Presidenti Donald Trump kërkoi të hënën që të gjithë kontrollorët e trafikut ajror të “kthehen në punë, menjëherë”, duke paralajmëruar se ata që nuk e bëjnë do të përballen me ndëshkime, ndërsa u premtoi bonuse atyre që kanë vazhduar punën gjatë mbylljes së qeverisë.
“Kushdo që nuk kthehet, do të penalizohet ndjeshëm. Për ata kontrollorë të trafikut ajror që ishin patriotë të mëdhenj dhe nuk morën asnjë ditë pushim gjatë ‘Mashtrimit të Mbylljes Demokratike’, do të rekomandoj një bonus prej 10 mijë dollarësh për shërbim të dalluar ndaj vendit tonë,” shkroi Trump në rrjetin e tij Truth Social. Ai shtoi se ata që nuk punuan “do të kenë një shenjë negative, të paktën në mendjen time, në dosjen e tyre.”
Pas fundjavës më të vështirë për stafin e kontrollit ajror që nga nisja e mbylljes së qeverisë, vonesa për shkak të mungesës së stafit u raportuan edhe të hënën në mëngjes, pavarësisht mundësisë së një marrëveshjeje për t’i dhënë fund krizës. Kontrollorët janë të detyruar të paraqiten në punë gjatë mbylljes, por nuk po paguhen.
Sekretari i Transportit në administratën Trump, Sean Duffy, ka deklaruar se shumë kontrollorë po shqyrtojnë mundësinë e marrjes së punëve të dyta për të përballuar shpenzimet. Ai ka përmendur raste të kontrollorëve që po vozisin për kompani si Uber apo po shpërndajnë ushqim përmes DoorDash për të paguar faturat.
Trump të hënën u bëri thirrje gjithashtu çdo kontrollori që dëshiron të largohet nga puna, ta bëjë këtë pa “asnjë pagesë apo shpërblim”, duke shtuar se ata do të zëvendësohen nga “patriotë të vërtetë.”
“Për ata që nuk bënë gjë tjetër veçse u ankuan dhe morën pushim, edhe pse të gjithë e dinin se do të paguheshin plotësisht pas një kohe të shkurtër, nuk jam i lumtur me ju,” shkroi Trump. “Nëse doni të largoheni nga shërbimi në të ardhmen e afërt, mos hezitoni ta bëni, pa asnjë pagesë apo shpërblim! Do të zëvendësoheni shpejt nga patriotë të vërtetë,” përfundoi ai.