Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të mërkurën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta detyrojnë Spanjën të paguajë dyfishin në marrëveshje tregtare, pas refuzimit të vendit iberik për ta arritur objektivin e ri të NATO-s prej 5 për qind të Bruto Produktit të Brendshëm (BPB) për shpenzimet në fushën e mbrojtjes, ka raportuar Reuters.
Udhëheqësit e NATO-s e jetësuan të mërkurën zotimin për rritjen historike të shpenzimeve në mbrojtje, të cilën Trumpi e kishte kërkuar qëmoti, mirëpo autoritetet në Spanjë kanë njoftuar se nuk kanë nevojë ta arrijnë objektivin e ri dhe se mund t’i përmbushnin angazhimet e aleancës duke shpenzuar më pak.
Presidenti amerikan e ka kualifikuar vendimin e Spanjës si “të tmerrshëm”, teksa është zotuar se do ta detyronte vendin të kompensonte diferencën.
“Ne po negociojmë me Spanjën për një marrëveshje tregtare. Do t’i detyrojmë ata që të paguajnë dyfishin”, ka thënë ai.
Si anëtare e Bashkimit Evropian, Spanja nuk negocion drejtpërsëdrejti me Shtetet e Bashkuara rreth çështjeve tregtare – kjo hyn në kuadër të kompetencave të Komisionit Evropian i cili i zhvillon bisedimet në emër të 27 vendeve anëtare.
Trump mund ta ketë të vështirë të zbatojë kërcënimin e tij për të ndëshkuar Spanjën përmes një pakti tregtar, përveç nëse e përfshin këtë çështje në një marrëveshje më të gjerë me BE-në.
Në Ministrinë spanjolle të Ekonomisë kanë refuzuar të komentojnë rreth këtyre deklaratave.
