Botë

Trump: Jam i zhgënjyer, por ende s’kam përfunduar punë me Putinin

Trump

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë gjatë një telefonate ekskluzive për mediumin britanik BBC, se është i zhgënjyer, porse akoma do të vazhdojë të angazhohet me homologun e tij rus, Vladimir Putin.

I pyetur nga BBC-ja se a vazhdon t’i besojë shefit të Kremlinit, Trumpi është përgjigjur se “nuk i beson pothuajse askujt”.

Telefonata është zhvilluar disa orë pasi ai i ka njoftuar planet për të dërguar armë në Ukrainë përmes NATO-s, përfshirë “njoftimin e madh” për tarifa të rënda ndaj Rusisë nëse nuk arrihet një marrëveshje për armëpushim brenda afatit 50-ditor.

Ai e kishte bërë këtë njoftim gjatë takimit në Zyrën Ovale me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte.

Sipas tij, tarifat do të jenë dytësore, që nënkupton se synohen Moska dhe partnerët tregtarë të saj, në përpjekje për ta izoluar atë nga ekonomia globale.

E në intervistën e mbajtur përmes lidhjes telefonike, presidenti amerikan ka ripërsëritur mbështetjen për NATO-n, ndonëse dikur e kishte përshkruar aleancën si të vjetruar, duke pohuar përkushtimin e tij ndaj parimit kyç të mbrojtjes kolektive.

Trump, i cili e kishte filluar mandatin e dytë me qasje më të butë ndaj Rusisë, kohëve të fundit e ka shprehur disa herë zhgënjimin e tij me Putinin, për shkak të mosgatishmërisë së këtij të fundit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Kremlini: Deklaratat e Trumpit për Rusinë dhe Putinin janë serioze

3 o. më parë / 15 kor 2025 12:54
Vladimir Putin

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të martën se deklaratat më të fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, përfshirë kërcënimin me tarifa ndaj shteteve që blejnë eksportet ruse, janë serioze dhe duhet të analizohen, ka shkruar Reuters.

Trumpi kishte njoftuar të hënën, gjatë takimit me shefin e NATO-s, Mark Rutte, se do të dërgonte armatim të sofistikuar në drejtim të Ukrainës, si dhe ka paralajmëruar se do të vendosë “tarifa të rënda” ndaj vendeve të cilat blejnë mallra e shërbime ruse, në qoftë se Rusia s’pajtohet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

I pyetur lidhur me zhvillimet e fundit, Peskov ka thënë se “këto deklarime të presidentit amerikan janë shumë serioze, dhe se disa prej tyre i adresohen personalisht presidentit Putin”.

“Natyrisht se na duhet kohë për të analizuar se çfarë u tha në Washington. E nëse presidenti Putin e sheh të nevojshme për t’u përgjigjur, atëherë ai absolutisht do të ofrojë komentet e tij”, ka shtuar Peskov.

Tek iu ka referuar lajmeve për dërgesa të reja armësh në Kiev, zëdhënësi i Kremlinit ka theksuar se “vendimet që po merren në Washington, në vendet e NATO-s dhe drejtpërdrejt në Bruksel, po perceptohen nga pala ukrainase jo si sinjal për paqe, por si sinjal për të vazhduar luftën”.

Ai ka ripërsëritur qëndrimin se Rusia është e gatshme për të vazhduar negociatat e drejtpërdrejta me Ukrainën, dhe se është ende duke pritur për sinjalet e Kievit se kur mund të zhvillohet rundi i tretë negociator.