Botë

Trumpi lavdëron takimin “shumë produktiv” mes Witkoffit dhe Putinit

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka lavdëruar takimin e të dërguarit të posaçëm amerikan, Steve Witkoff, dhe presidentit rus, Vladimir Putin, gjatë ditës së mërkurë, duke e cilësuar si “shumë produktiv” dhe “me përparim të madh”.

Trumpi ka theksuar se për detajet e takimit janë njoftuar edhe aleatët evropianë, si dhe ka përsëritur qëndrimin se lufta në Ukrainë duhet të përfundojë sa më shpejtë të jetë e mundur.

“Të gjithë pajtohemi që kjo luftë duhet të përfundojë, dhe ne do të punojmë në drejtim të kësaj gjatë ditëve dhe javëve në vijim. Faleminderit për vëmendjen tuaj lidhur me këtë çështje!”, ka shkruar ai në “Truth Social”.

Siç është raportuar nga gazeta britanike “The Guardian”, Trumpi dhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kanë pasur gjithashtu një bisedë telefonike pas takimit Witkoff-Putin.

Pas përfundimit të telefonatës, Zelensky është shprehur se që të dy janë pajtuar se “lufta duhet të përfundojë”, teksa kanë diskutuar njëkohësisht edhe rreth takimit mes Witkoffit dhe Putinit.

Ai ka bërë të ditur po ashtu se “liderët evropianë ishin pjesëmarrës në telefonatë”, duke i falënderuar njëherazi për mbështetjen për Ukrainën.

“Diskutuam se çfarë është folur në Moskë. Ukraina do ta mbrojë pavarësinë. Që të gjithëve na duhet një paqe e qëndrueshme dhe afatgjatë. Rusia duhet t’i japë fund luftës që e ka nisur”, ka thënë Zelensky.