Botë

Trump: Duhet ta marrim Grenlandën, asnjë komb s’mund ta mbrojë

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka përsëritur edhe në Forumin e Davosit në Zvicër synimin e tij për të marrë Grenlandën nën kontrollin amerikan. 

Ai e ka quajtur ishullin një "vend të gjerë, pothuajse të pabanuar dhe të pazhvilluar, që rri i pambrojtur".

“Nuk ka diçka të tillë si materiale të rralla tokësore në Grenlandë. Ajo që ka rëndësi është siguria e saj strategjike kombëtare dhe siguria ndërkombëtare", ka deklaruar Trumpi duke iu referuar vazhdimisht ishullit si "një copë akulli".

Ai ka shtuar se as Danimarka, territor gjysmëautonom i së cilës është Grenlanda dhe asnjë komb tjetër nuk mund ta mbrojë ishullin më të madh në botë. 

“Asnjë komb ose grup kombesh nuk është në gjendje që të ofrojë siguri për Grenlandën, përveç SHBA-së. Secili aleat i NATO-s ka obligim që të jetë në gjendje ta mbrojë territorin e tij. Ne jemi një fuqi e madhe, më e madhe se që mund të imagjinohet madje”, është shprehur ai.

Trumpi ka kritikuar Danimarkën si “mosmirënjohëse” për refuzimin për të hequr dorë nga kontrolli i Grenlandës, duke pretenduar se kombi i detyrohej SHBA-së për mbrojtjen e saj gjatë Luftës së Dytë Botërore.

“Danimarka ra në duart e Gjermanisë pas vetëm gjashtë orësh luftimesh dhe ishte plotësisht e paaftë të mbronte as veten dhe as Grenlandën. Kështu që Shtetet e Bashkuara u detyruan ta bënin këtë”, ka deklaruar ai, duke u ankuar për vendimin e SHBA-së në atë kohë për të lejuar Danimarkën të mbante Grenlandën si territor.

“Sa budallenj ishim që e bëmë këtë!... Por sa mosmirënjohës janë tani?”, ka shtuar ai. 

Lexo përditësimet tjera
Donald Trump

Grenlanda, kryetemë e takimeve të Trumpit në Davos