Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se do të takohet me homologun e tij kolumbian, Gustavo Petro në Shtëpinë e Bardhë në "të ardhmen e afërt", vetëm disa ditë pasi tha se një operacion që synon Kolumbinë "tingëllon mirë".
SHBA-ja ka arrestuar presidentin e Venezuelës fqinje, Nicolas Maduro, gjatë një sulmi në Karakas të shtunën në mbrëmje.
Ministri i Brendshëm i Venezuelës, Diosdado Cabello, ka thënë të mërkurën se numri i të vdekurve në sulm ishte dukshëm më i lartë se sa u raportua fillimisht, me më shumë se 100 të vrarë.
Mediat lokale kanë raportuar të mërkurën se 23 ushtarë venezuelianë dhe 32 kubanë vdiqën kur forcat amerikane sulmuan kompleksin e Maduros.
E gjatë një telefonate me Trumpin, Petro shpjegoi "situatën e drogës dhe mosmarrëveshjeve të tjera", ka thënë presidenti i SHBA-së, duke shtuar se e vlerësonte "tonin" e presidentit kolumbian.
Në fillim të kësaj jave, Trumpi i ka lëshuar një paralajmërim Petros, duke i thënë të "kishte kujdes".
Kolumbia është një nga qendrat kryesore për tregtinë e drogës në rajon, veçanërisht kokainën, si dhe ka rezerva të konsiderueshme nafte.
Është gjithashtu një prodhues i madh i arit, argjendit, smeraldeve, platinit dhe qymyrit.
SHBA-ja ka thënë se do të kontrollojë shitjet e naftës venezueliane “për një kohë të pacaktuar”, ndërsa përgatiten të heqin kufizimet për naftën bruto të vendit në tregjet globale, sipas Shtëpisë së Bardhë.