Botë

Treni del nga shinat në Zvicër si pasojë e një orteku

Zvicër

Ortekët e shkaktuar nga reshjet e dendura të borës në Alpet Evropiane morën jetë të tjera gjatë fundjavës, ndërsa një tren doli nga shinat si pasojë e një orteku në Zvicër të hënën dhe rrugë e fshatra përreth Mont Blanc u mbyllën ose u vënë nën urdhra evakuimi.

Ndërsa zona të mëdha të Alpeve perëndimore mbetën nën rrezik të lartë orteku, pas një jave në të cilën alarmet arritën në kategorinë 5, nivelin më të lartë, policia zvicerane ka thënë se dalja nga shinat e trenit, e shkaktuar nga një ortek, ka lënë të lënduar pesë persona pranë qytetit Goppenstein.

Ngjarja në Zvicër pasoi një seri ortekësh vdekjeprurës në Alpe në ditët e fundit, që përfshinë skiatorë.

Të premten, dy britanikë ishin mes tre skiatorëve që humbën jetën nga një ortek, ndërsa shoqëroheshin nga një instruktor në juglindje të Francës.

Një shtetas francez, i cili po skijonte i vetëm, ka vdekur gjithashtu. Prokurori i Albertville, Benoit Bachelet, ka thënë se instruktori i skive, i cili shpëtoi pa lëndime, rezultoi negativ pas analizave të gjakut dhe testeve për drogë. 

Në një incident tjetër të dielën, një ortek mori jetën e dy skiatorëve në anën italiane të Mont Blanc.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 11:00 në Couloir Vesses, një pistë e njohur e vendosur në zonën e sipërme të Val Veny, pranë kufirit me Francën dhe Zvicrën.