Botë

Trump: Do t’i takojë Putinin e Zelenskyn vetëm pasi të arrihet marrëveshja

Donald Trump

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë të martën se plani i tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë është “përmirësuar” dhe se po e dërgon emisarin Steve Witkoff për t’u takuar me presidentin  rus Vladimir Putin, e po ashtu po e dërgon sekretarin e Ushtrisë, Dan Driscoll të takohet me zyrtarët ukrainas, raporton agjencia “AP”. 

Trump ka sugjeruar se do të takohet me Putinin dhe presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, por jo para se të bëhet një përparim i mëtejshëm në negociata. 

“Do të informohem për gjithë përparimin e bërë, së bashku me zëvendëspresidentin JD Vance, sekretarin e Shtetit Marco Rubio, sekretarin e Luftës, Pete Hegseth dhe shefen e stafit të Shtëpisë së Bardhë, Susie Wiles. Pres me padurim të takohem së shpejti me presidentin Zelensky dhe presidentin Putin, por vetëm kur marrëveshja për t’i dhënë fund kësaj lufte të jetë përfundimtare ose në fazën përfundimtare”, ka shkruar Trump në rrjete sociale. 

Trump ka folur pasi Driscoll ka mbajtur bisedime të hënën mbrëma dhe të martën me zyrtarët rusë në Abu Dhabi.