Botë

Trumpi dërgon Gardën Kombëtare në Los Angeles pas përleshjeve të dhunshme

Protesta ne LA

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka vendosur t’i dërgojë 2000 ushtarë të Gardës Kombëtare në Los Angeles për t’u përballur me trazirat e shkaktuara pas bastisjeve ndaj migrantëve pa dokumente, raporton “BBC”. 

Cari kufitar i Trumpit, Tom Homan, ka thënë për “Fox News” të shtunën: “Po e bëjmë Los Angelesin më të sigurtë”. 

Qyteti në Kalifornia është përballur me trazira të shtunën për ditën e dytë rresht, ndërsa banorët e një lagjeje kryesisht të banuar me latino-amerikanë u përplasën me agjentët federalë të Imigracionit dhe Doganave (ICE). Gaz lotsjellës është përdorur për t’i shpërndarë turmat në lagjen Paramount. 

Plot 118 arrestime janë bërë në Los Angeles këtë javë si rezultat i operacioneve të ICE-së, përfshirë 44 të premten. Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newson, i ka dënuar bastisjet duke i quajtur “mizore”. 

Newsom ka zhvilluar bisedë telefonike me Trumpin të shtunën dhe kanë folur për 40 minuta, ka thënë një zëdhënës i guvernatorit për “CBS News”. Nuk janë bërë të ditura detajet e bisedës. 
Paramount është qetësuar ndjeshëm, por përleshjet mes protestuesve dhe forcave ligjtzbatuese vazhdojnë të ndodhin. 

Sherifët e qarkut të Los Angelesit janë duke përdorur vazhdimisht lotsjellës për t’i larguar protestuesit. 

Popullata e Paramount është mbi 80 për qind hispanike. 

“Këto operacione janë thelbësore për t’i ndaluar kriminelët e paligjshëm që po pushtojnë SHBA-në. Pas kësaj dhune, udhëheqësit demokratë të paepur kanë hequr plotësisht dorë nga përgjegjësia për t’i mbrojtur qytetarët e tyre. Kjo është arsyeja pse presidenti Trump ka nënshkruar një Memorandum Presidencial që vendos 2000 ushtarë të Gardës Kombëtare për ta adresuar paligjshmërinë që është lejuar të përkeqësohet”, është thënë në një komunikatë nga Shtëpia e Bardhë. 

E cari kufitar i Trumpit, Homan ka konfirmuar vendimin e presidentit. 

Ai paralajmëroi se ka “zero tolerancë” ndaj çdo dhune apo dëmtimi të pronës private. 

Ndërkohë sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, ka shkruar në platformën “X” se departamenti i tij po “mobilizon Gardën Kombëtare menjëherë për ta mbështetur zbatimin e ligjit federal në Los Angeles”. 

“Nëse dhuna vazhdon, do të mobilizohen edhe marinsët në detyrë në Kampin Pendleton, ata janë në gatishmëri të lartë”, ka shkruar Hegseth. 

E vonë të shtunën, Departamenti i Policisë së Los Angelesit (LAPD), lëshoi një deklaratë duke thënë se “protestat në të gjithë qytetin mbetën paqësore dhe se i përgëzojmë të gjithë ata që ushtruan të drejtat e tyre të Amendamentit të Parë me përgjegjësi”. 

Guvernatori Newsom të premten tha se “vazhdimi i sulmeve kaotike federale, në të gjithë Kaliforninë, për ta përmbushur një kuotë arbitrare arrestimi, është po aq i pamatur sa edhe mizor”. 

“Kaosi i Donald Trump po gërryen besimin, po shkatërron familjet dhe po minon punëtorët dhe industritë që fuqizojnë ekonominë e Amerikës”, ka thënë Newsom. 

Kryebashkiakja e Los Angelesit, Karen Bass, më parë akuzoi ICE-në për “mbjellje terrori”. 

E guvernatori Newsom tha se masa e qeverisë federale për të dërguar 2000 ushtarë është me qëllim për të nxitur dhe “vetëm do të përshkallëzonte tensionet”. 

“Autoritetet e Los Angelesit janë në gjendje të kenë qasje në ndihmën e zbatimit të ligjit në çdo moment”, tha ai. 

E Trump në “Truth Social” e sulmoi guvernatorin e Kalifornisë, duke thënë se nëse ai dhe Bass nuk mund ta bëjnë punën e tyre, “atëherë Qeveria Federale do të ndërhyjë dhe do ta zgjidhë problemin”. 
 

Vazhdojnë përleshjet mes protestuesve dhe policisë në Los Angeles

58 min. më parë / 8 qer 2025 12:33
Los Angeles

Photo: Associated Press

Përleshjet midis protestuesve dhe policisë në Los Angeles po vazhdojnë edhe në orët e para të së dielës me kohën amerikane, megjithëse ka raportime kontradiktore nga media atje në lidhje me situatën aktuale.

Sipas New York Times, përballja midis policisë dhe demonstruesve në Paramount është përshkallëzuar gjatë orës së kaluar, pasi protestuesit thuhet se kanë hedhur fishekzjarre drejt policisë, ndërsa oficerët kanë qëlluar me predha me sprej piperi dhe armë të tjera në përgjigje, raporton BBC.

Departamenti i Policisë së Los Angelesit, i cili i shërben qytetit ka lëshuar përditësime që sugjerojnë se trazirat po vazhdojnë në qendër të Los Anxhelosit.

Në një përditësim pas mesnatës sipas orës lokale, departamenti ka thënë se disa persona ishin ndaluar pasi kishin shkelur një urdhër shpërndarjeje, ndërsa disa mbyllje rrugësh ishin në fuqi për shkak të "tubimit të paligjshëm".

NBC News ka raportuar se protestat po shuheshin me grupe të vogla protestuesish që ecnin nëpër rrugë duke valëvitur flamuj.