Botë

Tri pengesat e mëdha në arritjen e paqes mes Ukrainës e Rusisë

Ukraine

Foto: Associated Press

Pavarësisht "disa pikave të mbetura të mosmarrëveshjes", presidenti amerikan, Donald Trump ka përshëndetur "progresin e jashtëzakonshëm" të bërë nga ekipi i tij drejt përfundimit të luftës së Rusisë në Ukrainë.

Edhe diplomati i tij më i lartë, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, është shprehur shumë optimist pas bisedimeve të cilat ai i ka quajtur “shumë pozitive” për Ukrainën në Gjenevë në fundjavë.

"Pikat që mbeten nuk janë të pakapërcyeshme", ka thënë Rubio të dielën.

Ndërkohë, ndërsa i dërguari ushtarak amerikan, Dan Driscoll u takua me zyrtarë rusë në Abu Dhabi, u deklarua madje se "ukrainasit kanë rënë dakord për marrëveshjen e paqes", pavarësisht "disa detajeve të vogla që duhen zgjidhur".

Kjo është kthesa uniforme optimiste që administrata Trump i ka vënë negociatave të vështira dhe të ndjeshme që po zhvillohen aktualisht për të krijuar një qëndrim të përbashkët të SHBA-së, Ukrainës dhe Evropës se si lufta e Ukrainës duhet të përfundojë me negociata.

Por sipas një burimi të lartë ukrainas me njohuri të drejtpërdrejtë të negociatave, ka ende boshllëqe të konsiderueshme midis asaj që administrata Trump po kërkon nga Ukraina dhe asaj që autoritetet e sulmuara në Kiev janë të gatshme të pranojnë.

Duke folur për CNN nga kryeqyteti ukrainas, burimi është pajtuar se një “konsensus” ishte arritur me të vërtetë për shumicën e pikave të përcaktuara në propozimet e paqes prej 28 pikash të SHBA-së, të publikuara javën e kaluar.

Por burimi ka thënë se, larg nga të qenit vetëm disa pika të vogla mosmarrëveshjeje, ka ende të paktën tri fusha thelbësore ku mbeten dallime të rëndësishme - dallime që mund të ndikojnë ose të pengojnë përpjekjet për të negociuar një fund të konfliktit.

Çështja e parë e ndjeshme është nëse Ukraina do të dorëzojë territore kyçe në rajonin Donbas të Ukrainës lindore, të aneksuar por ende të papushtuar nga Rusia, dhe duke përfshirë "brezin e fortesës" të qyteteve dhe qytezave të mbrojtura që shihen si jetësore për sigurinë ukrainase.

Propozimet e mëparshme të SHBA-së kërkonin që Ukraina të dorëzonte tokën për t'u bërë një zonë e demilitarizuar e administruar nga Rusia. Burimi ukrainas i ka thënë CNN-it se ka pasur "progres të caktuar" në atë propozim, por se ende nuk është arritur asnjë vendim mbi substancën ose formulimin në draft propozimet.

"Do të ishte shumë gabim të thuash se tani kemi versionin që është pranuar nga Ukraina", ka thënë burimi.

Së dyti, propozimi kontravers i SHBA-së që Ukraina të kufizojë madhësinë e ushtrisë së saj në 600,000 - një shifër e parashikuar në planin 28-pikësh - është gjithashtu ende duke u diskutuar.

Burimi ukrainas i ka thënë CNN-it se është folur për një numër të ri, më të lartë, por se Kievi ende dëshiron ndryshime të mëtejshme përpara se të jetë i përgatitur të bjerë dakord për kufizime të tilla në ushtrinë e tij.

Së fundmi, për çështjen e heqjes dorë nga ambicia e Ukrainës për t'u bërë anëtare e NATO-s, burimi i ka thënë CNN-it se kjo kërkesë mbetet e papranueshme. Një lëshim i tillë do të vendoste një "precedent të keq", ka thënë burimi për CNN, dhe në fakt do t'i jepte Rusisë një veto mbi aleancën ushtarake perëndimore, pjesë e së cilës nuk është fare.  

Të tri çështjet - dorëzimi i territorit të aneksuar, demilitarizimi i Ukrainës dhe përjashtimi i saj i përhershëm nga NATO, janë arsyet më të shpeshta të përmendura nga Kremlini për të zhvilluar luftë në Ukrainë. Zgjidhja e tyre në favor të Rusisë është gjithashtu kushti kryesor i Moskës për t'i dhënë fund fushatës së saj brutale.

Por të tri pikat e diskutuara nga burimi janë gjithashtu vija të kuqe të ndjeshme dhe të vjetra për Ukrainën, mbi të cilat dhjetëra mijëra trupa ukrainase kanë luftuar dhe kanë vdekur. Largimi formal nga secila prej tyre është një kërkesë e madhe dhe potencialisht do të mbartte rreziqe të konsiderueshme për udhëheqësit ukrainas që përpiqen ta bëjnë këtë.

Sido që ta paraqesë administrata Trump, këto janë larg nga vetëm "disa pika të mbetura mosmarrëveshjeje", ose “pika që nuk janë të pakapërcyeshme”, apo edhe "detaje të vogla që duhen zgjidhur”.