Presidenti amerikan, Donald Trump ka miratuar planet për të sulmuar Iranin, por nuk ka marrë një vendim përfundimtar nëse do ta godasë vendin, raporton CBS.
Trumpi është përmbajtur nga nisja e sulmeve në rast se Irani pranon të braktisë programin e tij bërthamor, ka thënë një burim i lartë i inteligjencës për CBS.
Trumpi thuhet se po shqyrton një sulm amerikan ndaj Fordo-s, një strukturë nëntokësore e pasurimit të uraniumit në Iran.
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, të mërkurën ka hedhur poshtë kërkesën e Trumpit për dorëzim pa kushte, pasi presidenti amerikan deklaroi se durimi i tij kishte sosur.
"Mund ta bëj, mund të mos e bëj", është shprehur Trumpi të mërkurën kur është pyetur në lidhje me përfshirjen e SHBA-së në Iran.
Mirëpo Khamei e ka qortuar Trumpin në fjalimin e regjistruar të së mërkurës, duke thënë se "çdo ndërhyrje ushtarake amerikane" do të ishte e kushtueshme dhe ka shtuar se "Kombi iranian nuk do të dorëzohet".
Trumpi ndërkaq e ka shpërfillur refuzimin, duke thënë "fat të mbarë", por përsëri nuk ka pranuar të zbulonte planet e tij.
"Dua të them, askush nuk e di se çfarë do të bëj", ka shtuar ai.
Lajmi se Trump mbështet planet e sulmit u raportua për herë të parë nga Ëall Street Journal.
Lideri i Hezbollahut thotë se grupi “do të veprojë siç e sheh të përshtatshme” në konfliktin Iran–Izrael
Sekretari i përgjithshëm i grupit militant libanez Hezbollah, Sheikh Naim Qassem, ka thënë se grupi “do të veprojë siç e sheh të përshtatshme” në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, raporton “BBC”.
Në një deklaratë të postuar në rrjetin “Telegram”, Qassem tha se Hezbollahu “nuk është neutral” në këtë konflikt, duke e përshkruar si “agresion brutal izraelito-amerikan”.
Përgjigja erdhi pasi emisari i SHBA-së për Siri, Tom Barrack, paralajmëroi Hezbollahun të mos përfshihet.
“Unë mund të them në emër të presidentit Donald Trump, i cili e ka shpreh shumë qartë...se do të ishte vendim shumë, shumë, shumë i keq”, tha Barrack.
Hezbollahu është përfshirë në disa konflikte të dhunshme me Izraelin.
Grupi ka mbështetje të fuqishme nga Irani dhe kundërshton të drejtën e Izraelit për të ekzistuar.
Konsiderohet si grup terrorist nga Izraeli dhe nga shumë vende – përfshirë Britania e Madhe dhe SHBA-ja.
Netanyahu s’e përjashton shënjestrimin e Khameneit: Askush në Iran s’duhet të ketë imunitet
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk e ka përjashtuar mundësinë që ta shënjestroi liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, raporton “CNN”.
I pyetur të enjten nga transmetuesi publik izraelit “Kan” për ta komentuar një deklaratë të bërë nga ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, që tha se Khamenei “s’mund të vazhdojë të ekzistojë më”, Netanyahu tha: “Unë udhëzova që askush në Iran s'duhet të ketë imunitet”.
“Përtej kësaj, nuk mendoj se është e përshtatshme ose e nevojshme që unë të shtoj diçka. Unë besoj se veprimet duhet të flasin shumë më fortë se fjalët”, tha Netanyahu.
Trumpi i jep afat Iranit dy javë
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, e ka kërcënuar përsëri liderin suprem iranian, Ayatollah Ali Khamenei, pasi raketat e Iranit goditën një spital në pjesën jugore të Izraelit, si dhe goditën disa ndërtesa banimi në Tel-Aviv, duke plagosur të paktën 240 persona. Teksa ekipet e shpëtimit nxirrnin pacientët me karrocë nga spitali që po digjej, avionët ushtarakë të Izraelit lëshuan sulmet më të fundit mbi programin bërthamor të Republikës Islamike.
Katzi e ka fajësuar Khamenein për ngjarjet e së enjtes. Ai ka thënë se ushtria izraelite “është udhëzuar dhe e di se në mënyrë që t’i përmbushë të gjitha objektivat, ky njeri absolutisht duhet të pushojë së ekzistuari”.
Shtëpia e Bardhë ka njoftuar në mbrëmje se presidenti amerikan, Donald Trump, do të vendosë brenda dy javësh nëse Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta sulmojnë Republikën Islamike të Iranit. Trumpi ka thënë se dëshiron që t’u japë hapësirë përpjekjeve diplomatike, para se të mbërrijë koha për të vendosur përfundimisht rreth ndërhyrjes ushtarake.
“Bazuar në faktin se ka shans të konsiderueshëm për negociata që mund të zhvillohen ose jo me Iranin në të ardhmen e afërt, do të vendos nëse do të hyjmë apo jo, brenda dy javëve të ardhshme”, ka thënë presidenti Trump, sipas komunikatës që u lexua nga sekretarja për media, Karoline Leavitt, nga Shtëpia e Bardhë.
Leavitt po ashtu ka thënë se një marrëveshje me Iranin duhet të përfshijë “mospasurimin me uranium”. Ajo ka përsëritur qëndrimet amerikane se Irani nuk duhet të ketë armë bërthamore.
E kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka shprehur besimin se Trumpi do ta “bëjë atë që është më e mira për Amerikën”.
“Mund t’ju them se ata po na ndihmojnë shumë”, ka deklaruar Netanyahu nga rrënojat e Qendrës Mjekësore Soroka në qytetin jugor izraelit të Beershebas.
Zyrtarët amerikanë konfirmuan më herët gjatë javës se Trumpi e kishte penguar planin e Izraelit për ta vrarë Khamenein. Presidenti amerikan ka thënë se s’kishte ende plane për ta vrarë liderin suprem, “të paktën tani për tani”.
Shtetet e Bashkuara janë duke i peshuar përfitimet dhe kostot nga përfshirja në sulmet izraelite karshi bazës nukleare Fordow, e cila është e fshehur poshtë një mali dhe konsiderohet gjerësisht se është jashtë radarit të të gjithëve, përveç të bombarduesve amerikanë.
Konflikti ka filluar të premten e kaluar, me një valë befasuese sulmesh ajrore të Izraelit ndaj bazave bërthamore e ushtarake, komandantëve të lartë ushtarakë dhe shkencëtarëve bërthamorë të Iranit. Të paktën 639 persona kanë humbur jetën, përfshirë 263 civilë, në Iran dhe më shumë se 1,300 janë plagosur, bazuar në të dhënat e një organizate iraniane për të drejtat e njeriut me seli në Washington. Irani është kundërpërgjigjur duke lëshuar qindra raketa dhe dronë e duke lënë të vdekur të paktën 24 persona në Izrael e duke plagosur me qindra të tjerë.
Më shumë se 200 të plagosur, përfshirë dhjetëra nga sulmi në spital
Të paktën 240 persona u lënduan nga vala e fundit e sulmeve të Iranit në Izrael. Në mesin e tyre rreth 80 persona u plagosën nga sulmi mbi Qendrën Mjekësore Soroka. Shumica dërrmuese kishin lëndime të lehta. Pjesa më e madhe e ndërtesës së spitalit ishte evakuuar ditëve të fundit.
Komanda e Brendshme e Izraelit ka njoftuar se një nga raketat balistike iraniane të lëshuara të enjten në mëngjes ishte e mbushur me municione thërrmuese. Në vend të një koke luftarake konvencionale, raketa mbart dhjetëra nën-municione që mund të shpërthejnë në momentin e përplasjes, duke hedhur bomba të vogla rreth një zone të madhe gjeografike dhe duke paraqitur rreziqe të mëdha për sigurinë në tokë.
Në Ushtrinë izraelite nuk kanë thënë se nga ku ishte lëshuar raketa me kokën luftarake të municioneve thërrmuese.
Garda Revolucionare e Iranit ka këmbëngulur se nuk kishte kërkuar të godiste spitalin dhe po ashtu ka pretenduar se sulmi goditi një kompleks të inteligjencës ushtarake izraelite pranë parkut të teknologjive të avancuara, Gav-Yam Negev, rreth tre kilometra larg spitalit. Një njësi elitare teknologjike e ushtrisë izraelite ka një degë të sajën pranë kësaj zone sipas faqes së internetit të parkut teknologjik.
Ushtria izraelite nuk iu përgjigj kërkesës për koment të agjencisë së lajmeve “Associated Press”. Një zyrtar ushtarak izraelit, i cili ka folur në kushte anonimiteti, ka theksuar se nuk ka pasur informacione specifike që Irani kishte planifikuar ta godiste spitalin.
Shumë spitale në Izrael, përfshirë Sorokan, kanë aktivizuar planet e emergjencës që nga java e kaluar. Ato i shndërruan garazhet nëntokësore të parkimit në reparte dhe zhvendosën pacientët në to, veçanërisht ata me ventilatorë ose ata me vështirësi për të lëvizur.
Izraeli ka gjithashtu një qendër transfuzioni të fortifikuar nëntokësore që u funksionalizua pas sulmit të Hamasit në Izrael më 7 tetor të vitit 2023, i cili ndezi luftën në Rripin e Gazës.
Sulmi shkaktoi dëmet më të mëdha në një ndërtesë të vjetër kirurgjie dhe preku infrastrukturën kyç, duke përfshirë sistemet e gazit, ujit dhe ajrit të kondicionuar.
Në spitalin, i cili ofron shërbime për rreth 1 milion banorë të jugut të Izraelit, po trajtoheshin 700 pacientë në kohën e sulmit. Nga 80 të plagosurit lehtë në sulm gjysma ishin anëtarë të stafit të spitalit.
Më pastaj spitali u mbyll për të gjithë pacientët, përveç rasteve që ishin në rrezik për jetë.
Irani ka lëshuar qindra raketa dhe dronë në drejtim të Izraelit, megjithëse shumica janë rrëzuar nga sistemi i mbrojtjes ajrore të Izraelit.
Irani refuzon të dorëzohet ose t’i japë fund programit bërthamor
Zyrtarët iranianë kanë pretenduar prej kohësh se programi bërthamor është krejtësisht për qëllime paqësore dhe civile. Sido që të jetë, përveç zotërimit të një impianti të energjisë bërthamore, Republika Islamike gjithashtu pasuron uraniumin deri në 60 për qind, një hap afër prodhimit të armëve bërthamore që kërkon nivele deri në 90 për qind. Irani është shteti i vetëm jobërthamor që e pasuron uraniumin në këto nivele.
Besohet gjerësisht se Izraeli posedon armë bërthamore – duke e bërë atë vendin e vetëm në Lindjen e Mesme që ka armë të këtilla – porse i mohon këto pretendime.
Të mërkurën lideri suprem iranian i pati refuzuar thirrjet e Shteteve të Bashkuara për t’u dorëzuar dhe paralajmëroi se çdo ndërhyrje ushtarake nga amerikanët do të shkaktonte “dëme të pariparueshme për ta”.
Deri më tani fushata ushtarake e Izraelit ka goditur impiantin bërthamor në Natanz, fabrikat e prodhimit të centrifugave përreth Teheranit, dhe një bazë bërthamore në Isfahan. Sulmet kanë lënë të vdekur po ashtu disa udhëheqës të lartë ushtarakë dhe shkencëtarë bërthamorë.
Ministri i Punëve të Jashtme i Iranit, Abbas Aragchi, ka thënë se do të udhëtojë në Gjenevë për t’u takuar me homologët e tij nga Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania, si dhe me diplomatë të lartë nga Bashkimi Evropian, duke shfaqur indikacione se një nismë e re diplomatike është në proces e sipër.
Trumpi ka thënë se ai dëshiron “diçka shumë më të madhe” sesa një marrëveshje e armëpushimit dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë që SHBA-ja t’i bashkohet fushatës ushtarake të Izraelit.
Irani pranon ta ridizajnojë reaktorin e Arakut
Në Ushtrinë izraelite kanë njoftuar të enjten se avionët luftarakë kishin shënjestruar reaktorin e ujit në Arak, rreth 250 kilometra në jugperëndim të Teheranit, për të parandaluar që ai të përdoret për prodhimin e plutoniumit.
Televizioni shtetëror iranian ka bërë të ditur se nuk ka “asnjë rrezik rrezatimi” rreth zonës së Arakut, e cila, sipas raportimeve, ishte evakuuar përpara sulmit.
Uji i rëndë në këtë zonë ndihmon në ftohjen e reaktorëve bërthamorë, por ka aftësi të prodhojë edhe plutonium, që mund të përdoret potencialisht për armë bërthamore. Kjo do t’ia ofronte Iranit një rrugë tjetër drejt bombës përveç uraniumit të pasuruar, nëse do të vendoste ta ndiqte këtë shteg.
Irani qe dakorduar në marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 me fuqitë botërore që ta ridizajnonte objektin për të zbutur shqetësimet mbi përhapjen e armëve. Kjo s’u përfundua kurrë. Reaktori u kthye në pikë përplasjesh pasi Trumpi u tërhoq në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja bërthamore në vitin 2018.
Izraeli ka thënë se sulmet u kryen “për të parandaluar që reaktori të rikthehej në funksion dhe të përdorej për zhvillimin e armëve bërthamore”.
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA), organi mbikëqyrës i OKB-së për çështjet bërthamore, i ka bërë thirrje Izraelit të mos godasë objektet bërthamore të Iranit.
Inspektorët e AIEA-së raportohet se vizituan për herë të fundit Arakun më datë 14 maj.
Për shkak të kufizimeve që Irani i vendosi ndaj inspektorëve, AIEA ka thënë se më nuk ka njohuri për prodhimin e ujit të rëndë në Iran — që do të thotë se nuk mund të verifikojë plotësisht prodhimin dhe rezervat e Teheranit zyrtar.
Irani mohon se e ka shënjestruar spitalin në Izrael, insiston se sulmet e tij janë të “sakta”
Irani ka “mohuar kategorikisht” pretendimet e Izraelit se ka shënjestruar spitalin Soroka në Beersheba në Izrael.
Misioni i Iranit në Kombet e Bashkuara i ka quajtur pretendimet e Izraelit si false, transmeton “BBC”.
Misioni ka thënë se sulmet e Iranit janë të “sakta” dhe shënjestër kanë vetëm “objektet që janë direkt të përfshira dhe në përkrahje” të sulmeve izraelite ndaj Iranit.
E ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, ka thënë se “vala e shpërthimit” nga sulmi iranian që shënjestër kishte një bazë të komandës ushtarake izraelite, ka shkaktuar “dëme sipërfaqësore” në spital.
Izraeli ka akuzura Iranin se ka shënjestruar spitalin, ndërsa e ka quajtur këtë sulm “të qëllimshëm” dhe “kriminal”.
Ministria e Shëndetësisë e Izraelit ka thënë se 71 persona janë lënduar gjatë sulmit në spitalin Soroka, ndërsa 271 persona janë lënduar në tërë Izraelin në sulmet e të enjtes.
Izraeli ka raportuar për 24 të vdekur që nga fillimi i konfliktit me Iranin.
E Irani nuk ka dhënë një përditësim të fundit. Në përditësimin e të dielës nga Ministria e Shëndetësisë së Iranit, është thënë se kanë humbur jetën të paktën 224 persona e janë lënduar mbi 1200.
Agjencia e Lajmeve e Aktivistëve për të Drejtat e Njeriut (HRANA), një organizatë me seli në Washington që merret me të drejtat e njeriut e që e ka përcjellë gjatë Iranin, ka njoftuar se të paktën 639 persona kanë humbur jetën në Iran që nga e premtja.
Çfarë dihet për programin bërthamor të Izraelit
Izraeli ka sulmuar me raketa Iranin që nga e premtja e shkuar, me pretendimin se po sulmon kapacitetet bërthamore të tij. Por çfarë dihet deri tash për kapacitetet bërthamore të Izraelit?
Izraeli në publik nuk e ka pranuar kurrë se ka program të armëve bërthamore, dhe presidentët amerikanë kanë ndihmuar të ruajnë sekret të detajeve.
Por Izraeli është një nga nëntë shtetet që dihet se kanë armë bërthamore.
Izraeli ka nisur eksplorimin për zhvillim të armëve bërthamore qysh para themelimit të tij më 1948, pastaj në një vend sekret më 1958 pranë qytetit jugor të Dimonës.
Mendohet gjerësisht se Izraeli e mblodhi armën e parë bërthamore rreth 1966-s ose 1967-s. Më 1968, CIA lëshoi një raport që pati thënë se Izraeli me sukses ka nisur prodhimin e armëve bërthamore.
Izraeli besohet se ka kryer testime nukleare tinëz më 1979 – por këtë e mohon.
Programi i tij është zgjeruar për shumë vjet, sipas ekspertëve.
Sa është i madh kapaciteti bërthamor i Izraelit?
Izraeli tani posedon rreth 90 koka bërthamore dhe besohet se ka mjaftueshëm material nuklear për të prodhuar deri në 300 armë bërthamore, sipas organizatës amerikane “Nuclear Threat Initiative (NTI)”.
Izraeli vazhdon ta modernizojë sistemin e vet, sipas SIPRI-t (institut ndërkombëtar për çështje të paqes), që ka thënë se Izraeli ka kryer testin e sistemit shtytës të raketave më 2024, e që mund të lidhet me familjen e saj “Jericho” të raketave balistike të afta për të transportuar armë bërthamore.
Izraeli po ashtu duket se po përmirëson fabrikën e reaktorit të prodhimit të plutoniumit në Dimona, sipas SIPRI-t.
Çfarë ka thënë Benjamin Netanyahu?
Në një intervistë me CNN-in në maj 2018 – menjëherë pasi Izraeli vodhi arkivat nukleare të Iranit nga Teherani – kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ishte pyetur nëse është i gatshëm të pranojë për programin bërthamor të Izraelit.
“Gjithmonë e kemi thënë se nuk do të jemi të parët që do të prezantojmë (një armë bërthamore), prandaj nuk e kemi prezantuar”, ka thënë ai.
Izraeli nuk e ka nënshkruar Traktatin për Mospërhapje Bërthamore të vitit 1970 dhe i kundërshton përpjekjet diplomatike për të krijuar Zonë të Lirë nga armët bërthamore në Lindjen e Mesme.
Izraeli e ka nënshkruar dhe ratifikuar Traktatin e ndalimit të kufizuar të testeve bërthamore më 1963, i cili obligon nënshkruesit të mos shpërthejnë pajisje bërthamore në atmosferë apo oqeane.
Netanyahu e quan “të pabesueshëm” partneritetin me Trumpin
Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka vlerësuar lart partneritetin e Izraelit me presidentin amerikan, Donald Trump.
Duke folur për gazetarët nga vendi i spitalit të dëmtuar në jug të vendit, Netanyahu e ka quajtur “të pabesueshëm” këtë partneritet, teksa ka njoftuar se flet me presidentin amerikan “pothuajse çdo ditë”, raporton BBC.
"Flas për vendosmërinë dhe qartësinë e tij kur thotë se Irani nuk mund të ketë një armë bërthamore dhe që kjo të ndodhë, Irani nuk mund të pasurojë uranium", ka deklaruar Netanyahu.
"Ai u ka dhënë atyre mundësinë ta bënin këtë përmes negociatave, ata u munduan ta mashtronin. Nuk mund ta mashtrosh Donald Trumpin”, ka shtuar ai.
I pyetur për përfshirjen e mundshme të SHBA-së në konflikt, Netanyahu ka thënë se ky është një vendim që duhet ta marrë presidenti, por ka shtuar se ai tashmë po ndihmon shumë.
Irani përballet me ndërprerje pothuajse të plotë të internetit
Lidhja e internetit në të gjithë Iranin ka rënë ndjeshëm nga 78% në vetëm 3% të mërkurën pasdite, sipas të dhënave nga Netblocks, një organizatë joqeveritare që monitoron qeverisjen e internetit.
Ministria e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit e Iranit ka thënë se ka vendosur kufizime të përkohshme të internetit, duke përmendur shqetësime sigurie, raporton CNN.
Vendi ka përjetuar ndërprerje të pjesshme të internetit që nga fillimi i sulmeve izraelite.
Sasia e njerëzve të lidhur me internetin, krahasuar me nivelet e zakonshme, ka rezultuar në një rënie graduale të lidhjes, ndërsa banorët evakuohen nga Teherani dhe qytete të tjera të mëdha, dhe bizneset mbyllen.
Khamenei porosit iranianët: Nëse armiku e ndien se po i frikësoheni, s’do t’ju lëshojë
Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, i ka thënë popullit iranian se “nëse armiku e ndien se ju i frikësoheni, nuk do t’ju lëshojë”.
Në një postim në rrjetin social X, ai i ka porositur: “Vazhdoni të njëjtën sjellje që keni pasur deri më sot, vazhdoni këtë sjellje me forcë”.
Khamenei, në një paraqitje televizive të mërkurën ka thënë se Izraeli do të paguajë për gabimet e veta, duke shtuar se Irani është i vendosur “kundër një lufte të imponuar, ashtu siç qëndron i vendosur kundër paqes së imponuar”.
New York Times duke cituar një zyrtar të lartë iranian ka raportuar se Irani do ta pranonte ftesën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për një takim së shpejti nëse ndodh.
NYT-i raporton se ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, do ta pranonte një takim të tillë për të diskutuar armëpushimin me Izraelin.
Turqia rrit sigurinë në kufirin me Iranin
Turqia ka rritur sigurinë e kufirit të saj me Iranin, ndërsa konflikti Izrael-Iran vazhdon, ka thënë të enjten një burim nga ministria Turke e Mbrojtjes.
Burimi ka thënë se Ankaraja nuk ka parë ndonjë fluks të parregullt migrimi nga Irani.
Burimi, duke folur në kushte anonimiteti, ka thënë se Turqia po vazhdon të zhvillojë një sistem të shtresëzuar dhe të integruar të mbrojtjes ajrore dhe raketore, duke përdorur sisteme radarësh dhe armësh të prodhuara në vend.
Ai ka shtuar se qëllimi është të mbajë gatishmërinë e saj luftarake në një nivel të lartë.
Burimi ka thënë gjithashtu se avioni i Turqisë për alarm të Reagimit të Shpejtë (QRA) është ngritur pasi Izraeli ka nisur sulmet e tij ndaj fqinjit juglindor të Turqisë, Iranit, duke shtuar se avioni ka vazhduar të patrullojë kufijtë për shkak të mundësisë së shkeljeve të hapësirës ajrore izraelite.
NYT: Irani i gatshëm për armëpushim, do ta pranonte ftesën e Trumpit
Irani do ta pranonte ftesën e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, për një takim së shpejti nëse ndodh, ka raportuar New York Times, duke cituar një zyrtar të lartë iranian.
NYT-i raporton se ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, do ta pranonte një takim të tillë për të diskutuar armëpushimin me Izraelin.
Trumpi, i cili më parë ka lënë të kuptohet se dëshiron që bisedimet të përqendrohen në programin bërthamor të Iranit, ka thënë të hënën se mund të dërgojë të dërguarin e SHBA-së për Lindjen e Mesme, Steve Witkoff, ose zëvendëspresidentin JD Vance për t'u takuar me zyrtarët iranianë.
Sipas mediave amerikane, Witkoffi ka qenë në kontakt me Araghchin me qëllim vazhdimin e negociatave midis SHBA-së dhe Iranit.
Lideri suprem i Iranit, Ali Khamenei, pati mohuar deklaratat e Trumpit se kinse kanë kërkuar takim në Shtëpinë e Bardhë.
“Nuk do të dorëzohemi”, ka thënë Khamenei.
E ministri i Jashtëm Izraelit, Gideon Saar, u tha gazetarëve se nuk ka “negociata” me Iranin dhe se fushata ushtarake e Izraelit “do të vazhdojë derisa të arrijmë qëllimet tona”.
Megjithatë, deklaratat e të dyja palëve shihen kryesisht si forma presioni dhe jo si qëndrime përfundimtare.
Katz: Lideri i Iranit s’mund të lejohet të ekzistojë më
Ministri izraelit i Mbrojtjes ka thënë të enjten se lideri suprem i Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, “nuk mund të lejohet të ekzistojë më” pasi spitali Soroka në Izrael u godit nga një raketë iraniane, raportoi AFP.
Israel Katz ka thënë se Khamenei po tregon se e ka synim shkatërrimin e shtetit të tij.
“Khamenei haptazi ka shpallur se e dëshiron Izraelin të shkatërruar – ai personalisht jep urdhra për të goditur spitalet. Ai e konsideron shkatërrimin e shtetit të Izraelit synim. Një njeri i tillë nuk mund të lejohet të ekzistojë më”, ka thënë ai.
Pse rënia e regjimit iranian do të ishte një goditje e rëndë për Rusinë
Kur një grup zyrtarësh të politikës së jashtme ruse dhe iraniane u takuan në Moskë për një konferencë të titulluar "Bashkëpunimi ruso-iranian në një botë në ndryshim", ata ndoshta nuk e kishin parashikuar se sa në kohë do të dilte kjo frazë.
Të ulur rreth një tavoline të mërkurën në hotelin “President” pranë Kremlinit, zyrtarët nga të dyja palët u detyruan të përballeshin me një realitet të ri të zymtë: regjimi i Iranit, një aleat kyç i Moskës, po përballet me kërcënimin e tij më serioz në dekada.
Teksa Izraeli dhe Donald Trumpi kërkojnë "dorëzimin pa kushte" të Teheranit, Moska po bëhet gjithnjë e më e shqetësuar për fatin e Iranit, ndërsa pranon në heshtje aftësinë e saj të kufizuar për të ndikuar në ngjarjet që po zhvillohen.
Nikita Smagin, një eksperte e pavarur për lidhjet Rusi-Iran, ka thënë se "ka qenë prej kohësh e qartë se Rusia nuk do ta mbronte Iranin ushtarakisht, sepse thjesht nuk është e përgatitur të rrezikojë një përballje me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara për hir të Iranit"
Analistët thonë se përgjigjja e kujdesshme e Moskës pasqyron një llogaritje të ftohtë politike: dhënia përparësi të luftës së saj në Ukrainë teksa njëkohësisht përpiqet të dekurajojë SHBA-në nga përfshirja e drejtpërdrejtë në një konflikt që mund të çojë në ndryshimin e regjimit në Teheran.
Kremlini nuk ka gjasa ta armatosë Iranin, e lëre më të përfshihet në luftime, ka thënë një burim rus me lidhje me ministrinë e Jashtme.
“Moska qartësisht nuk dëshiron konflikt me Trumpin dhe gjithashtu po bën gjithçka që mundet për të nxitur SHBA-në të kthehet në diplomaci. Por përparësia e Rusisë mbetet shmangia e çdo lëvizjeje që mund të dëmtojë lidhjet e saj të ngrohta me administratën e re amerikane ose të nxisë një ndryshim në qëndrimin e Trumpit ndaj Ukrainës”, ka thënë burimi.
Megjithatë, Kremlini rrezikon të humbasë nga një fushatë e zgjatur ushtarake izraelite e mbështetur nga SHBA-ja që shkatërron infrastrukturën ekonomike dhe ushtarake të Iranit dhe kërcënon mbijetesën e regjimit në Teheran.

"Nëse regjimi aktual iranian shembet, kjo do të ishte një goditje strategjike dhe reputacionale për Rusinë", ka thënë burimi me lidhje me ministrinë e Jashtme ruse.
"Një humbje më e madhe se rënia e Damaskut", ka shtuar burimi, duke iu referuar ndikimit të zvogëluar të Moskës mbi Sirinë pas rënies së Bashar al-Assad, një aleat i hershëm i Kremlinit, disfata përfundimtare e të cilit shënoi fundin e një ndërhyrjeje të kushtueshme dhjetëvjeçare ruse.
Në sipërfaqe, përgjigjja e heshtur dhe dënimet e përmbajtura të Rusisë janë në kontrast me lidhjet e thella që ajo ka krijuar me Iranin që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022 - një luftë që e vendosi Moskën krah Teheranit midis regjimeve më të goditura nga sanksionet.
Në muajt e parë të pushtimit rus të Ukrainës, Irani ka dëshmuar se ishte një partner i rëndësishëm për Kremlinin, duke furnizuar Moskën me mijëra dronë luftarakë të përdorur për të goditur qytetet ukrainase. Teherani gjithashtu më vonë dërgoi instruktorë në Rusi për të ndihmuar në ngritjen e një objekti prodhimi dronësh, bazuar në dizajnet iraniane, thellë në malet Urale.
Vladimir Putini nga ana tjetër vlerësoi lidhjet në thellim midis dy vendeve. Në janar ai dhe homologu i tij iranian, Masoud Pezeshkian, nënshkruan një "traktat të gjerë partneriteti strategjik" që synonte forcimin e bashkëpunimit ushtarak dhe ndarjen e inteligjencës.
Megjithatë, marrëdhënia midis dy vendeve ka qenë gjithmonë komplekse, thonë vëzhguesit. Kur nënshkruan marrëveshjen ushtarake, të dy vendet këmbëngulën në heqjen e një klauzole mbrojtjeje të ndërsjellë, që do të thotë se Moska tani nuk ka asnjë detyrim ligjor për të ofruar ndihmë ushtarake për Iranin. Rusia gjithashtu ka qenë e ngadaltë në dorëzimin e një game armësh që Teherani ka kërkuar.
"Pavarësisht kërkesave të përsëritura nga pala iraniane për lloje të ndryshme armësh, sisteme mbrojtjeje ajrore dhe avionë luftarakë, asnjë nga këto nuk është transferuar në Iran nga Rusia deri më sot”, ka thënë Nikita Smagin.
Pjesërisht për shkak të përfshirjes së saj në Ukrainë dhe lidhjeve të saj në rritje me lojtarë të tjerë rajonalë, përfshirë Arabinë Saudite, Moska ka treguar pak urgjencë për të mbështetur Iranin, edhe pse pozicioni i Teheranit është dobësuar pas goditjeve që ka pësuar përfaqësuesi i saj kryesor, lëvizja libaneze Hezbollah.
Ndërkohë, Kremlini e ka shkëputur mbështetjen e tij nga mbështetja ushtarake iraniane, pasi tashmë ka fituar ekspertizën për të prodhuar masivisht dronë në vend.
Disa në Moskë madje janë përpjekur t'i japin një këndvështrim pozitiv sulmit të Izraelit ndaj Iranit. Për shembull, çmimet e naftës janë rritur në nivelin e tyre më të lartë në katër muaj, dhe pritet të rriten më tej - duke i ofruar Moskës një nxitje ekonomike shumë të nevojshme në një kohë kur rënia e çmimeve globale të energjisë kishte kërcënuar të shtrydhte buxhetin e saj të kohës së luftës.
Konflikti ka tërhequr gjithashtu vëmendjen e plotë të Trumpit, i cili ditët e fundit mezi e ka përmendur Ukrainën. Ai e ka ndërprerë në gjysmë qëndrimin e tij në samitin e G7-s, duke anashkaluar një takim të planifikuar më parë me Volodymyr Zelenskyn.
"Ka të ngjarë që Ukraina të pësojë dëmin më të madh ushtarak dhe politik në këtë situatë, përveç vetë Iranit, sigurisht. Një luftë e re në Lindjen e Mesme jo vetëm që do ta shkëpusë vëmendjen e botës nga konflikti në Ukrainë, por gjithashtu, me sa duket, do të kontribuojë në riorientimin përfundimtar të SHBA-së drejt ofrimit të ndihmës ushtarake për Izraelin”, ka shkruar në Telegram Ruslan Pukhov, drejtor i Qendrës për Analizën e Strategjive dhe Teknologjive, një organizatë moskovite për mbrojtjen.
Por, ndonëse këta faktorë mund të krijojnë përfitime afatshkurtra, pamja afatgjatë është shumë më e pasigurt për Rusinë, thonë analistët dhe ekspertët e brendshëm.
Rusia rrezikon të humbasë një partner strategjik kyç, së bashku me vite të tëra kapitali politik dhe ekonomik, një goditje që mund të dëmtojë seriozisht ambiciet e saj më të gjera gjeopolitike. Gjatë dy vjetëve të fundit, Moska është bërë investitori kryesor i huaj i Iranit, duke investuar miliarda në projekte gazi, energjie dhe infrastrukture, të cilat të gjitha mund të rrezikohen nëse regjimi në Teheran bie.
Dhe ndryshe nga disa nga aleatët e tjerë të Moskës, siç është Bjellorusia, Rusia ndan pak në aspektin e afinitetit historik ose kulturor me Iranin. Partneriteti i tyre është krijuar më pak përmes traditës sesa përmes një armiqësie të përbashkët ndaj perëndimit, dhe përvojës së lundrimit në jetë nën sanksione.
"Nëse ky regjim bie, mendoj se do të jetë shumë më e vështirë për Rusinë të ruajë asetet dhe ndikimin e saj në vend", ka thënë Hanna Notte, një eksperte me bazë në Berlin për politikën e jashtme ruse.
Notte ka thënë se skenari më i keq për Moskën do të ishte një Lindje e Mesme e dominuar nga fuqitë e lidhura me SHBA-në.
"Kjo do të ishte një goditje e rëndë për Rusinë”, është shprehur ajo.
Nga çka frikësohet më së shumti Rusia shkaku i konfliktit Iran – Izrael?
Kur Izraeli nisi operacionin “Luani i Zgjuar”, zyrtarët në Rusi e përshkruan përshkallëzimin e situatës në Lindjen e Mesme si “alarmante” dhe “të rrezikshme”, shkruan BBC.
Megjithatë, mediat ruse fillimisht u përpoqën ta shfaqnin situatën edhe si një mundësi me përfitime të mundshme për Moskën. Mes përfitimeve të përmendura ishin rritja e çmimeve globale të naftës, që mund të mbushë arkën e Kremlinit; Shpërqendrimi i vëmendjes ndërkombëtare nga lufta në Ukrainë – gazeta Moskovsky Komsomolets shkruante në ballinë: “Kievi është harruar” dhe nëse pranohet oferta e Rusisë për të ndërmjetësuar në konflikt, Moska do të paraqitej si aktor kyç në Lindjen e Mesme dhe si “paqebërës”, pavarësisht agresionit të saj në Ukrainë.
Por sa më gjatë që zgjat ndërhyrja ushtarake e Izraelit, aq më shumë rritet vetëdijësimi se Rusia ka shumë për të humbur nga zhvillimet aktuale.
“Përshkallëzimi i konfliktit mbart rreziqe serioze dhe kosto të mundshme për Moskën. Fakti mbetet që Rusia nuk arriti ta parandalojë një goditje masive të Izraelit ndaj një shteti me të cilin pesë muaj më parë [ajo] nënshkroi partneritet strategjik gjithëpërfshirës”, shkroi analisti politik rus Andrei Kortunov në të përditshmen “Kommersant” të hënën.
Ai shtoi se është e qartë që Moska nuk është e gatshme të shkojë përtej deklaratave politike që dënojnë Izraelin, dhe nuk është e përgatitur t’i ofrojë Iranit ndihmë ushtarake.
Partneriteti strategjik i nënshkruar në fillim të këtij viti nga Vladimir Putin dhe presidenti iranian Masoud Pezeshkian nuk është aleancë ushtarake dhe nuk e detyron Rusinë të mbrojë Iranin në rast sulmi.
Megjithatë, në atë kohë Moska e vlerësoi lart marrëveshjen.
Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi për Ria Novosti se ajo i kushtonte “vëmendje të veçantë forcimit të bashkëpunimit në interes të paqes dhe sigurisë në nivel rajonal dhe global, si dhe dëshirës së përbashkët të Moskës dhe Teheranit për bashkëpunim më të ngushtë në çështjet e sigurisë dhe mbrojtjes”.
Në gjashtë muajt e fundit, Moskës i ka rënë tashmë aleati i rëndësishëm në rajon – Bashar al-Assadi.
Pas rrëzimit të liderit sirian në dhjetor të kaluar, ai u strehua në Rusi.
Tani, mundësia e një ndryshimi regjimi në Iran dhe rreziku për të humbur edhe këtë partner strategjik përbëjnë shqetësim serioz për Kremlinin.
“Në politikën globale po ndodhin ndryshime masive në kohë reale, të cilat do të ndikojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi në jetën në vendin tonë”, shkroi gazeta ruse “Moskovsky Komsomolets”.
Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin këtë javë do ta kalojë në Shën Petersburg, ku mbahet Forumi Ekonomik Ndërkombëtar– dikur i cilësuar si “Davosi i Rusisë”, megjithëse ky përshkrim nuk vlen më.
Shefat e kompanive më të mëdha perëndimore nuk marrin më pjesë, veçanërisht që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës nga Rusia.
Megjithatë, organizatorët pretendojnë se këtë vit do të marrin pjesë përfaqësues nga më shumë se 140 shtete dhe territore.
Autoritetet ruse pritet ta përdorin këtë ngjarje për të treguar se përpjekjet për izolimin e Rusisë kanë dështuar.
Edhe pse forumi ka karakter ekonomik, geopolitika do të jetë në plan të parë – me shumë interes për çdo koment që Putin do të bëjë lidhur me Lindjen e Mesme dhe Ukrainën.
Rreth 100 të plagosur nga sulmet e Iranit mbi Izrael
Ka shkuar në 89 numri i të lënduarve nga sulmet e reja të Iranit mbi Izraelit, mëngjesin e së enjtes.
Të paktën tre prej tyre janë në gjendje të rëndë, sipas autoriteteve izraelite.
Raketat iraniane kanë goditur Tel Avivin dhe jugun e Izraelit, atje ku një spital është dëmtuar rëndë, raporton BBC.
Izraeli është zotuar të hakmerret ndaj liderit suprem të Iranit, Ali Khamenei.
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz, ka thënë se ushtria izraelite është urdhëruar të intensifikojë sulmet mbi caqet në Iran.
Irani mesazh SHBA-së: Nëse s’do ta ndalësh Izraelin, qëndro anash
Zëvendësministri i jashtëm i Iranit, Kazem Gharibabadi ka lëshuar një paralajmërim për SHBA-në, teksa presidenti Donald Trump po shqyrton nëse do t'i bashkohet sulmeve të Izraelit në vendet bërthamore të Iranit.
Media shtetërore iraniane ka cituar Gharibabadi të ketë thënë se nësë SHBA-ja nuk dëshiron ta ndalë Izraelin të kryejë sulme ndaj Iranit, bën mirë që të qëndrojë duarkryq.
"Rekomandimi ynë për SHBA-në është që të paktën të qëndrojë duarkryq nëse nuk dëshironë të ndalojnë agresionin e Izraelit", është shprehur Gharibabadi.
Ai ka shtuar se "vendimmarrësit ushtarakë të Iranit kanë të gjitha opsionet e nevojshme në tryezë".
"Nëse SHBA-ja dëshiron të ndërhyjnë në mënyrë aktive në mbështetje të Izraelit, Irani nuk do të ketë zgjidhje tjetër përveçse të përdorë mjetet e saj për t'u dhënë agresorëve një mësim dhe për të mbrojtur veten”, ka shtuar ai.
Ushtria izraelite urdhërohet të intensifikojë sulmet mbi Iran
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, ka thënë se ai dhe kryeministri, Benjamin Netanyahu i kanë dhënë udhëzime ushtrisë izraelite që të “intensifikojë sulmet kundër objektivave strategjikë” në Iran.
Vendimi ka ardhur pak pasi Irani ka nisur valën e fundit të raketave balistike në qytete anembanë Izraelit të enjten.
Sulmet kanë goditur një spital në jug të Izraelit, duke lënë dhjetëra të lënduar dhe duke shkaktuar dëmtime të mëdha në objekt.
“Diktatori frikacak iranian rri thellë brenda bunkerit të tij të fortifikuar dhe nis sulme të qëllimshme në spitale dhe ndërtesa banimi në Izrael”, ka thënë Katz në një deklaratë të ndarë nga ministria e Mbrojtjes, duke iu referuar udhëheqësit suprem të Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, raporton CNN.
“Këto janë format më të rënda të krimeve të luftës - dhe Khamenei do të mbahet përgjegjës për krimet e tij.”
“Kryeministri dhe unë kemi dhënë udhëzime IDF-së që të intensifikojë sulmet kundër objektivave strategjikë në Iran dhe kundër vendeve qeveritare në Teheran, me qëllim që të largohen kërcënimet me të cilat përballet Shteti i Izraelit dhe të destabilizohet regjimi i Ajatollahëve”, tha ai, sipas deklaratës.
Cila është arsyeja që Trumpi s’po merr vendim për ta sulmuar Iranin?
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ende nuk ka marrë vendim përfundimtar për përfshirjen e Amerikës në luftën e Izraelit kundër Iranit. Arsyeja për këtë, sipas mediumit Axios, është se ai nuk është i sigurt nëse do të arrijë atë që e konsideron si qëllimin e tij kryesor: shkatërrimin e programit bërthamor të Iranit.
Sipas Axios, Trumpi prej disa ditësh po kërkon nga bashkëpunëtorët e tij garanci që bombat amerikane GBU-57, të njohura si “shkatërruese të bunkerëve”, do të jenë në gjendje të shkatërrojnë objektet bërthamore të Iranit, të cilat ndodhen nëntokë.
Përveç kësaj, Trumpi dëshiron të sigurohet që përdorimi i këtyre armëve nuk do ta fusë Amerikën në një tjetër “luftë të pafund”, dhe që në këtë mënyrë të arrijë të shkatërrojë programin bërthamor iranian.
“Është e qartë që jemi të gatshëm për të sulmuar Iranin. Ende nuk jemi të bindur që është e domosdoshme. Dhe duam të mos jetë e domosdoshme. Por nuk mendoj se presidenti është bindur ende që kemi nevojë”, ka thënë një zyrtar amerikan.
Nëse Trumpi vendos të nisë luftën, atëherë thuajse me siguri sulmi do të ketë për qëllim shkatërrimin e objektit të pasurimit të uraniumit në Fordow, i cili ndodhet brenda një mali në jug të Teheranit.
Izraeli nuk posedon bombat për shkatërrimin e bunkerëve nga ajri, as bombarduesit B-2 që janë të nevojshëm për t’i transportuar GBU-57. Shtetet e Bashkuara i kanë të dyja këto kapacitete, dhe ato ndodhen brenda rrezes së fluturimit për në Iran.
“Ne jemi të vetmit që kemi aftësinë ta bëjmë këtë, por kjo nuk do të thotë se do ta bëj. Të gjithë më kanë pyetur për këtë, por ende nuk kam marrë një vendim”, ka thënë Trump të mërkurën, kur u pyet nëse e konsideron të nevojshëm shkatërrimin e Fordowit.
Sipas një zyrtari amerikan, Trumpi ka kërkuar posaçërisht nga këshilltarët ushtarakë nëse bomba GBU-57 është në gjendje ta shkatërrojë Fordowin. Zyrtarët e Pentagonit i kanë thënë se janë të bindur se mundet. Megjithatë, nuk është e qartë nëse presidenti është plotësisht i bindur.
Kjo armë nuk është përdorur kurrë në një situatë lufte, ndonëse ka kaluar disa teste gjatë zhvillimit, thonë zyrtarë aktualë dhe ish-zyrtarë amerikanë.
“Bomba për bunkerë do të ketë sukses. Nuk është çështje kapaciteti. Ne i kemi aftësitë. Por ekziston një plan i tërë për sulm të mundshëm. Nuk është thjesht të hedhësh një bombë dhe të shpallësh fitoren”, u shpreh një tjetër zyrtar i lartë amerikan.
Izraeli sulmon një reaktor bërthamor në Iran
Ushtria izraelite ka konfirmuar se ka kryer një sulm ndaj reaktorit bërthamor në Arak, duke thënë se është "joaktiv".
Forcat Mbrojtëse të Izraelit kanë thënë se reaktori është projektuar për të prodhuar plutonium me rendiment të lartë, i cili është një material i përdorur për të bërë armë bërthamore.
"Sulmi shënjestroi përbërësin e destinuar për prodhimin e plutoniumit, me qëllim që të parandalonte restaurimin dhe përdorimin e reaktorit për zhvillimin e armëve bërthamore", ka thënë ushtria në një deklaratë.
Ushtria gjithashtu ka thënë se sulmet e tyre të fundit përfshinë 40 avionë luftarakë që shënjestruan dhjetëra vende ushtarake, duke përfshirë fabrika që prodhojnë lëndë të para, pjesë të përdorura për të montuar raketa balistike dhe vende për ndërtimin e sistemeve dhe raketave të mbrojtjes ajrore iraniane.
Në një njoftim të veçantë, ushtria izraelite ka thënë se forcat e saj ajrore kanë sulmuar gjithashtu një vend në Natanz, për të cilin thotë se përdoret për të zhvilluar armë bërthamore.
"Vendi përmban komponentë dhe pajisje unike të përdorura për të zhvilluar armë bërthamore, dhe atje po zhvillohen projekte që mundësojnë përshpejtimin e programit të armëve bërthamore", kanë thënë Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF).
Ky nuk është sulmi i parë i raportuar në Natanz. Më herët këtë javë, kreu i mbikëqyrësit global bërthamor i ka thënë BBC-së se centrifugat në uzinën nëntokësore të pasurimit të uraniumit të Iranit në Natanz ka të ngjarë të jenë "dëmtuar rëndë nëse jo shkatërruar plotësisht" pas sulmeve izraelite të premten e kaluar.
Izraeli pretendon se Irani kohët e fundit "ka ndërmarrë hapa për të armatosur" rezervat e tij të uraniumit të pasuruar, i cili mund të përdoret për termocentrale ose bomba bërthamore.
Të dielën, Irani ka përsëritur se programi i tij bërthamor është paqësor dhe i ka kërkuar bordit prej 35 vendesh të IAEA-s të dënojë fuqimisht sulmet izraelite.
Evropa do të zhvillojë bisedime bërthamore me Iranin të premten në Gjenevë
Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë, Francës dhe Britanisë planifikojnë të zhvillojnë bisedime bërthamore me homologun e tyre iranian të premten në Gjenevë, ka thënë një burim diplomatik gjerman për Reuters.
Ministrat do të takohen së pari me diplomaten më të lartë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, përpara se të zhvillojnë një takim të përbashkët me ministrin e jashtëm iranian, ka thënë burimi.
Iniciativa evropiane vjen mes frikës së një konflikti në rritje në Lindjen e Mesme, pasi Izraeli ka nisur sulme të gjera ushtarake ndaj armikut të tij të betuar, Iranit, javën e kaluar dhe Irani ka kryer sulme hakmarrëse në objektiva izraelite.
Presidenti amerikan, Donald Trump ka refuzuar të deklarojë nëse Shtetet e Bashkuara do t'i bashkohen fushatës ushtarake të aleatit të tyre, Izraelit, duke nxitur shqetësimet se kriza mund të intensifikohet.
Qëllimi i bisedimeve midis Iranit dhe evropianëve, për të cilat burimi gjerman ka thënë se po zhvillohen në koordinim me Shtetet e Bashkuara, është të bindin palën iraniane të garantojë me vendosmëri se do ta përdorë programin e saj bërthamor vetëm për qëllime civile.
Sipas burimit, bisedimet do të pasohen nga një dialog i strukturuar në nivel ekspertësh.
Izraeli ka thënë se qëllimi i tij është të eliminojë aftësinë e Teheranit për të zhvilluar një armë bërthamore. Irani mohon se programi i tij bërthamor është për qëllime ushtarake.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz ka folur në mbështetje të sulmit të Izraelit dhe e ka zemëruar Teheranin këtë javë duke thënë se iranianët duhet të ulin tensionet ose të përballen me kërcënimin e një shkatërrimi edhe më të madh.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm gjerman, Johann Wadephul të mërkurën u ka bërë thirrje udhëheqësve të Iranit të punojnë drejt një zgjidhjeje që do të përfshinte garanci mbi programin e tij bërthamor, duke u thënë atyre se "nuk është kurrë vonë për t'u ulur në tryezën e negociatave".
Irani nis valë të re sulmesh ndaj Izraelit, goditet një spital
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) kanë thënë se kanë identifikuar raketa hyrëse të lëshuara nga Irani, teksa sirenat janë aktivizuar në të gjithë Izraelin.
Një spital në qytetin jugor izraelit të Be'er-Sheva është dëmtuar nga sulmet iraniane, ka thënë zëdhënësja e tij.
Të paktën 30 persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e sulmit.
"Sistemet mbrojtëse po veprojnë për të kapur kërcënimin", ka thënë IDF-ja.
IDF-ja i ka bërë thirrje publikut të hyjë në strehimore kundër bombave dhe të qëndrojë atje "deri në njoftim të mëtejshëm".
Media shtetërore iraniane, Agjencia e Lajmeve Fars, gjithashtu ka raportuar valën e raketave.
Përveç kësaj, Irani ka lëshuar dronë drejt Izraelit "disa orë më parë", ka postuar Fars në Telegram mëngjesin e së enjtes.