Presidenti amerikan, Donald Trump ka pezulluar për gjashtë muaj fillestarë hyrjen e studentëve të huaj që kërkojnë të studiojnë ose të marrin pjesë në programe shkëmbimi në Universitetin e Harvardit.
Trumpi e ka bërë shpalljen të mërkurën, duke përmendur shqetësime për "sigurinë kombëtare" dhe duke e deklaruar "të dëmshme" për interesat e SHBA-së të vazhdojë të lejojë studentët e huaj në institucion.
Harvard është përgjigjur duke e quajtur urdhrin "hakmarrës" dhe ka theksuar se do të vazhdojë të mbrojë studentët e tij ndërkombëtarë, sipas agjencisë së lajmeve Reuters.
Njoftimi i Trumpit është një përshkallëzim i mëtejshëm i një mosmarrëveshjeje ligjore të vazhdueshme me një nga universitetet më prestigjioze të SHBA-së, pasi Harvardi refuzoi t'i nënshtrohej një sërë kërkesash të Shtëpisë së Bardhë në prill.
Urdhri i së mërkurës vjen pasi një gjyqtar bllokoi Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS) nga ndalimi i studentëve ndërkombëtarë në Harvard në një vendim javën e kaluar.
Në shpalljen e Trumpit akuzohej Harvardi për zhvillimin e "ndërlikimeve të gjera" me vendet e huaja dhe për vazhdimin e "shkeljes së të drejtave civile të studentëve dhe fakultetit të tij".
"Duke marrë parasysh këto fakte, kam përcaktuar se është e nevojshme të kufizohet hyrja e shtetasve të huaj që kërkojnë të hyjnë në Shtetet e Bashkuara vetëm ose kryesisht për të marrë pjesë në një kurs studimi në Universitetin e Harvardit", ka thënë Trumpi.
Urdhri gjithashtu pezullon vizat për studentët ndërkombëtarë që kërkojnë programe shkëmbimi dhe udhëzon sekretarin e Shtetit të marrë në konsideratë revokimin e vizave ekzistuese të studentëve që aktualisht studiojnë në universitet.
Pezullimi mund të zgjatet përtej gjashtë muajve.