Botë

Trump për vendimin e gjykatës: Gjithçka u bë nga Bideni dhe njerëzit e tij

Donald Trump

Ish-presidenti amerikan, Donald Trump, në një konferencë për media të premten ka thënë se vendimi që ai të shpallej fajtor për falsifikim të dokumenteve të biznisit, “është bërë nga presidenti aktual Joe Biden dhe njerëzit e tij”.

“Veç sa ta kuptoni, krejt kjo është bërë nga Bideni dhe njerëzit e tij, ndoshta njerëzit e tij, e më e rëndësishmja, nuk e di nëse ai di për këtë sepse nuk e di nëse ai di ndonjë gjë për çkado, por ai është megjithatë presidenti dhe ne duhet ta përdorim emrin e tij. Kjo është bërë nga Washingtonit dhe askush s’ka parë ndonjëherë diçka të tillë”, ka thënë ai.

Trumpi ka thënë se do të apelojë vendimin.

“Nëse mund të ma bëjnë mua këtë, ata mund t’ua bëjnë këtë kujtdo”, ka shtuar ai duke përsëritur se Bideni “po e shkatërron shtetin”.

Trumpi ka përsëritur sulmin mbi jurinë. Ai ka thënë se dëshmitarët pro tij janë kryqëzuar. 

I pyetur nëse i druhet burgimit, Trumpi ka thënë se “këtë normalisht që do ta thoshte një i moshuar”. “Por unë nuk ndihem 77-vjeçar”, ka theksuar ai.

Të enjten në mbrëmje, Trumpi u shpall fajtor në një gjykatë në New York për falsifikim të të dhënave biznesore të kompanisë. Ai u shpall fajtor në 34 akuzat që rëndonin mbi të.

Trumpi akuzohej se kishte falsifikuar të dhënat për të fshehur rimbursimet që ia kishte bërë avokatit të tij, Michael Cohen, i cili i ka paguar aktores së pornografisë, Stormy Daniels, 130 mijë dollarë në fushatën presidenciale të 2016-s, në këmbim që ajo të mos e paraqiste publikisht pretendimin se me Trumpin ka pasur marrëdhënie seksuale një dekadë më herët.

Trumpi me këtë rast u bë ish-presidenti i parë që dënohet për vepër penale.

Çdo akuzë mbart një dënim maksimal prej 4 vjetësh, e në total Trumpi mund të përballet me një dënim maksimal prej 136 vjetësh.

Atij dënimi do t'i kumtohet më 11 korrik, vetëm pesë ditë para fillimit të Konventës Kombëtare Republikane, ku ai pritet të emërohet zyrtarisht si kandidati republikan për president.