Botë

Trumpi lavdëron trupat britanike pasi minimizoi rolin e NATO-s në Afganistan

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka lavdëruar trupat britanike të shtunën, pas zemërimit që ka shkaktuar me komentet që kishte bërë këtë javë, përmes së cilave kishte minimizuar sakrificat e forcave të NATO-s në Afganistan.

“Ushtarët e mëdhenj dhe shumë trima të Mbretërisë së Bashkuar do të jenë gjithmonë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës!”, ka shkruar Trumpi në Truth Social.

“Në Afganistan, 457 prej tyre vdiqën, shumë u plagosën rëndë dhe ishin ndër luftëtarët më të mëdhenj që ka pasur ndonjëherë”, ka vazhduar ai.

“Është një lidhje tepër e fortë për t’u thyer ndonjëherë. Ushtria e Mbretërisë së Bashkuar, me zemër dhe shpirt të jashtëzakonshëm, është e pakrahasueshme (përveç SHBA-së!). Ju duam të gjithëve dhe gjithmonë do t’ju duam!”.

Mesazhi ka ardhur pas reagimeve të furishme ndaj deklaratave të presidentit, në të cilat ai minimizoi rolin që forcat e NATO-s kishin luajtur në Afganistan. Këto komente irrituan aleatët e SHBA-së në NATO dhe u bënë në fund të një jave gjatë të cilës Trumpi e kishte tensionuar ndjeshëm aleancën, përmes kërcënimeve për të marrë nën kontroll Grenlandën, një territor autonom i Danimarkës e cila është gjithashtu anëtare e NATO-s.

Kryeministri britanik, Keir Starmer, dhe Princi Harry, i cili ka shërbyer në konflikt, ishin ndër ata që i kanë kritikuar komentet. Starmer i ka quajtur ato “fyese dhe sinqerisht të tmerrshme”.

Starmer më pas e ka ngritur çështjen gjatë një bisede telefonike me Trumpin të shtunën, ku ata kanë diskutuar për “ushtarët e guximshëm dhe heroikë britanikë dhe amerikanë që luftuan krah për krah në Afganistan, shumë prej të cilëve nuk u kthyen kurrë në shtëpi”, ka thënë një zëdhënës i Doëning Street.

Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, SHBA-ja ishte bërë anëtari i parë dhe deri tani i vetmi i NATO-s që ka aktivizuar Nenin 5, i cili parashikon se një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithëve. Për 20 vjet, aleatët e NATO-s dhe vende të tjera partnere luftuan përkrah trupave amerikane në Afganistan.

“Nuk kemi pasur kurrë nevojë për ta”, kishte thënë Trumpi për NATO-n në një intervistë të enjten për Fox Business. 

“Nuk kemi kërkuar kurrë vërtet asgjë prej tyre. E dini, ata do të thonë se dërguan disa trupa në Afganistan apo këtë apo atë. Dhe e bënë. Ata qëndruan pak mbrapa, pak larg vijës së frontit”, kishte shtuar Trumpi. 

“Nëse unë do të kisha folur në atë mënyrë ose do të kisha përdorur ato fjalë, patjetër që do të kërkoja falje”, ka thënë Starmer të premten.

Shtëpia e Bardhë fillimisht ka hedhur poshtë kritikat e Starmerit dhe ka këmbëngulur se Trumpi kishte të drejtë në qëndrimet e tij.

“Presidenti Trump ka absolutisht të drejtë - Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë bërë më shumë për NATO-n sesa çdo vend tjetër në aleancë, madje më shumë se të gjithë të tjerët së bashku”, ka thënë Taylor Rogers, zëdhënëse e Shtëpisë së Bardhë, kur u pyet për t’iu përgjigjur komenteve të Starmerit.

Sipas Doëning Street, gjatë telefonatës së të shtunës, Starmer dhe Trump diskutuan edhe “nevojën për forcimin e sigurisë në Arktik”, pas një jave të tensionuar diplomacie lidhur me Grenlandën dhe njoftimin e Trumpit për një “marrëveshje kornizë” në lidhje me territorin autonom.

“Udhëheqësit kanë diskutuar rëndësinë e marrëdhënies MB–SHBA, e cila vazhdon t’i rezistojë kohës”, thuhej në deklaratën e Doëning Street. “Ata kanë rënë dakord të flasin sërish së shpejti.”

Postimi i Trumpit në rrjetet sociale të shtunën ka ardhur mes një vale të fortë reagimesh kundër komenteve të tij për NATO-n.

Princi Harry, veteran i dy misioneve në vijën e parë të frontit në Afganistan, ka thënë përmes zëdhënësit të tij se sakrificat e trupave të NATO-s “meritojnë të përmenden me të vërtetë dhe me respekt”.

Madje edhe kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, një aleate e fortë e Trumpit, u distancua nga deklaratat e tij.

Meloni ka shkruar të shtunën në X se qeveria italiane ishte e habitur nga komentet e Trumpit.

“Deklaratat që minimizojnë kontributin e vendeve të NATO-s në Afganistan janë të papranueshme, veçanërisht kur vijnë nga një vend aleat”, ka thënë ajo.

Meloni ka shtuar se Italia dhe SHBA-ja mbeten “të lidhura nga një miqësi e fortë”.

“Por miqësia kërkon respekt, një kusht themelor për të vazhduar garantimin e solidaritetit në zemër të Aleancës Atlantike”, ka thënë ajo.

E ushtarët danezë që kanë luftuar përkrah forcave amerikane janë shprehur se ndihen të tradhtuar pas komenteve të Trumpit për NATO-n, ndjenja këto të përkeqësuara edhe nga kërcënimet e përsëritura të presidentit për të “marrë” Grenlandën.

Ndërsa Trumpi lavdëroi trupat britanike në mesazhin e tij të së shtunës, ai nuk ka përmendur vendet e tjera të NATO-s që humbën trupa gjatë konfliktit dydekadësh.