SHBA-ja ka hartuar në heshtje një plan me të cilin synon t’i japë fund luftës në mes të Ukrainës dhe Rusisë. Sipas raportimeve, draftpropozimi i ri parasheh që Kievi të heqë dorë nga një pjesë e territorit e të zvogëlojë kapacitetet ushtarake. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, pritet që në ditët në vijim të takohet me homologun amerikan për të negociuar mbi planin 28-pikësh që është kundërshtuar menjëherë nga zyrtarë të lartë evropianë. Moska ka mohuar përfshirjen e saj në diskutimet e deritashme
Një propozim i ri i paqes për Ukrainën, i hartuar nga administrata e Trumpit, mund të përfshijë heqjen dorë të këtij shteti nga një pjesë e territorit të rajonit lindor të Donbasit dhe të kufizojë madhësinë e ushtrisë në këmbim të sigurisë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, sipas një zyrtari perëndimor, që ka njohuri për idetë në fjalë.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se plani ende po përpilohet dhe se çfarëdo marrëveshje përfundimtare duhet të përfshijë lëshime nga të dyja palët, jo vetëm nga Ukraina. Disa nga pikat që po qarkullojnë online – përfshirë disa që duket se kanë favorizim për kërkesat e Moskës – nuk janë përfundimtare, sipas zyrtarëve, dhe ato do të ndryshojnë. Gjatë një konference të enjten, sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë ka thënë se plani mbetet “në ndryshim”.
Pas takimit me një top-zyrtar ushtarak amerikan në Kiev të enjten, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, është pajtuar të punojë me administratën Trump për planin e ri, duke thënë në një postim në media sociale se është i gatshëm për “punë konstruktive, të ndershme e të shpejtë për të arritur paqen”.
Plani 28-pikësh, të cilin presidenti amerikan Donald Trump e ka rishikuar dhe e përkrah, është përpjekja më e fundit e Shtëpisë së Bardhë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Disa nga dispozitat e propozimit – përfshirë lëshimet territoriale në zonat që nuk janë tani nën kontroll nga Rusia – më parë as që mund të hapeshin si çështje diskutimi. Por zyrtarët amerikanë tani shohin mundësi të re për t’i rinisur diskutimet për paqe.
Plani ende është në fazë të kornizës dhe shumë pika nuk janë finalizuar.
“Presidenti Trump e ka bërë shumë të qartë që nga dita e parë, e edhe në fushatën elektorale, se ai dëshiron që kësaj lufte t’i vijë fundi. Ai është frustruar vazhdimisht e më shumë me të dyja palët, si Rusinë ashtu edhe Ukrainën, për shkak të refuzimit të tyre për të arritur marrëveshje paqeje”, ka thënë sekretarja për media e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt. “Megjithatë, presidenti dhe ekipi i tij i sigurisë kombëtare janë të palëkundur në përpjekjet për t’i dhënë fund luftës”.
Ajo ka refuzuar sugjerimet se plani po favorizon Moskën. Ka thënë se administrata “ka biseduar në mënyrë të barabartë me të dyja palët” për ta hartuar planin.
“Është plan i mirë për të dyja dhe ne besojmë se duhet të jetë i pranueshëm për të dyja palët dhe jemi duke punuar shumë që ta arrijmë”, ka thënë ajo.
Ndërkaq sekretari i Shtetit, Marko Rubio, ka thënë se dokumenti ishte “listë e ideve potenciale” më shumë sesa një propozim i kompletuar.
“Përfundimi i një lufte komplekse si ajo në Ukrainë kërkon shkëmbim të gjerë idesh serioze dhe realiste”, ka shkruar ai në X. “Dhe arritja e një paqeje të qëndrueshme kërkon nga të dyja palët që të pajtohen për lëshime të vështira, por të domosdoshme. Kjo është arsyeja pse jemi dhe do të vazhdojmë të hartojmë listë me ide potenciale për t’i dhënë fund kësaj lufte me kontributin nga të dyja palët e konfliktit”.
Megjithatë, disa prej pikave që po propozohen me shumë gjasë do të nxisin kritika nga Ukraina dhe përkrahësit e saj, pasi kërkojnë lëshime të konsiderueshme tokësore. Dy rajonet që formojnë Donbasin, Luhanskun dhe Donetskun, janë ende pjesërisht nën kontroll të Ukrainës.
Në territoret e tjera të kontestuara të Khersonit dhe Zaporizhzhias, sipas zyrtarit që ka folur për këto çështje, vija e frontit do të ndalej aty ku është tash. Moska më herët ka sugjeruar se Kievi duhet të tërhiqet nga të gjitha këto rajone në tërësi.
Në një skenar, Ukrainës do t’i kërkohet të reduktojë edhe madhësinë e ushtrisë së saj dhe të tërheqë prapa disa prej armatimeve, përfshirë ato të fuqishmet me të cilat është furnizuar gjatë kohës së luftës, sipas zyrtarit perëndimor.
Disa pika nën diskutim përfshijnë çështjen e gjuhës ruse dhe të Kishës Ortodokse Ruse në Ukrainë, kur lufta të marrë fund.
Plani përfshin edhe garancitë amerikane të sigurisë që nënkuptojnë se Rusia nuk mund të pushtojë më tej apo të zgjerojë luftën drejt Evropës.
Propozimi ngjan me bisedimet e Stambollit të para luftës së vitit 2022, duke përsëritur disa prej kërkesave më të gjera gjeopolitike të Moskës në lidhje me forcat e armatosura dhe aleancat e Ukrainës.
Bisedimet në Ukrainë
Sekretari i Ushtrisë, Dan Driscoll, është takuar me Zelenskyn në Ukrainë të enjten dhe ia ka dorëzuar planin e propozuar nga Trumpi për paqe, sipas një zyrtari të mbrojtjes amerikane që ka folur për CNN-in.
Driscoll dhe Zelensky kanë diskutuar për “një plan bashkëpunimi për të arritur paqe në Ukrainë” dhe “janë pajtuar për një afat kohor agresiv për nënshkrim”. Zyrtari ka qartësuar se SHBA-ja pret që Zelensky ta nënshkruajë kornizën me SHBA-në për të punuar në drejtim të një marrëveshjeje finale të paqes dhe jo direkt nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare.
Nuk është e qartë se sa do të jetë afati kohor për këtë çështje apo nëse Zelensky do të pajtohet me pikat e tij.
Zyrtarët evropianë dhe ata ukrainas i kanë thënë CNN-it të mërkurën se plani përmban kërkesa të papranueshme dhe maksimale nga ana e Rusisë, përfshirë lëshimin e territoreve në Donbas edhe pse Rusia nuk i ka nën kontroll. Por zyra e presidentit ukrainas ka shkruar në X se “presidenti i Ukrainës ka pranuar zyrtarisht nga pala amerikane një draftplan, që sipas vlerësimit të palës amerikane, mund të ndihmojë në rigjallërimin e diplomacisë”.
“Presidenti i Ukrainës ka theksuar parimet themelore që kanë rëndësi për njerëzit tanë dhe pas takimit të sotëm, palët janë pajtuar të vazhdojnë punën mbi dispozitat e planit në një mënyrë që t’i jepet fund i drejtë luftës”, ka thënë zyra presidenciale e Ukrainës duke shtuar se Zelensky pret që të diskutojë me Trumpin në ditët në vijim.
I pyetur pse ushtria është ngarkuar me zbatimin e planit të paqes në vend të diplomatëve, zyrtari i mbrojtjes ka thënë se “ushtria ka pozicion të besueshëm” me ukrainasit dhe është gjithashtu në Ukrainë për të zhvilluar takime mbi të rejat në fushëbetejë. “Ushtria amerikane është aleat i dëshmuar i Ukrainës”, ka thënë zyrtari.
“Filmi që përsëritet”
Një diplomat evropian i ka bërë jehonë përshkrimit që i ka bërë zyrtari perëndimor propozimit amerikan. Ky diplomat ka thënë për CNN-in se përpjekja e re, që përsërit kërkesat maksimale të vitit 2022, ia kujton “Groundhog Dayn”, film në të cilin ngjarjet vijnë duke u përsëritur vazhdimisht.
Një emisar evropian në Ukrainë ka thënë se plani ka zënë tërë komunitetin diplomatik në befasi.
“Krejt kjo ka qenë edhe më herët dhe është refuzuar. Tani jemi kthyer në pikën fillestare”, ka thënë diplomati. “Për ukrainasit, është thjeshtë një nisme e papranueshme dhe me arsye të mirë. Do të ishte thjesht një ftesë për rusët që të kthehen përsëri në një datë. Do të ishte vetëvrasje politike për çdo udhëheqës ukrainas (ta pranonte) dhe do të ishte vetëvrasje ushtarake nëse dorëzohet zona e fortifikuar”.
Diplomati po ashtu ka përshkruar se si ministritë e jashtme në Evropë dhe më gjerë kanë kontaktuar Washingtonin për udhëzime mbi planin.
“Kemi dëgjuar direkt nga njerëzit në Departamentin e Shtetit dhe në Capitol Hill se askush nuk ka ditur asgjë për planin derisa u zbulua nga mediat”, ka thënë diplomati. “Njerëzit që është dashur të dinin për të, s’kanë ditur gjë. Ka shumë konfuzion”.
Në komentet e para qëkur doli plani në publik, shefja për politikë të jashtme e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, u ka thënë gazetarëve të enjten se “në mënyrë që një plan të funksionojë, aty duhet të jenë të përfshirë ukrainasit dhe evropianët”. Ndërkohë ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski, i ka thënë CNN-it se çfarëdo plani duhet të përfshirë Evropën dhe t’i japë Kievit kapacitete për ta mbrojtur veten.
“Ne kemi interes shumë më të madh në këtë sesa SHBA-ja dhe për këtë arsye, Ukraina, por edhe Evropa, duhet të jenë të përfshira”, ka thënë ai.
Emisari special i Trumpit, Steve Witkoff, ka udhëhequr përpjekjet për planin. Sipas një burimi, negociatat janë përshpejtuar këtë javë pasi administrata ka krijuar përshtypjen se Kremlini ka shprehur gatishmërinë për marrëveshje. Siç ka thënë një zyrtar amerikan, Witkoffi ka punuar në heshtje për planin qe një muaj, duke marrë për bazë kërkesa nga të dyja palët.
Kremlini, ndërkaq, ka mohuar se ka punuar me SHBA-në për një plan paqeje në Ukrainë, duke thënë se “nuk ka asnjë zhvillim të ri”.
“Nuk kemi asgjë për të shtuar mbi atë që është thënë në Anchorage”, ka thënë zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, duke iu referuar takimit të gushtit në mes të presidentëve rusë, Vladimir Puitn, dhe atij amerikan, Donald Trump, në Alaskë. “Nuk kemi asnjë zhvillim të ri”.