Botë

Trumpi po e transformon Shtëpinë e Bardhë sipas imazhit të tij

Donald Trump

Shenja e parë e kësaj ambicieje erdhi me një rimodelim të Zyrës Ovale, duke transformuar atë që kishte qenë një hapësirë relativisht e thjeshtë në një shfaqje luksoze me nuanca ari dhe mobilie të zbukuruara.

Presidentët vijnë e shkojnë, por Shtëpia e Bardhë qëndron si një simbol i vazhdueshëm i fuqisë dhe traditës amerikane.

Muajin e kaluar, ekipet shembën pjesë të ndërtesës ikonike që kanë qëndruar për më shumë se 120 vjet, ndërsa plani i Donald Trumpit për ta ndërtuar një sallë të re balloje nisi të zbatohet.

Imazhet dramatike të Krahut Lindor që po shndërrohet në rrënoja ishin shenja më e dukshme deri më tani se si Trumpi po kërkon ta rindërtojë Shtëpinë e Bardhë sipas imazhit të tij, pothuajse një vit pasi u rizgjodh president i SHBA-së.

Ndër ata që kanë shprehur shqetësim është udhëheqësi i Trustit Kombëtar për Ruajtjen Historike, një grup jofitimprurës që mbron vendet historike të SHBA-së, i cili u shkroi një letër zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë duke kërkuar që punimet e shembjes të ndalen derisa planet të kalojnë nëpër një proces shqyrtimi publik.

Carol Quillen tha se ishte “thellësisht e shqetësuar” se ndërtesa e re do të “mbingarkojë vetë Shtëpinë e Bardhë dhe gjithashtu mund të prishë përgjithmonë dizajnin klasik të ekuilibruar me kujdes të Shtëpisë së Bardhë me dy krahët e saj Lindor dhe Perëndimor".

Por, vetëm disa ditë pasi Quillen ia dërgoi letrën, Krahu Lindor ishte zhdukur.

Objektet historike që ndodheshin në ndërtesë janë “ruajtur” nga Shoqata Historike e Shtëpisë së Bardhë, një organizatë e pavarur që ruan historinë e rezidencës presidenciale.

Grupi tha se kreu gjithashtu një “projekt gjithëpërfshirës skanimi digjital dhe fotografimi për të krijuar një incizim historik" para prishjes.

Por, fotografitë që u shfaqën, ku shiheshin makineritë e rënda që rrëzuan ndërtesën, e cila ishte ndërtuar në vitin 1902, bënë që shumë amerikanë të reagonin me habi, tronditje dhe madje edhe zemërim - veçanërisht pasi vetë Trumpi kishte thënë se puna nuk do të dëmtonte strukturën ekzistuese.

“Ndërtimi i sallës së vallëzimit nuk do të ndërhyjë në ndërtesën aktuale - do të jetë pranë saj, por pa e prekur atë, dhe i kushton respekt të plotë ndërtesës ekzistuese, për të cilën unë jam fansi më i madh”, kishte thënë Trumpi duke njoftuar planet për sallën e ballos në korrik.

Megjithatë, pasi filloi prishja, Trumpi tha se Krahu Lindor duhej të shembej tërësisht “për ta bërë siç duhet”, duke thënë se vendimi u mor pas “studimeve të jashtëzakonshme me disa nga arkitektët më të mirë në botë".

Trumpi thotë se salla e vallëzimit është diçka që çdo president e ka ëndërruar për më shumë se 150 vjet dhe do të jetë “salla e vallëzimit më e bukur kudo në botë”.

Administrata thotë se salla do të eliminojë nevojën për instalimin e një “tende të madhe dhe të shëmtuar” për ngjarje të mëdha si darkat shtetërore. Një ish-kuzhinier i Shtëpisë së Bardhë vuri në dukje se ofrimi i ushqimit për ngjarje në natyrë mund të jetë shumë i vështirë për stafin.

Trumpi ka vlerësuar se projekti do të kushtojë rreth 300 milionë dollarë dhe pret që të përfundojë para përfundimit të mandatit të tij. Ai po financohet, sipas Trumpit, nga vetë presidenti dhe donatorë, përfshirë dhjetëra kompani, të tilla si Amazon, Google dhe Meta, dhe disa investitorë miliarderë.

Modeli i financimit ka ngjallur shqetësim midis disa ekspertëve ligjorë, të cilët thonë se mund të përbëjë pagesë për qasje në administratë. Por, ky mosmiratim duket se nuk ka gjasa ta ngadalësojë dëshirën e presidentit për të vënë vulën e tij në Shtëpinë e Bardhë.

“Një vend i vërtetë plehrash”

Marrëdhënia e Trumpit me adresën 1600 Pennsylvania Avenue ka qenë prej kohësh e ndërlikuar. Gjatë mandatit të tij të parë, ai thuhet se e përshkroi atë si “një vend të vërtetë plehrash” dhe shpesh vizitonte Mar-a-Lago, rezidencën luksoze dhe klubin e anëtarëve që zotëron në Palm Beach në Florida.
Megjithatë, në mandatin e tij të dytë, ai duket i vendosur ta përqafojë rezidencën historike dhe ta riformësojë atë sipas imazhit të tij.

Shenja e parë e kësaj ambicieje erdhi me një rimodelim të Zyrës Ovale, duke transformuar atë që kishte qenë një hapësirë relativisht e thjeshtë në një shfaqje luksoze me nuanca ari dhe mobilie të zbukuruara.

Kontrasti me dekorin e preferuar nga paraardhësit e tij të fundit, dhe madje edhe gjatë mandatit të tij të parë, është i habitshëm.

Trumpi tha se dekorimet ishin “ari 24-karatësh i cilësisë më të lartë” dhe u mburr në platformën e tij të mediave sociale Truth Social duke thënë se “Udhëheqësit e huaj, dhe të gjithë të tjerët, 'çmenden' kur shohin cilësinë dhe bukurinë. Zyra Ovale më e mirë ndonjëherë, për sa i përket suksesit dhe pamjes!!!”.
Megjithatë, jo të gjithë janë të impresionuar. Tommy Landen Huerter, një disenjator me seli në New York City, postimet e të cilit mbi ndryshimet janë bërë virale në mediat sociale, beson se ish-zhvilluesi i pronave po “imponon” standardet e dizajnit të shumë prej hoteleve të tij në Shtëpinë e Bardhë.

“I gjithë prarimi dhe zbukurimi janë shumë barok. Është thjesht i stampuar në një vend që në të vërtetë nuk i përket”, tha Huerter për BBC-në, duke shtuar se këto karakteristika ishin lënë qëllimisht jashtë dizajnit origjinal të Shtëpisë së Bardhë për të theksuar se SHBA-ja nuk ishte monarki.

Motivet e arit vazhdojnë edhe në Krahun Perëndimor. Dhoma e kabinetit ka pasur dekorime të ngjashme prej ari të varura në mure, ndërsa Trumpi kohët e fundit zbuloi një “Shëtitore të Famës Presidenciale” të re, me portrete të ish-presidentëve amerikanë të vendosura në korniza nga ari.
Portretet rreshtohen përgjatë pjesës perëndimore, shtegut kryesor midis Krahut Perëndimor dhe rezidencës së Shtëpisë së Bardhë, dhe tregojnë çdo president në rend kronologjik - përveç Joe Bidenit.

Në vend të një portreti që nderon rivalin e Trumpit, korniza ka një fotografi të një “autopeni” - një pajisje mekanike që kopjon nënshkrimet, me emrin e Bidenit. Trumpi e ka akuzuar më parë Bidenin se ka nënshkruar dokumente të rëndësishme me një “autopen” gjatë presidencës së tij, sepse nuk ishte i aftë t'i nënshkruante vetë, pavarësisht se nuk paraqiti prova për këtë pretendim.

Ana Perëndimore shihet mbi Kopshtin e Trëndafilave, i cili gjithashtu ka parë disa ndryshime dramatike në muajt e fundit. Fillimisht hapësira është njohur si Kopshti i Trëndafilave për më shumë se 100 vjet dhe ishte ridizajnuar për të mbajtur manifestime nën presidentin John F. Kennedy. Konferencat për shtyp janë mbajtur rregullisht në kopsht për dekada të tëra, me një podium presidencial dhe karrige të rreshtuara në bar - por Trumpi nuk ishte fans i tyre, duke pretenduar se “të gjithë do të zhyteshin në baltë”. Kështu që gjatë verës, kopshti u gërmua dhe u zëvendësua nga një verandë me “gur të bardhë të bukur”.

Flamuri i shquar amerikan valëvitet mbi Kopshtin e Trëndafilave me pamje të re - një nga dy shtyllat e reja të flamurit të instaluara në qershor me 30.5 m lartësi dhe u paguan nga presidenti.

Shumë hulumtues të internetit kanë theksuar se kopshti i ri i shtruar i ngjan verandës së pishinës në Mar-a-Lago - dhe kjo është me qëllim dhe jo rastësi.

Çadrat e diellit të verdha dhe të bardha janë prodhuar nga i njëjti prodhues si ato në klubin e plazhit të Trumpit në Florida dhe Shtëpia e Bardhë tani e ka quajtur hapësirën si Klubi i Kopshtit të Trëndafilave.

I pyetur nëse ishte i kënaqur me rinovimin, Trumpi tha se kishte marrë “vlerësime të shkëlqyera”, pa specifikuar nga kush.

Por, a ka Trumpi në mendje më shumë rinovime të Shtëpisë së Bardhë? 

“Me sa di unë, jo”, ka thënë sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt për BBC-në.

“Por ai është ndërtues në zemër. Dhe kështu zemra dhe mendja e tij janë gjithmonë duke menduar se si t’i përmirësojnë gjërat”, ka shtuar ajo.

“Harku i Trumpit”

Ndërsa ridizajnimi i Shtëpisë së Bardhë mund të përfundojë pasi të përfundojë salla e vallëzimit, Trumpi ka sinjalizuar qëllimin e tij për të vazhduar ndërtimin e trashëgimisë së tij diku tjetër rreth Washingtonit.

Muajin e kaluar ai zbuloi planet për të ndërtuar një hark triumfi përtej lumit Potomac nga Memoriali i Lincolnit, në qendër të kryeqytetit të SHBA-së, për të përkujtuar 250-vjetorin e pavarësisë së vendit vitin e ardhshëm.

Duke folur në një darkë me donatorët e projektit të sallës së vallëzimit, Trumpi ka thënë se kishte tri versione të harkut në shqyrtim - i vogël, i mesëm dhe i madh, porse atij i pëlqente më shumë më i madhi.

Shtëpia e Bardhë nuk ka publikuar asnjë detaj se kur mund të fillojë ndërtimi ose sa mund të kushtojë projekti, por Trumpi thotë se do të financohet nga donatorë privatë.

Është gjithashtu e paqartë nëse do të jetë gati për festimet e përvjetorit të vitit 2026. Megjithatë, ajo që është e qartë është se ndërsa shumica e presidentëve amerikanë janë përpjekur të ndërtojnë një trashëgimi derisa janë në detyrë, Trumpi po e bën këtë në kuptimin më të mirëfilltë.