Botë

Trumpi paralajmëron Khamenein që “të jetë i shqetësuar”

trump khamenei

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar se udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Ajatollah Khamenei, duhet të jetë “shumë i shqetësuar”, ndërsa të dyja palët përgatiten për negociatat e para zyrtare që kur SHBA-ja bombardoi programin bërthamor të Teheranit vitin e kaluar.

Tensionet mes dy vendeve janë përshkallëzuar ndjeshëm javët e fundit pas goditjes vdekjeprurëse nga forcat iraniane të sigurisë kundër protestuesve mbarëkombëtarë antiqeveritarë, gjë që e shtyu Trumpin të dërgonte flotën ushtarake amerikane në rajon dhe të kërcënonte me sulme.

Ushtria iraniane ka paralajmëruar se çdo sulm do të përballej me një përgjigje të menjëhershme dhe vendimtare, përfshirë goditje ndaj forcave dhe aseteve amerikane në rajon.

“Do të thosha se ai (udhëheqësi suprem Ajatollah Ali Khamenei) duhet të jetë shumë i shqetësuar. Po, duhet të jetë,” i ka thënë Trumpi NBC Neës në një intervistë të mërkurën.

Trumpi, i cili fillimisht kërcënoi me sulme ndaj Iranit gjatë shtypjes së protestave në rrugë muajin e kaluar, tha se veprimet e tij kanë mbështetur demonstruesit.

Bisedimet SHBA-Iran janë planifikuar të mbahen të premten në kryeqytetin e Omanit, Muskat, dhe do të përfshijnë ministrin e Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, dhe të dërguarin special të Trumpit, Steve Witkoff, sipas agjencisë shtetërore iraniane të lajmeve Tasnim.

Por të dyja palët duket se kanë agjenda të ndryshme.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka konfirmuar se administrata Trump dëshiron që negociatat të përqendrohen jo vetëm te programi bërthamor i Iranit, por edhe te “gama e raketave të tyre balistike”, “mbështetja e tyre për organizata terroriste në të gjithë rajonin” dhe “trajtim i popullit të tyre”.

E duke cituar ministrinë e Jashtme të Iranit, Tasnim ka raportuar se negociatat do të kufizohen te programi bërthamor i Iranit dhe heqja e sanksioneve, si “kërkesa kryesore” e vendit.

Irani dhe SHBA-ja kanë zhvilluar disa raunde bisedimesh indirekte për çështjen bërthamore në prill dhe maj të vitit 2025, përpara se një sulm i papritur izraelit në mesin e qershorit ndaj Iranit të çonte në anulimin e bisedimeve të mëtejshme. Pak ditë më pas pasoi sulmi amerikan ndaj Iranit, i cili praktikisht e përfundoi procesin.