Presidenti amerikan, Donald Trump, ka tërhequr SHBA-në nga dhjetëra organizata ndërkombëtare, përfshirë shumë prej atyre që punojnë për të luftuar ndryshimet klimatike.
Ndër 66 organizatat, pothuajse gjysma janë organe të Kombeve të Bashkuara, përfshirë Konventën Kornizë të OKB-së për Ndryshimet Klimatike – një traktat që përbën bazën e të gjitha përpjekjeve ndërkombëtare për të luftuar ngrohjen globale.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se vendimi u mor sepse këto entitete “nuk u shërbejnë më interesave amerikane” dhe promovojnë “agjenda joefektive ose armiqësore”.
Trumpi tashmë u ka hequr financimet shumë organizatave shumëpalëshe që nuk i pëlqen, dhe më parë ka hedhur poshtë konsensusin shkencor mbi ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu, duke i quajtur ato një “mashtrim”.
Memorandumi u nënshkrua të mërkurën pas një rishikimi të iniciativave që Shtëpia e Bardhë tha se ishin “një shpërdorim i parave të taksapaguesve”.
“Këto tërheqje do t’i japin fund financimit dhe përfshirjes së taksapaguesve amerikanë në entitete që avancojnë agjenda globaliste mbi prioritetet e SHBA-së”, thuhet në deklaratë.
Sipas deklaratës, shumë nga këto organizata promovonin “politika radikale klimatike, qeverisje globale dhe programe ideologjike që bien ndesh me sovranitetin dhe forcën ekonomike të SHBA-së”.
Paneli Ndërqeveritar i OKB-së për Ndryshimet Klimatike (IPCC), një organ ekspertësh që vlerëson shkencën e klimës në mbarë botën, u përfshi gjithashtu në listë.
Organizata të tjera të OKB-së të prekura përfshijnë ato që punojnë për paqen dhe demokracinë, planifikimin familjar, shëndetin e nënës dhe fëmijës, si dhe dhunën seksuale në konflikt.
Ndërsa Kushtetuta e SHBA-së i lejon presidentët të bashkohen me traktate “me kusht që dy të tretat e senatorëve të pranishëm të bien dakord”, ajo nuk përcakton se çfarë ndodh në rast tërheqjeje, gjë që do të thotë se veprimi i Trumpi mund të përballet me sfida ligjore.
Një anëtar i një organizate jofitimprurëse amerikane për avokim, Union of Concerned Scientists, e përshkroi këtë hap si një “nivel të ri të ulët”.
E drejtoresha e lartë e politikave, Rachel Cleetus, i ka thënë agjencisë së lajmeve AFP se kjo ishte një tjetër shenjë se administrata, të cilën ajo e përshkroi si “autoritariste” dhe “kundër shkencës”, ishte e vendosur të sakrifikonte mirëqenien e njerëzve dhe të destabilizonte bashkëpunimin global.
Vitin e kaluar, Trumpi e ka tërhequr sërish SHBA-në nga Marrëveshja e Parisit për klimën që është përpjekja më e rëndësishme në botë për të përballuar rritjen e temperaturave, dhe ka refuzuar të dërgonte një delegacion në samitin klimatik COP30 në Brazil.