Botë

Trump heq dorë nga tarifat: Jemi pajtuar për kornizën e një marrëveshjeje për Grenlandën

Donald Trump

Donald Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se nuk do të vendosë tarifa ndaj vendeve të Evropës, që ishin planifikuar të hynin në fuqi më 1 shkurt.

Në një postim në Truth Social, ai ka shkruar se në një siç tha – takim shumë produktiv me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, kanë formuar kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme në lidhje me Grenlandën.

“Kjo zgjidhje, nëse përmbyllet, do të jetë një zgjidhje shumë e mirë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për të gjitha vendet e NATO-s. Bazuar në këtë mirëkuptim, unë nuk do të vendos tarifat që ishin planifikuar të hynin në fuqi më 1 shkurt. Diskutime shtesë po zhvillohen në lidhje me Kupolën e Artë sa i përket Grenlandës”, ka thënë Trumpi, ka shkruar BBC.

Tutje presidenti Trump ka deklaruar se zëvendëspresidenti JD Vance dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio e i dërguari i posaçëm Steve Witkoff do të jenë përgjegjës për negociatat teksa theksoi se do të ndajë më shumë informacione derisa diskutimet po përparojnë.

“Më shumë informacion do të bëhet i disponueshme ndërsa diskutimet përparojnë. Zëvendëspresidenti JD Vance, sekretari i shtetit Marco Rubio, i dërguari i posaçëm Steve Witkoff dhe të tjerë të ndryshëm, sipas nevojës, do të jenë përgjegjës për negociatat, ata do të raportojnë drejtpërdrejt tek unë. Faleminderit për vëmendjen tuaj ndaj kësaj çështjeje!”, ka shkruar Trump.

SHBA kishte parlajmëruar tarifa prej 10% ndaj Danimarkës, Norvegjisë, Suedisë, Francës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Holandës dhe Finlandës nga data 1 shkurt, shkroi Trump në platformën e tij Truth Social. Gjatë fundjavës, ai kishte kërcënuar gjithashtu se do t’i rriste tarifat në 25% nga 1 qershori.

Kërcënimi kishte shkaktuar shqetësim të gjerë e kritika nga politikanë të lartë evropianë.

Trump e krahasoi mundësinë e vendosjes së tarifave me ato të cilat kishte kërcënuar vitin e kaluar se do t’i vendoste ndaj Francës dhe Gjermanisë për shkak të çmimeve të produkteve farmaceutike.

Presidenti amerikan Donald Trump duke iu referuar shumë komenteve rreth mineraleve, potencoi se Grenlandën e do për siguri dhe për asgjë tjetër.

Tutje, Trumpi ka folur me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, gjatë asaj që ai e përshkroi si një “udhëtim i jashtëzakonshëm” në Davos.

Rutte i tha Trumpit se ai mund të jetë i sigurt që nëse SHBA-ja ndonjëherë sulmohet, “aleatët tuaj do të jenë me ju”, duke shtuar se nën udhëheqjen e Trumpit, aleanca e NATO-s është më e fortë.

I pyetur nëse është lehtësuese të dëgjosh sekretarin e NATO-s, Rutte, Trumpi u përgjigj se NATO do të mbrojë Shtetet e Bashkuara nëse ato sulmohen dhe se shpreson që kjo të jetë e vërtetë. Ai po ashtu shtoi se Rutte është një njeri i mirë që nuk ka gënjyer kurrë më parë.

Më herët në deklaratat e tij, presidenti tha se problemi me NATO-n është se SHBA-ja do të ishte aty për aleatët e saj, por se nuk është i sigurt që ata do të ishin aty nëse do t’i telefononte.

Neni 5 i aleancës së NATO-s parashikon se një sulm ndaj një anëtari konsiderohet sulm ndaj të gjithë anëtarëve. Ai është aktivizuar vetëm një herë, kur SHBA-ja u sulmua më 11 shtator 2001.


Danimarka e mirëpret njoftimin e Trumpit për tarifa

‍Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke ‌Rasmussen, ka deklaruar se e mirëpret njoftimin e Trumpit për të hequr dorë nga vendosja e tarifave shtesë ndaj tetë vendeve evropiane lidhur me Grenlandën, raporton BBC.

Në një intervistë me transmetuesin kombëtar danez DR, ai përsërit se ajo që është e rëndësishme për Danimarkën është t'i japë fund kësaj në një mënyrë që respekton popullin e Grenlandës.

"Nuk do të ndodhë që SHBA-të ta zotërojnë Grenlandën. Kjo është një vijë e kuqe", shton ai.

Ai thotë se premtimi i Trumpit se nuk do të përdorë forcën është një gjë e mirë, por është e qartë se presidenti ka ambicie që Danimarka nuk mund t'i akomodojë.


Suedia mirëpret mosvendosjen e tarifave nga Trumpi

Ministrat e jashtëm evropianë e kanë mirëpritur lajmin se Trumpi nuk do t’i vendosë tarifat me të cilat kishte kërcënuar vendet që mbështesin Danimarkën dhe Grenlandën.

Ministrja e jashtme suedeze Maria Malmer Stenergard tha në një postim në platformën X, se rezistenca pati ndikim.

 "Kërkesat për zhvendosjen e kufijve kanë marrë kritika të merituara. Kjo është edhe arsyeja pse e kemi përsëritur se nuk do të shantazhohemi. Duket se puna jonë së bashku me aleatët ka pasur ndikim", ka shkruar Stenergard.

NATO: Korniza e rënë dakord me SHBA-në do të përqendrohet në ofrimin e sigurisë në Arktik

30 min. më parë / 21 jan 2026 23:02
NATO

Photo: Associated Press

Një zëdhënës i NATO-s i ka thënë partnerit amerikan të BBC-së, CBS News, se korniza e rënë dakord me SHBA-në do të përqendrohet në ofrimin e sigurisë në Arktik përmes përpjekjeve kolektive të aleatëve.

Ai ka shtuar se negociatat midis Danimarkës, Grenlandës dhe SHBA-së do të vazhdojnë me qëllim sigurimin që Rusia dhe Kina të mos fitojnë kurrë një bazë, ekonomikisht ose ushtarakisht, në Grenlandë.

Kujtojmë se presidenti Trump ka mbajtur qëndrimin se interesi i tij për Grenlandën nxitet nga dëshira për të forcuar sigurinë kombëtare dhe ndërkombëtare.

 

Paraprakisht, presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi se nuk do të vendosë tarifa ndaj vendeve të Evropës, që ishin planifikuar të hynin në fuqi më 1 shkurt.

Në një postim në Truth Social, ai ka shkruar se në një siç tha – takim shumë produktiv me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, kanë formuar kornizën e një marrëveshjeje të ardhshme në lidhje me Grenlandën.

Gjatë forumit ekonomik në Davos, Trumpi ka folur me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, gjatë asaj që ai e përshkroi si një “udhëtim i jashtëzakonshëm”.

Rutte i tha Trumpit se ai mund të jetë i sigurt që nëse SHBA-ja ndonjëherë sulmohet, “aleatët tuaj do të jenë me ju”, duke shtuar se nën udhëheqjen e Trumpit, aleanca e NATO-s është më e fortë.