Botë

Trumpi nxit kritika me deklaratën se trupat e NATO-s shmangën vijat e frontit në Afganistan

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkaktuar kritika të mëdha mes deputetëve britanikë dhe veteranëve, pasi pretendoi se trupat e NATO-s kishin qëndruar larg vijës së frontit në Afganistan.

Në një intervistë për Fox News, ai përsëriti sugjerimin e tij se NATO nuk do ta mbështeste SHBA-në nëse do t’i kërkohej.

Deklaratat e tij u dënuan gjerësisht në të gjithë spektrin politik, me kritikë që përmendën 457 ushtarët britanikë të vrarë në Afganistan dhe derisa rikthyen në vëmendje pretendimin se Trumpi shmangu shërbimin ushtarak në Vietnam qëllimisht.

Në total, 3,486 trupa të NATO-s humbën jetën gjatë konfliktit 20-vjeçar, prej të cilëve 2,461 ishin personel ushtarak amerikan. Kanadaja pësoi 165 viktima, përfshirë edhe civilë.

Danimarka, e cila ka qenë në përplasje me SHBA-në për shkak të ambicieve të Trumpit ndaj Grenlandës, pati 44 të rënë në luftime në Afganistan.

Trumpi në intervistë ka thënë se: “Asnjëherë nuk kemi pasur nevojë për ta. Ata do të thonë se kanë dërguar disa trupa në Afganistan... dhe e bënë, ata qëndruan pak më mbrapa, pak larg vijave të frontit”. 

Calvin Bailey, deputet i partisë Laburiste dhe ish-oficer në Forcën Ajrore Mbretërore i cili shërbeu bashkë me njësitë speciale amerikane në Afganistan, ka thënë se pretendimet e Trumpit “nuk ngjasojnë me realitetin e përjetuar nga ne që shërbyem atje”. 

Deputeti i Partisë Konservatore , Ben Obese-Jecty, i cili shërbeu në Afganistan si kapiten i Regjimentit Mbretëror Yorkshire, ka thënë se është “e dhimbshme të shohësh sakrificën e kombit tonë, dhe të partnerëve të NATO-s, të vlerësohet kaq poshtë nga presidenti i SHBA-së”. 

Kryetari i Komisionit të Mbrojtjes të parlamentit, Tan Dhesi, ka thënë se komentet e presidentit amerikan janë “fyerje për ushtarakët britanikë që rrezikuan jetën dhe gjymtyrët për të ndihmuar aleatët tanë, shumë prej të cilëve bënë sakrificën supreme”. 

Kryesuesja e Komisionit për Punë të Jashtme, Emily Thornberry, i quajti komentet ofendim për familjet e atyre që vdiqën në luftë. 

Trumpi është kritikuar më parë për shmangie të rekrutimit për të luftuar në Vietnam, pasi u diagnostikua me deformime kockore në thembra - një pretendim mjekësor që është vënë në dyshim. 

Udhëheqësi i Demokratëve Liberalë, Ed Davey, shkroi në X: “Trump i shmangu shërbimit ushtarak 5 herë. Si guxon ai të vërë në dyshim sakrificën e tyre.”

Gazetari dhe ish-ushtari Stephen Stewart ka thënë se komentet e Trumpit janë sa fyese aq edhe të pavërteta. 

“Është tepër ironike që dikush që dyshohet se i është shmangur rekrutimit ushtarak për Vietnam, të bëjë një deklaratë kaq të turpshme”, ka thënë Stewart.