Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paditur të hënën transmetuesin britanik BBC, duke kërkuar dëmshpërblim prej 10 miliardë dollarësh nën akuzat për shpifje si dhe praktika tregtare mashtruese dhe të padrejta, raporton agjencia “AP”.
Padia prej 33 faqesh akuzon BBC-në se ka transmetuar një “përmbajtje të rreme, shpifëse mashtruese, përçmuese, nxitëse dhe dashakeqe për presidentin Trump”, ndërsa e ka quajtur “përpjekje të paturpshme për të ndërhyrë dhe ndikuar” në zgjedhjet presidenciale të SHBA-së të vitit 2024.
BBC akuzohet për bashkimin e dy pjesëve të ndara të fjalimit të Trumpit të 6 janarit të vitit 2021 gjatë trazirave në Kongres. Padia thotë se qëllimi ishte “për të keqinterpretuar qëllimisht kuptimin e asaj që tha presidenti Trump”.
BBC-ja nuk ka lëshuar ende ndonjë reagim lidhur me padinë.
Transmetuesi britanik i kishte kërkuar Trumpit falje muajin e kaluar për ndërhyrje në fjalimin e 6 janarit. Por, transmetuesi publik hodhi poshtë pretendimet për shpifje.
Kreu i BBC-së, Samir Shah, e kishte quajtur atë një “gabim vlerësimi”. Shkaku i atij gabimi në emisionin Panorama, pasuan dorëheqjet e kryeredaktorit dhe po ashtu drejtorit të lajmeve.
Trump kishte mbajtur fjalimin para se disa nga mbështetësit e tij ta sulmonin Capitolin në SHBA, ndërsa Kongresi ishte gati ta certifikonte fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet e vitit 2020. Trump kishte pretenduar se fitorja i ishte vjedhur.
BBC kishte transmetuar dokumentarin njëorësh me titullin “Trump: Një shans i dytë?”, disa ditë para zgjedhjeve presidenciale të SHBA-së të vitit 2024.
Në atë dokumentuar ishin bashkuar tri citate nga dy pjesë të ndryshme të fjalimit të vitit 2021, fjalim që kishte zgjatur afro një orë.
Në dokumentar ishte krijuar një citat në të cilën jepej përshtypje se Trump po u bën thirrje mbështetësve të marshonin dhe të “luftonin”.
Midis dy pjesëve të prera të fjalimit ishte një pjesë që Trump u tha protestuesve se do që të protestojnë në mënyrë paqësore.
Trump kishte thënë më herët të hënën se po padiste BBC-në për shpifje.
“Ata në fakt më vunë fjalë të tmerrshme në gojë që kishin të bënin më 6 janarin, fjalë që unë nuk i thash dhe janë fjalë të bukura në atë fjalim të cilat i thash apo jo? Janë fjalë të bukura, që flasi për patriotizmin dhe të gjitha gjërat e mira që unë thash. Ata nuk e thanë këtë, por vuan fjalë të tmerrshme në gojën time”, tha Trump.
Padia është ngritur në Florida. BBC-ja më herët kishte njoftuar se ka fshirë dokumentarin nga të gjitha platformat.
BBC-ja zotohet të mbrohet nga padia e Trumpit
Mediumi britanik BBC është zotuar se do të mbrohet nga padia prej 10 miliardë dollarësh të ngritur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kundër tij, për një modifikim të fjalimit të presidentit, të 6 janarit 2021 në një dokumentar të Panorama.
Trumpi ka akuzuar transmetuesin për shpifje dhe për shkelje të një ligji për praktikat tregtare, sipas dokumenteve gjyqësore të paraqitura në Florida.
BBC-ja i ka kërkuar falje Trumpit muajin e kaluar, por ka hedhur poshtë kërkesat e tij për kompensim dhe nuk është pajtuar se ka "bazë për një pretendim për shpifje".
Ekipi ligjor i Trumpit ka akuzuar BBC-në se kishte shpifur ndaj presidentit, duke ndryshuar qëllimisht dhe me qëllim të keq fjalimin e tij.
Një zëdhënës i BBC-së, ka deklaruar se ashtu siç e kishin bërë të qartë më parë, do ta mbronin këtë çështje.
“Nuk do të bëjmë komente të mëtejshme mbi procedurat ligjore në vazhdim”, ka deklaruar ai.
Trumpi ka thënë muajin e kaluar se planifikonte të padiste BBC-në për dokumentarin, i cili u transmetua në Mbretërinë e Bashkuar përpara zgjedhjeve të vitit 2024 në SHBA.
Në fjalimin e tij më 6 janar 2021, përpara një trazire në Kapitolin e SHBA-së, Trumpi i ka thënë një turme: "Do të ecim drejt Kapitolit dhe do të brohorasim për senatorët, kongresmenët dhe kongresmenet tona të guximshme".
Më shumë se 50 minuta më vonë në fjalim, ai kishte thënë: "Dhe ne luftojmë. Ne luftojmë si ferr”.
Në programin Panorama, një klip e shfaqte atë duke thënë: "Do të ecim deri në Kapitol... dhe unë do të jem atje me ju. Dhe ne luftojmë. Ne luftojmë si ferri”.
BBC-ja e ka pranuar se redaktimi kishte dhënë "përshtypjen e gabuar" se ai kishte "bërë një thirrje të drejtpërdrejtë për veprime të dhunshme", por nuk u pajtua se kishte bazë për një pretendim për shpifje.