Trump dhe Zelensky janë ulur së bashku në Zyrën Ovale, ku po u drejtohen gazetarëve.
Ndër të tjera, pas pyetjeve të gazetarëve, Trump ka thënë se mendon se presidenti ukrainas mund t’i japë fund luftës.
Ai thotë se ai dhe Zelensky duan ta shohin të mbaruar luftën dhe se beson të njëjtën gjë edhe për Putinin.
Trump u pyet se cila palë, Rusia apo Ukraina, ka kartat më të mira.
Trump thotë se nuk dëshiron të thotë se cila dhe shtoi "kjo nuk është lufta ime", duke fajësuar përsëri ish-Presidentin e SHBA-së Joe Biden për mosndalimin e pushtimit të Rusisë në vitin 2023 dhe përsëriti se lufta duhet të mbarojë, duke thënë se dëshiron që ajo të mbarojë mirë për të gjithë.
Zelensky është pyetur nëse do të merrte në konsideratë lëshimin e territorit.
Udhëheqësi ukrainas ka thënë se "ne duhet ta ndalojmë luftën, të ndalojmë Rusinë".
Zelensky ka shtuar se ukrainasit janë të fortë dhe se mbështesin planet e Trump për t'i dhënë fund luftës në një "mënyrë diplomatike".
Ai thotë se dëshiron të zhvillojë një takim trepalësh me presidentin e SHBA-së dhe Vladimir Putin të Rusisë.
Një gazetar e pyet Trumpin nëse do të ketë pasoja të rënda nëse nuk ka armëpushim.
"Nuk mendoj se keni nevojë për një armëpushim," u përgjigj Trump.
Presidenti amerikan thotë "mund të jetë mirë nëse do ketë", por thotë se mund të mos jetë i nevojshëm për paqen.
Ai gjithashtu shton se, "strategjikisht", një vend ose tjetri mund të mos dëshirojë një armëpushim.
Trump e ka falenderuar Zelenskyn që ndodhet sot në SHBA dhe tha se “po bëhet përparim” për t'i dhënë fund luftës midis Rusisë dhe Ukrainës.
Ai thotë se pati një takim “shumë të mirë” me Putinin dhe ekziston “një mundësi e mirë që diçka të dalë prej tij”.
Zelensky e ka falenderuar Trumpin për ftesën e tij dhe për “përpjekjet e tij personale” për të ndaluar luftën.
Ai gjithashtu falenderio Zonjën e Parë të SHBA-së Melania Trump për shkrimin e një letre drejtuar Vladimir Putinit në lidhje me fëmijët ukrainas që Rusia ka rrëmbyer.
Ai i dha Trumpit një letër nga Olena Zelenska, zonja e parë e Ukrainës.
“Nuk është për ty, është për gruan tënde”, i thotë ai Trumpit.
