Përditësim, 19:45 - Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha të enjten se do të takohet sërish me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, në tentimin për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, raporton agjencia "AP". Një datë nuk është caktuar, por Trump shkoi në rrjete sociale se takimi do të mbahet në Budapest të Hungarisë.
“Besoj se është bërë përparim i madh me bisedën telefonike sot”, ka shkruar Trump në “Truth Social”, pasi bisedoi për më tepër se dy orë me Putinin.
Më herët Trump u takua me Putinin në gusht në Alaska, takim që nuk prodhoi një rezultat të madh.
“Ne jemi të gatshëm!” – ka shkruar në rrjete sociale kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban.
Orban tha se ka biseduar me Trumpin dhe se përgatitjet për takimin kanë nisur.
“Përgatitjet për samitin e paqes SHBA-Rusi kanë nisur. Hungaria është ishulli i paqes!” – ka shkruar Orban.
Përpara se Trumpi të takohet me Putinin, zyrtarët e SHBA-së të udhëhequr nga sekretari i Shtetit, Marco Rubio, do të ulen e të bisedojnë me përfaqësues të Rusisë. Nuk është treguar se ku do të mbahet takimi.
Telefonata mes Trumpit e Putinit erdhi para se presidenti amerikan ta presë të premten (sot) në Shtëpinë e Bardhë presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Zelensky i ka insistuar Trumpit që SHBA-ja t’i shesë Ukrainës raketa “Tomahawk”, me të cilat do të mund të godiste më në thellësi të territorit rus.
Zelensky ka thënë se sulme të tilla do të ndihmonin që Putini t’i merrte më seriozisht thirrjet e Trumpit për bisedime direkte mes Rusisë dhe Ukrainës për t’i dhënë fund luftës.
Këshilltari i Putinit për politikë të jashtme, Yuri Ushakov, tha se presidenti rus inicioi telefonatë, që e përshkroi “shumë të sinqertë ”. Ai tha se Putini ia theksoi Trumpit se nëse SHBA-ja i shet Ukrainës raketa “Tomahawk” me rreze të gjatë veprimi, do të “shkaktonte dëme të konsiderueshme në marrëdhëniet mes dy vendeve”.
Raketat “Tomahawk” kanë rreze veprimi deri 2.500 kilometra.
Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se telefonata mes Trumpit dhe Putinit zgjati mbi dy orë.
Ajo tha se ishte telefonatë e mirë dhe produktive.
E i dërguari special i Putinit, Kirill Dimitriev, në një postim në “X” ka thënë se “Mbretëria e Bashkuar dhe Bashkimi Evropian po përpiqen shumë fort për ta prishur perspektivën e paqes”.
“Por, dialogu, paqja dhe bashkëpunimi SHBA – Rusi do të mbizotërojnë”, ka shkruar ai.
Trumpi po zhvillon telefonatë me Putinin para takimit të së premtes me Zelenskyn
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump është duke biseduar me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, ndërsa po e shqyrton kërkesën e Ukrainës për raketa me rreze të gjata veprimi, raporton agjencia “AP”.
Trump në një postim në “Truth Social” të enjten ka thënë se po zhvillon një telefonatë të gjatë me Putinin dhe se do të jap përditësim në momentin kur ta mbarojë atë.
Telefonata vjen para takimit të Trumpit të premten në Shtëpinë e Bardhë me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Zelensky është duke i kërkuar Trumpit raketa “Tomahawk”, që do ta lejonin Ukrainën të godiste më thellë në territorin rus.
Zelensky ka thënë se goditjet e tilla do të ndihmojnë që Putini t’i marrë më seriozisht thirrjet e Trumpit për negociata direkte mes Rusisë dhe Ukrainës për t’i dhënë fund luftës.
Trump të dielën kishte thënë se planifikon të diskutojë edhe me Putinin për çështjen e raketave “Tomahawk”.
“A do të donin ‘Tomahawkat' të shkonin në atë drejtim? Nuk besoj. Mendoj se do të flasë me Rusinë për këtë”, tha Trump të dielën.