Presidenti Donald Trump ka thënë të shtunën se po dërgon një anije-spital në Greenlandë, ishullin arktik dhe territorin danez që ai kërkon ta përvetësojë.
“Duke punuar me guvernatorin fantastik të Luizianës, Jeff Landry, ne do të dërgojmë një anije të madhe spitalore në Grenlandë për t’u kujdesur për shumë njerëz që janë të sëmurë dhe që nuk po marrin kujdesin e duhur atje. Është rrugës!!!”, ka shkruar presidenti në rrjetet sociale, duke e shoqëruar postimin me një ilustrim të anijes spitalore detare USNS Mercy.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNuk është e qartë se për çfarë e kishte fjalën Trumpi në postimin e tij. Grenlanda dhe Danimarka kanë sisteme shëndetësore publike dhe falas.
Landry, të cilin Trumpi e ka emëruar në dhjetor si të dërguar të posaçëm për Grenlandën, ka thënë në rrjetet sociale se është “krenar të punojë” së bashku me Trumpin për “këtë çështje të rëndësishme”.
Marina e SHBA-së ka dy anije-spital të lëvizshme, USNS Mercy dhe USNS Comfort, të cilat mbështesin trupat gjatë dislokimeve, dhe ofrojnë shërbime për ndihmë në raste fatkeqësish dhe operacione humanitare. Gjatë kulmit të pandemisë Covid-19 në vitin 2020, Marina dislokoi USNS Comfort në Neë York, epiqendrën e shpërthimit të virusit në Shtetet e Bashkuara.
Grenlanda, e vendosur në një pozicion strategjik, është vendi me dendësinë më të ulët të popullsisë në botë dhe, për shkak të rrjetit të kufizuar të rrugëve, 56,000 banorët e saj udhëtojnë me anije, helikopter dhe avion mes qyteteve të ishullit. SHBA-ja ka një bazë ushtarake në Grenlandë, Bazën Hapësinore Pituffik, e cila ndodhet në bregun perëndimor të ishullit.
Postimi i Trumpit vjen një muaj pasi përpjekjet e tij të përshkallëzuara për të siguruar Grenlandën tronditën aleatët evropianë, ndërsa ai deklaroi se SHBA-ja nuk do të pranonte asgjë më pak se kontrollin e plotë të vendit.
Grenlanda s’ka nevojë për spital nga SHBA-ja, thotë Danimarka
Danimarka thotë se Grenlanda nuk ka nevojë për ndihmë mjekësore nga vendet e tjera, pas deklaratës së presidentit amerikan, Donald Trump se po dërgonte një anije spitalore në territorin autonom danez që ai dëshiron të përvetësojë.
“Popullsia e Grenlandës merr kujdesin shëndetësor që i nevojitet. Ata e marrin atë ose në Grenlandë, ose, nëse kanë nevojë për trajtim të specializuar, e marrin atë në Danimarkë. Pra, nuk është se ka nevojë për një iniciativë të veçantë shëndetësore në Grenlandë”, ka thënë ministri danez i Mbrojtjes, Troels Lund Poulsen, për transmetuesin danez DR të dielën.
Në Grenlandë, ashtu si në Danimarkë, qasja në kujdesin shëndetësor është falas. Ka pesë spitale rajonale në të gjithë ishullin e madh arktik, ku spitali i Nuuk shërben pacientë nga i gjithë territori.
Kryeministrja daneze, Mette Frederiksen, ka mbrojtur sistemin shëndetësor të Danimarkës, duke shkruar në Facebook se ndihej “e lumtur të jetojë në një vend ku ekziston qasje falas dhe e barabartë në shëndet për të gjithë. Ku nuk janë sigurimet dhe pasuria ato që përcaktojnë nëse merr trajtim të duhur”.
Qeveria lokale e Grenlandës ka nënshkruar një marrëveshje me Kopenhagën në fillim të shkurtit për të përmirësuar trajtimin e pacientëve grenlandezë në spitalet daneze.