Presidenti i SHBA-së, Donald Trump ka zhvilluar të hënën një bidedë telefonike prej më shumë se dy orë me presidentin rus, Vladimir Putin për paqen në Ukrainë, pasi liderët evropianë kërkuan që Kremlini të pranojë një armëpushim të menjëhershëm për të ndalur konfliktin më vdekjeprurës në rajon që nga Lufta e Dytë Botërore. Trump, i cili thotë se dëshiron të mbahet mend si një paqebërës, ka bërë vazhdimisht thirrje për t'i dhënë fund gjakderdhjes në Ukrainë, të cilën administrata e tij e konsideron si një luftë ndërmjetëse midis Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Zelensky i kërkoi Trumpit të mos marrë vendime për Ukrainën pa e pyetur Ukrainën
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, në një konferencë për media ka treguar se i ka thënë presidentit të SHBA-së, Donald Trump, të mos marrë vendime për Ukrainën pa e pyetur Ukrainën.
“Kërkova që të mos marrë asnjë vendim për Ukrainën pa ne. Këtë kërkesë e bëra para bisedës me Putinin. Këto janë çështje parimore për ne dhe shumë të rëndësishme”, tha Zelensky, transmeton “BBC”.
Zelensky ka thënë se Kievi zyrtar po shqyrton një takim të nivelit të lartë mes Ukrainës, Rusisë, SHBA-së, vendeve të Bashkimit Evropian dhe Britanisë së Madhe.
Ai tha se do të donte që një takim i tillë të mbahej sa më shpejt në Turqi, Vatikan apo Zvicër.
Zelensky ka thënë se një shkëmbim të burgosurish mund të ndodhë brenda ditësh apo javës, por ka riafirmuar vijat e tij të kuqe.
Ai tha se nuk do t’i dorëzohet kërkesave të vazhdueshme të Rusisë, që përfshijnë kontrollin e plotë të pesë rajoneve ukrainase të pushtuara nga Rusia.
“Ukraina s’do t’i tërheqë trupat e saja nga territoret e veta”, tha Zelensky.
Von der Leyen reagon pas telefonatës së Trumpit me Putinin
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen falënderoi presidentin amerikan, Donald Trump për bisedën me presidentin rus Vladimir Putin.
”Patëm një telefonatë të shkëlqyer me presidentin Donald Trump, së bashku me presidentin Emmanuel Macron, kryeministren Giorgia Meloni, presidentin Alexander Stubb, kancelarin Friedrich Merz dhe presidentin Volodymyr Zelensky për të marrë një përmbledhje të telefonatës së tij me presidentin Putin”, shtoi Von der Leyen. ”Dua të falënderoj presidentin Trump për përpjekjet e tij të palodhura për të sjellë një armëpushim në Ukrainë. Është e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara të mbeten të angazhuara”.
Von der Leyen ka thënë se do të vazhdohet të mbështetet Ukraina për të arritur paqe të qëndrueshme.
”Ne do të vazhdojmë të mbështesim Volodymyr Zelensky për të arritur paqe të qëndrueshme në Ukrainë”, shkroi Von der Leyen në platformën “X”.
Trump: Rusia dhe Ukraina do t’i fillojnë menjëherë negociatat për armëpushim
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në një postim në rrjetin social “Truth Social”, ka thënë se Rusia e Ukraina do t’i fillojnë menjëherë negociatat për armëpushim, shkruan "BBC".
Trump postoi pas një bisede telefonike afro dyorëshe me presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.
Ai tha se telefonata shkoi shumë mirë.
“Rusia dhe Ukrainë do t’i fillojnë menjëherë negociatat drejt një armëpushimi dhe më e rëndësishme, t’i japin fund luftës”, ka shkruar Trump.
Ai ka thënë se biseda me Putinin ka qenë në frymë shumë të mirë.
Ka shtuar se kushtet për armëpushim do të jenë në negociatat mes Ukrainës e Rusisë, “sepse ata i dinë detajet e një negociata që askush tjetër nuk do të jetë në dijeni”.
Trump madje ka sugjeruar se bisedimet për paqe mes Rusisë e Ukrainës mund të zhvillohen në Vatikan.
“Vatikani, i përfaqësuar nga papa, ka deklaruar se do të ishte shumë i interesuar të ishte nikoqire e negociatave”, ka shkruar Trump.
Putini thotë se telefonata me Trumpin ishte “informuese dhe e sinqertë”
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka vlerësuar telefonatën afro dyorëshe me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, si “informuese dhe të sinqertë”, raporton “BBC”.
“Ishte shumë informuese dhe mjaft e sinqertë dhe shumë e dobishme në këtë drejtim. Para së gjithash, e falënderova presidentin e SHBA-së për mbështetjen e SHBA-së për rifillimin e negociatave direkte mes Rusisë dhe Ukrainës për një marrëveshje të mundshme paqeje. Presidenti i SHBA-së shprehu qëndrimin e tij për një armëpushim. Nga njëra anë, unë ceka se Rusia favorizon një zgjidhje paqësore për krizën ukrainasëe. Ne thjeshtë duhet të përcaktojnë mënyrat më efektive për të ecur drejt paqes”, ka thënë Putin, raportojnë mediumet shtetërore ruse.
Ai ka thënë se “Rusia do të ofrojë dhe është e gatshme të punojë me Ukrainën për një memorandum për një marrëveshje të mundshme paqeje në të ardhmen”.
Ai ka thënë se në këtë do të përfshihej “edhe një armëpushim i mundshëm për një periudhë të caktuar kohore, nëse arrihet marrëveshja përkatëse”.
Putin ka thënë se rinisja e bisedimeve në Stamboll jep arsye të besohet se “jemi në rrugën e duhur”.
Përfundon pas më shumë se dy orësh telefonata Trump-Putin
Telefonata midis presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij rus, Vladimir Putin ka përfunduar pas më shumë se dy orësh, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.
Media shtetërore ruse TASS ka cituar Putinin të ketë thënë se “në përgjithësi jemi në rrugën e duhur”.
TASS raporton po ashtu se Putini ka thënë se Rusia dhe Ukraina duhet të bien dakord për "kompromiset që u përshtaten të dyja palëve" përpara se të arrihet një armëpushim.
Sipas mediumit, presidenti rus gjithashtu favorizon një "zgjidhje paqësore të krizës së Ukrainës" dhe është i gatshëm të punojë me Kievin për një memorandum mbi bisedimet e ardhshme të paqes.
Si funksionojnë bisedat telefonike mes Trumpit dhe Putinit?
Donald Trumpi dhe Vladimir Putini po zhvillojnë bisedë telefonike të hënën, telefonata e tretë e shpallur zyrtarisht këtë vit mes presidentëve të Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë.
Pas inaugurimit të Trumpit në janar, telefonata e parë e shpallur publikisht midis tij dhe Putinit ishte më 12 shkurt.
Trumpi pati deklaruar atë kohë se si Putini ashtu edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky kishin shprehur dëshirën për paq, në telefonata të ndara, dhe pas kësaj ai pati urdhëroi zyrtarët e lartë amerikanë që të fillonin bisedimet për përfundimin e luftës në Ukrainë.
Ata kanë zhvilluar përsëri bisedë telefonike më 18 mars. Kremlini pati njoftuar se ata kishin folur për rreth 2 orë, një nga telefonatat më të gjata të Putinit.
Putini pati rënë dakord të ndalonte përkohësisht sulmet ndaj objekteve energjetike të Ukrainës, por nuk nuk kishte pranuar të miratonte një armëpushim të plotë 30-ditor që Trumpo shpresonte se do të ishte hapi i parë drejt një marrëveshjeje të përhershme paqeje. Ukraina dhe Rusia akuzuan njëra-tjetrën për thyerjen e moratoriumit në sulmin ndaj objekteve energjetike.
Ata flasin me linja të koduara. Përkthyesit marrin pjesë. Putini flet pak anglisht, por për të negociuar, ai flet rusisht. Deri më tani, ata nuk kanë përdorur video-konferenca.
Trumpi ka thënë vazhdimisht se Putini është i hapur ndaj paqes dhe se Ukraina thjesht nuk i ka "kartat" në luftën kundër Rusisë.
Trumpi ka përjashtuar anëtarësimin në NATO për Ukrainën dhe ka sugjeruar se mbështetja e mëparshme e SHBA-së për zgjerimin e aleancës ushtarake të udhëhequr nga SHBA-ja ishte një shkak i luftës.
Udhëheqësit evropianë thonë se Putini nuk është serioz për paqen dhe kanë frikë nga Trumpi se ai mund të detyrojë një marrëveshje paqeje ndëshkuese për Ukrainën.
Nis biseda Trump-Putin
Telefonata e presidentit amerikan, Donald Trump me homologun e tij rus, Vladimir Putin është duke u zhvilluar, raporton agjencia e lajmeve Reuters duke cituar një zyrtar të Shtëpisë së Bardhë.
Shtëpia e Bardhë ka deklaruar më herët se Trumpi synon të arrijë një armëpushim nga kjo bisedë.
JD Vance: Putini s’po di se si të dalë nga lufta e Ukrainës
Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, ka deklaruar të hënën se nëse Rusia nuk lëviz përtej gabimeve të së kaluarës për të dalë nga lufta e Ukrainës, SHBA-ja do të deklarojë se kjo nuk është lufta e saj.
Duke folur për gazetarët në bordin e Air Force Two, teksa po largohej nga Italia, Vence ka përsëritur deklaratat e presidentit Trump se kjo luftë është nisur në kohën e Joe Bidenit.
Ai ka shtuar se duket sikur presidenti rus, Vladimir Putin, nuk po di se si të dalë nga lufta.
“Putini duket se nuk e di mirë se si të dalë nga lufta e Ukrainës”, ka thënë Vance.
"Është lufta e Joe Bidenit, është lufta e Vladimir Putinit. Nuk është lufta jonë. Ne do të përpiqemi t'i japim fund, por nëse nuk mund t'i japim fund, përfundimisht do të themi: ‘E dini çfarë? Ia vlente të provohej, por ne nuk po vazhdojmë më’”, është shprehur ai.
Vance i ka bërë delaratat pak para bisedës telefonike ndërmjet Trumpit dhe Putinit të hënën, lidhur me Ukrainën.
Shtëpia e Bardhë ka thënë se Trumpi synon armëpushimin në Ukrainë nga kjo bisedë.
Trumpi synon armëpushimin në Ukrainë nga biseda e sotme me Putinin
Presidenti amerikan, Donald Trump, pritet të zhvillojë një bisedë telefonike me homologun e tij rus, Vladimir Putin, të hënën, në ora 14:00 me kohën tonë.
Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka deklaruar se qëllimi i Trumpit për bisedën e sotme është “arritja e një armëpushimi”.
Ajo ka shtuar se presidenti është "shumë i frustruar me të dyja palët e konfliktit", raporton BBC.
E pyetur nëse Trumpi shpreson të organizojë një takim personalisht me homologun e tij rus, Leavitt ka thënë se "presidenti me siguri do të jetë i hapur për këtë".
Sekretari Leavitt ka shtuar se "gjithçka është në tryezë" në të ardhmen, duke përfshirë sanksionet e mundshme dytësore ndaj Rusisë.