Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Kina ka shkelur marrëveshjen tregtare të arritur mes dy vendeve, e cila kishte reduktuar tarifat dypalëshe në 10% për mallrat amerikane dhe 30% për mallrat kineze.
“Para dy javësh, Kina ishte në një krizë të rëndë ekonomike! Tarifat shumë të larta që vendosa e bënë pothuajse të pamundur për Kinën të tregtojë në tregun amerikan, i cili është bindshëm tregu numër një në botë”, shkroi Trump në rrjetin e tij TruthSocial.
Ai theksoi se ndërprerja e tregtisë ishte “shkatërruese” për Kinën.
“Shumë fabrika u mbyllën dhe kishte, për ta thënë butë, ‘pakënaqësi civile’. E pashë se çfarë po ndodhte dhe nuk më pëlqeu — për hir të tyre, jo për ne. Bëra shpejt një marrëveshje me Kinën për t’i shpëtuar nga një situatë që mendova se do të bëhej shumë e keqe. Nuk doja të shihja që kjo të ndodhte. Falë asaj marrëveshjeje, gjithçka u stabilizua shpejt dhe Kina iu kthye biznesit normal”, ka shkruar tutje ai.
Trump e quajti këtë “lajm të mirë” që, sipas tij, i gëzoi të gjithë. Por në pjesën tjetër të deklaratës, ai bëri të ditur se marrëveshja ka dështuar.
“Lajmi i keq është se Kina, ndoshta jo për çudi për disa, e ka shkelur plotësisht marrëveshjen me ne. Nuk do të jem më aq i butë me ta”, shtoi Trump.
Pas disa raundeve të rritjes së tarifave, SHBA-ja dhe Kina ishin pajtuar për uljen e tyre në 30% për mallrat kineze dhe 10% për mallrat amerikane.