Botë

Trumpi padit Wall Street Journal dhe Rupert Murdoch për raportin mbi Epsteinin

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan Donald Trump ka paditur shefin e Fox News, Rupert Murdoch dhe dy gazetarë të gazetës Wall Street Journal për shpifje dhe fyerje, pas pretendimeve se ai i kishte dërguar abuzuesit seksual Jeffrey Epstein një letër me përmbajtje të pahijshme dhe një skicë të një gruaje të zhveshur.

Padia u ngrit të premten në Gjykatën Federale në distriktin jugor të Floridas, në Miami.

Trump kërkon së paku 10 miliardë dollarë dëmshpërblim.

Shkak për këtë veprim ligjor ishte një artikull i Wall Street Journal, ku thuhej se Trumpi i kishte dërguar Epsteinit një urim për ditëlindjen e 50-të në vitin 2003, që përmbante një vizatim me nënkuptime seksuale dhe një referencë për “sekretet” që kishin ndarë.

Ky urim dyshohet të ketë qenë pjesë e një albumi ditëlindjeje të përpiluar nga Ghislaine Maxwell, e cila aktualisht po vuan dënim prej 20 vjetësh në Florida, pasi u shpall fajtore për trafikim seksual dhe akuza të tjera në vitin 2021.

Trump e ka mohuar këtë raportim, duke e quajtur atë të rremë dhe të trilluar. Ai tha në rrjetin e tij Truth Social se e kishte paralajmëruar Murdochin për padinë që planifikonte ta ngrinte.

Jeffrey Epstein ishte një financier dhe manjat amerikan, i cili u bë i njohur në publik jo për sukseset financiare, por për skandalin e madh të trafikimit seksual të të miturve, që përfshiu edhe figura të fuqishme politike, biznesi e shoubizi.

Epstein fillimisht u arrestua në vitin 2008 dhe u dënua me 13 vjet burgim për abuzim seksual ndaj të miturave – që u konsiderua si dështim i drejtësisë amerikane. Në vitin 2019 u arrestua për herë të dytë, kësaj radhe për trafikim seksual të të miturave në shkallë të gjerë.  Më 10 gusht të 2019-s, ai u gjet i vdekur në qelinë e tij. Ngjarja u shënua zyrtarisht si vetëvrasje, megjithatë edhe sot ekzistojnë teori të ndryshme për vdekjen e tij, veçanërisht pasi ishte dëshmitar kyç që implikonte figura të fuqishme.