Arizona të dielën, teksa Trumpi ka mbajtur një fjalim pas deklaratave emocionuese të së vesë së Kirk, Erika Kirk, e cila ka thënë se e falë të dyshuarin për vrasjen e bashkëshortit të saj.

Në një moment, Trumpi ka përmendur se pak para se të vdiste, Kirk i kishte thënë një anëtari të stafit se nuk kishte frikë nga studentët që nuk ishin dakord me të. 

“Nuk jam këtu për t’i luftuar ata – dua që ata t’i njohin dhe t’i duan”, ka cituar Trumpi të ketë thënë Kirk. 

“Ai nuk i urrente kundërshtarët e tij, ai donte më të mirën për ta”, ka thënë Trump, përpara se të shtonte:  “Këtu nuk isha dakord me Charlien. I urrej kundërshtarët e mi dhe nuk dua më të mirën për ta, më vjen keq”.

Charlie Kirk është vrarë më 10 shtator, gjatë një takimi me studentë në Utah.