Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën

Shtetet e Gjirit raportuan sulme të reja me raketa dhe dronë të dielën, pasi Teherani kërcënoi se do t’i zgjerojë sulmet e tij dhe bëri thirrje për evakuimin e tre porteve kryesore në Emiratet e Bashkuara Arabe, ndërsa sulmet iraniane atje, pjesë e një lufte më të gjerë me Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, po hyjnë në javën e tretë.

Bahreini, Arabia Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe paralajmëruan njerëzit se po punonin për të penguar sulmet që po afroheshin, një ditë pasi Irani bëri thirrje për evakuimin e porteve, duke kërcënuar për herë të parë asetet jo-amerikane të një vendi fqinj.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Irani më herët akuzoi Shtetet e Bashkuara se kishin përdorur “porte, dhe strehimore” në Emiratet e Bashkuara Arabe për të nisur sulme ndaj Ishullit Kharg, ku ndodhet terminali kryesor që trajton eksportet e naftës së Iranit, pa ofruar prova. Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vendet e tjera të Gjirit që strehojnë baza amerikane kanë mohuar se kanë lejuar përdorimin e territorit apo hapësirës së tyre ajrore për operacione ushtarake kundër Iranit.

Sulmet iraniane kanë vrarë të paktën një duzinë civilësh në shtetet e Gjirit, shumica prej tyre punëtorë migrantë. Të paktën 13 anëtarë të ushtrisë amerikane janë vrarë që nga fillimi i luftës, përfshirë shtatë në luftime dhe gjashtë që vdiqën në një përplasje avioni mbi Irak javën e kaluar.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump tha se shpreson që aleatët do të dërgojnë anije luftarake për të siguruar Ngushticën e Hormuzit.

Ndërkohë, kriza humanitare në Liban u thellua, me mbi 800 njerëz të vrarë dhe 850,000 të zhvendosur, ndërsa Izraeli nisi valë sulmesh kundër militantëve të Hezbollahut të mbështetur nga Irani.

Izraeli thotë se ka ende mijëra shënjestra për të goditur në Iran

1 muaj më parë / 15 mar 2026 21:58
Izraeli

Foto nga arkivi

Photo: Associated Press

Zëdhënësi i Ushtrisë së Izraelit, Effie Defrin, në një adresim televiziv ka thënë se Izraeli ka ende mijëra shënjestra për të goditur në Iran. 

“Ne jemi duke identifikuar shënjestra të reja çdo ditë”, ka thënë Defrin, transmeton agjencia “Reuters”. “IDF do të vazhdojë të godasë në Iran dhe kundër Hezbollahut derisa ta eliminojë rrezikun dhe ta arrijë objektivin e operacionit”. 

Ushtria izraelite ndërkohë ka thënë se janë goditur mbi 200 shënjestra në 24 orët e fundit, përfshirë qendra komanduese dhe depo të armëve. 
 

Udhëheqësi i ri i Iranit pretendohet se është dërguar në Moskë për t’u operuar

1 muaj më parë / 15 mar 2026 20:08
Mojtaba Khamenei

Lideri i ri suprem i Iranit, Mojtaba Khamenei, raportohet se është dërguar me avion në Moskë për operacion në këmbë. Kjo i ishte ofruar personalisht nga presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, transmeton “The Sun”. 

Raportimet vijnë në kohën kur ka pasur edhe thashetheme se Mojtaba Khamenei ka vdekur.

Gazeta kuvajtiane Al-Jarida raportoi se djali i Ajatollahut Ali Khamenei, të vrarë në ditën e parë të sulmeve të Izraelit dhe SHBA-së ndaj Iranit, është nxjerrë fshehurazi nga Irani nëpërmjet një operacion tepër sekret.

Gazeta tha se evakuimi u krye me fshehtësinë më të madhe dhe se lideri i ri iranian u dërgua në Moskë me një avion ushtarak rus.

Më pas Khamenei raportohet se iu nënshtrua një operacioni “të suksesshëm” në një nga pallatet presidenciale të Putinit.

Raporti nuk është i konfirmuar, por Al-Jarida tha se informacioni i saj erdhi nga një “burim i nivelit të lartë pranë liderit të ri suprem iranian”.

Burimi pretendoi se Khamenei u plagos në një nga shpërthimet e para të operacionit Epic Fury.
Plagët e tij kërkonin një spital të mirëpajisur dhe specialist, gjë që ishte e pamundur ndërsa Irani vazhdon të bombardohet nga SHBA dhe Izraeli.

Putini raportohet se propozoi trajtimin e Mojtaba Khameneit gjatë një telefonate të enjten, me Khamenein që u transferua në Rusi atë mbrëmje.

Ministri i Jashtëm i Iranit thotë se Teherani s’ka kërkuar kurrë armëpushim e as negociata

1 muaj më parë / 15 mar 2026 17:41
Abbas Araghchi

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, thotë se Teherani “kurrë s’ka kërkuar armëpushim e as negociata”. 

Deklarimi i Araghchit vjen pas pretendimeve të presidentit të SHBA-së, Donald Trump, që tha se Irani donte një marrëveshje, porse ai nuk ishte i gatshëm të dakordohej për një të tillë “sepse kushtet nuk ishin mjaftueshëm të mira”. 

“Nuk shohim asnjë arsye pse duhet të flasim me amerikanët, pasi ne ishin duke folur me ta kur ata vendosën të na sulmonin”, tha Araghchi për “CBS News”. “Kjo është një luftë e zgjedhur nga presidenti Trump dhe SHBA-ja, dhe ne do të vazhdojmë të mbrohemi”. 

Ai ka folur edhe për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit. 

Ai thotë se Irani është “i hapur për vendet që duan të bisedojnë” për kalimin e sigurt të anijeve përmes Hormuzit. 

Pa përmendur vende specifike, ai ka thënë se Irani është kontaktuar nga një numër vendesh që duan kalim të sigurt përmes Hormuzit. 
 

U raportua për vdekjen e tij, Netanyahu poston video: Po vdes, për një kafe

1 muaj më parë / 15 mar 2026 17:11
Benjamin Netanyahu

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar me një postim në rrjetin social “X”, pasi nisën të qarkullojnë teori konsipirative në rrjete sociale, ku pretendohej se ai është vrarë nga një sulm iranian, raporton "NDTV". 

Në një video të postuar në “X”, Netanyahu shihet duke postuar një kafe dhe duke u tallur me pretendimet. 

“Po vdes...për një kafe”, tha ai. “E dini çfarë? Po ‘vdes’ për shumë njerëz. Mënyra se si po sillen është fantastike”. 

Në atë video, Netanyahu po ashtu ngriti lartë dy duart dhe i tregoi gishtat e tij. 

Më herët nëpër disa postime në rrjete sociale ishte shfaqur një xhirim nga konferenca e të enjtes e Netanyahus, ku pretendohej se ai i ka gjashtë gishta në një dorë. Këto pamje ishin gjeneruar me inteligjencë artificiale. 

“A doni të numëroni gishtat e mi? Mund t’i shihni...ja ku i keni”, tha Netanyahu.


 

Izraeli po planifikon edhe të paktën tri javë të tjera sulme ndaj Iranit

1 muaj më parë / 15 mar 2026 14:47
Ushtria izraelite

Photo: Associated Press

Ushtria e Izraelit po planifikon të paktën edhe tri javë të tjera të fushatës së saj kundër Iranit, duke konsideruar se janë ende me “mijëra objektiva” që duhet goditur, ka thënë të dielën për CNN zëdhënësi ushtarak i Forcave Izraelite të Mbrojtjes (IDF), Effie Defrin.

“Ne kemi mijëra objektiva përpara. Ne jemi të përgatitur, në koordinim me aleatët tanë amerikanë, me plane që shkojnë të paktën deri te festa hebraike Passover, rreth tre javë nga tani. Dhe kemi plane më të thella edhe për tre javë të tjera pas kësaj”, ka thënë Defrin.

Sipas IDF-së, që nga fillimi i fushatës kundër Iranit më 28 shkurt, forcat ajrore izraelite kanë kryer rreth 400 valë sulmesh në Iranin perëndimor dhe qendror, duke u përqendruar në shkatërrimin e infrastrukturës dhe në shënjestrimin e operativëve të njësive të zjarrit, mbrojtjes dhe prodhimit.

Zyrtarët izraelitë thonë se SHBA-ha dhe Izraeli kanë goditur tashmë mijëra objektiva që nga fillimi i luftës.

Defrin i ka thënë CNN-it se IDF-ja “nuk po punon sipas një kronometri apo një afati të caktuar”, por sipas arritjes së qëllimeve të saj, të cilat janë “dobësimi i rëndë i regjimit iranian”.

Ai ka thënë gjithashtu se ofensiva e madhe SHBA–Izrael kundër Iranit e shtyu Hezbollah në Liban të bashkohej në konflikt, ndryshe nga vendimi i tyre për të qëndruar jashtë gjatë luftës 12-ditore verën e kaluar.

Sipas zyrtarëve izraelitë, operacionet ushtarake të Izraelit në Liban mund të vazhdojnë edhe pas përfundimit të luftës në Iran. 

Irani: Do ta ndjekim dhe do ta vrasim Netanyahun

1 muaj më parë / 15 mar 2026 12:03
Benjamin Netanyahu

Mediet shtetërore iraniane raportojnë se Forcat e Gardës Revolucionare Islamike (IRGC) kanë premtuar se do ta vrasin kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Agjencia gjysmëzyrtare iraniane “Mehr” njofton se IRGC do të “vazhdojë ta ndjekë dhe ta vrasë atë me forcë”.

IRGC po ashtu pretendon se gjatë valës së 52-të të sulmeve të saj janë shkatërruar objektiva në Izrael dhe tre baza amerikane në rajon.

Në anën tjetër Forcat e Mbrojtjes të Izraelit (IDF) thonë se vazhdojnë të godasin infrastrukturën e grupit militant të mbështetur nga Irani, Hezbollah, në Liban.

Sipas IDF-së, të shtunën u goditën disa baza lëshimi në zonën Al-Qatrani të Libanit, ndërsa thuhet se Hezbollah kishte planifikuar të “lëshonte raketa” nga këto vende.

IDF-ja gjithashtu njofton se ka goditur qendra komandimi të forcës Radwan të Hezbollahut në kryeqytetin libanez, Bejrut.

 

Kryediplomati iranian: Të hapur për çdo propozim që përfshin përfundimin e plotë të luftës

1 muaj më parë / 15 mar 2026 11:57 Nga: Associated Press
Abbas Araghchi

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, i tha gazetës arabe “Al-Araby al-Jadeed” se po ndërmerren ndërmjetësime nga fqinjët e Iranit për të ulur tensionet dhe për të propozuar “ide për përfundimin e luftës.”

Ai nuk dha asnjë tregues nëse është arritur ndonjë përparim.

Araghchi gjithashtu theksoi se sulmet e Iranit ndaj fqinjëve arabë janë të kufizuara vetëm ndaj bazave dhe aseteve amerikane. Ai tha se Teherani është i gatshëm të krijojë një komitet të përbashkët me fqinjët për të hetuar këto sulme.

Irani thotë se lideri i ri suprem është në gjendje të mirë shëndetësore

1 muaj më parë / 15 mar 2026 11:14
Mojtaba Khamenei

Mojtaba Khamenei

 

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, ka thënë në një intervistë me Alaraby Aljadeed se lideri i ri suprem, Mojtaba Khamene, është "në shëndet të mirë" dhe "e kontrollon plotësisht situatën".

Mojtaba nuk është shfaqur publikisht që nga emërimi i tij më 8 mars.

Adresimi i tij i parë publik u transmetua nga media shtetërore më 12 mars, e lexuar nga një prezantuese lajmesh.

Në këtë adresim ai thotë se Irani mirëpret çdo "iniciativë rajonale që çon në një përfundim të drejtë të luftës" dhe se Ngushtica e Hormuzit është "ehapur për të gjithë përveç anijeve amerikane dhe aleatëve (të SHBA-së”.

Araghchi ka thënë se "deri më tani nuk ka ndonjë iniciativë të veçantë në tryezë për t'i dhënë fund luftës".

Izraeli lëshon urdhër të ri për evakuim në disa pjesë të Bejrutit

1 muaj më parë / 15 mar 2026 10:59 Nga: BBC
bejrut

Photo: Associated Press

Izraeli ka paralajmëruar disa pjesë në periferitë jugore të kryeqytetit libanez, Bejrut, që të evakuohen “menjëherë” para veprimeve ushtarake izraelite.

Zëdhënësi i Forcave të Mbrojtjes së Izraelit (IDF), Avichay Adraee, tha se paralajmërimi vlen veçanërisht për banorët e Haret Hreik, Ghobeiry, Lilaki, Hadath, Burj al-Barajneh, Tahwitat al-Ghadir dhe Chiyah.

Ai shtoi se IDF nuk do të hezitojë të godasë “këdo që gjendet pranë operativëve të Hezbollahit”.

“Ju po rrezikoni veten dhe jetën tuaj… evakuoni zonën menjëherë,” shkroi ai në X.

Zvicra refuzoi lejen për dy fluturime ushtarake amerikane

1 muaj më parë / 15 mar 2026 09:27
Flamuri zviceran

Photo: Associated Press

Zvicra neutrale tha se refuzoi lejen për dy fluturime të avionëve amerikanë të zbulimit “në kontekstin e luftës në Iran.”

Qeveria deklaroi të shtunën vonë se ligji për neutralitetin e Zvicrës ndalon fluturimet mbi vend nga palët e përfshira në një konflikt që kanë qëllim ushtarak lidhur me atë konflikt. Megjithatë, ligji lejon transit humanitar dhe mjekësor, si dhe fluturime të pakualifikuara me konfliktin.

Zvicra tha se kishte dhënë leje për dy avionë transportues amerikanë për të kaluar mbi vend të dielën dhe për një avion të saposervuar për transit të martën.

Irani: SHBA-ja e Izraeli po përdorin kopjet e dronëve tanë për t’i sulmuar vendet fqinjë

1 muaj më parë / 15 mar 2026 09:15
Iran

Photo: Associated Press

Komanda e përbashkët ushtarake e Iranit akuzoi të dielën “armikun” për përdorimin e dronëve kopje të iranianëve për të sulmuar vendet fqinje dhe për të hedhur fajin mbi Teheranin, raportuan mediat shtetërore.

Irani zakonisht përdor termin “armiku” për t’iu referuar Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit.

Deklarata tha se kopjet e dronit Shahed-136 të Iranit, të njohur si LUCAS, u përdorën për të goditur “objekte të parëndësishme në shtetet rajonale”, përfshirë sulme në Turqi, Irak dhe Kuvajt. Nuk u dhanë dëshmi.

Komanda ushtarake gjithashtu deklaroi se Irani ndan hapur objektivat e tij, që i përshkruan si interesa amerikane dhe izraelite, dhe bëri thirrje për besim dhe bashkëpunim nga vendet e rajonit.