Botë

Tony Blair “mund ta qeverisë Gazën”, sipas modelit të Kosovës

Tony Blair

Ish-kryeministri britanik, Tony Blair, dëshiron ta udhëheqë Gazën sapo që lufta në mes të Izraelit dhe Hamasit të marrë fund. Ai veçse ka përgatitur një plan për t’i dhënë fund luftës. Këtë e ka bërë nëpërmjet ‘think-tankut’ të tij, “Instituti Tony Blair (TBI)”. E sipas mediave ndërkombëtare, një nga idetë që mund të shfrytëzohet për ta qeverisur Gazën është ajo e modelit të administrimit të Kosovës në vitet e pasluftës deri në kalimin e plotë të kompetencave te institucionet e pavarura të Kosovës.

“The Telegraph” ka raportuar të enjten se Tony Blair është ofruar që ta udhëheqë një qeveri të përkohshme në Gaza nën kushtin që pushteti më pas do t’i jepej Autoritetit Palestinez që e ka udhëhequr Rripin e Gazës deri më 2006.

Ai e ka përkrahjen e disa figurave të pushtetshme, përfshirë Jared Kushnerin, dhëndrin e presidentit amerikan Donald Trump, dhe Steve Witkoff, emisarin special të Trumpit. Në një takim me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë më 27 gusht, Kushner dhe Witkoff kanë thënë se ish-lideri laburist mund të udhëheqë administratë të përkohshme në Gazë.

Burimet i kanë thënë “The Economist” se Tony Blair ka vullnet “ta sakrifikojë kohën e tij” për t’i dhënë fund luftës dhe për ta menaxhuar Gazën.

Trumpi e ka mbështetur planin para se t’ua prezantojë idenë liderëve të Turqisë, Pakistanit, Indonezisë dhe pesë shteteve arabe në Asamblenë e Përgjithshme të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në New York. 

“Ndoshta mund t’i japim fund luftës qysh tash”, raportohet t’u ketë thënë ai atyre.

Pas largimit nga posti i kryeministrit e deri më 2015, ish-kryeministri Blair ka qenë emisar special i Kuartetit në Lindjen e Mesme (trupë e përbërë prej OKB-së, SHBA-së, BE-së dhe Rusisë), që ndërmjetëson procesin e paqes Izrael-Palestinë.

Zëdhënësi i Tony Blairit ka refuzuar të komentojë mbi këto raportime.

Trumpi të enjten në një konferencë krah presidentit turk Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se një marrëveshje paqeje mund të jetë afër.

Burimet i kanë thënë në të kaluarën “The Telegraph” se Tony Blair ka qenë duke punuar për një plan për fundin e luftës, që kur shpërtheu në tetor të 2023-s. Plani i tij, i përditësuar dhe rishikuar në vazhdimësi, nuk përfshin çështje të zhvendosjes së palestinezëve, por krijimin e një trupe të përkohshme të quajtur Autoriteti Ndërkombëtar Kalimtar për Gazën (GITA). I themeluar nga OKB-ja, GITA do ta udhëhiqte Gazën e pasluftës për disa vite para se të kalonte pushteti te Autoriteti Palestinez, që do të duhej të kalonte nëpër reforma paraprakisht.

GITA do të ishte njëlloj “autoriteti suprem politik e ligjor për Gazën gjatë periudhën e tranzicionit”, sipas një draftpropozimi të publikuar nga “The Times” i Izraelit.

Aty parashihet të ketë edhe përfaqësues palestinezë në bord. Po ashtu parashihen edhe zyrtarë të OKB-së, figura udhëheqëse ndërkombëtare me përvojë në ekonomi dhe “përfaqësim të fuqishëm të shteteve myslimane”.

Në takimin e gushtit, Trumpi ia ka dhënë Blairit dy javë për të siguruar mbështetje rajonale për planin e tij. Kryesisht ia ka kërkuar mbështetjen Arabisë Saudite, si shtet të cilin e sheh si kyç për planin e pasluftës.

E Mohamed bin Salmani, princi i kurorës, dëshiron që çfarëdo plani i pasluftës të çojë në themelimin e një shteti palestinez, diçka që kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka refuzuar kategorikisht.

Sipas anketimeve të TBI-së, më shumë se çereku i palestinezëve të Gazës preferojnë përfshirje ndërkombëtare në qeverisje sapo të marrë fund lufta. Një e treta ndërkohë preferojnë përfshirjen e Autoritetit Palestinez, të presidentit Mahmoud Abbas. E ai ka thënë të enjten se administrata e tij është e gatshme të marrë kontrollin për qeverisje dhe siguri në Gazë dhe është zotuar se Hamasi s’do të kishte rol në një qeverisje të tij. E grupi terrorist kërkon që t’i lejohet njëlloj përfaqësimi joushtarak, përfshirë edhe në arsim.

Sipas “The Economist”, GITA parashihet të modelohet bazuar në administratat ndërkombëtare që ishin të vendosura në Timorin Lindor dhe në Kosovë në periudhën e tranzicionit deri në shtetësi të plotë. Mund të merret për bazë provinca el-Arish, në Egjipt.

Nën këtë plan, Gaza dhe Bregu Perëndimor do të ribashkoheshin, para se territori palestinez do t’i bartej Autoritetit Palestinez, por për këtë ende duhet pajtimi i këtij autoriteti. Këshilltarët e Abbasit kanë paralajmëruar se plani i Tonyt mund të shndërrohet në një lloj pushtimi.

E Izraeli veçse e ka kundërshtuar idenë që Autoriteti Palestinez të ketë rol në qeverisjen e Gazës, por është angazhuar “në mënyrë konstruktive” për planin.

Bezalel Smotrich, ministri i financave i Izraelit, ka thënë më herët këtë muaj se Gaza ka potencial të bëhet një lloj burimi i pasurisë dhe ka pretenduar se është në bisedime me zyrtarë amerikanë se si të ndahet territori i shkatërruar nga lufta.

Blair ishte kryeministër i Britanisë në periudhën e luftës në Kosovë. Konsiderohet një prej zërave të parë dhe më të fuqishëm brenda NATO-s në vendimin për fushatën ajrore kundër forcave serbe për ta ndaluar spastrimin etnik në Kosovë. Disa herë e ka vizituar Kosovën pas luftës.