Të paktën tetë persona kanë mbetur të vdekur dhe 45 të tjerë të plagosur si pasojë e një sulmi masiv me dronë dhe raketa ruse në kryeqytetin e Ukrainës të enjten në mëngjes.
Ky ishte sulmi i parë i madh i kombinuar rus ndaj Kievit në javë të tëra, ndërsa përpjekjet e paqes të udhëhequra nga SHBA-ja për t'i dhënë fund luftës trevjeçare po vazhdojnë, raporton AP.
Midis të vdekurve janë dy fëmijë, ka bërë të ditur ministri i Brendshëm, Ihor Klymenko, duke cituar informacione paraprake.
Shifrat e viktimave pritet të rriten. Ekipet e shpëtimit ishin në vendngjarje për të nxjerrë njerëzit e bllokuar nën rrënoja.
"Rusia zgjedh balistikën në vend të tryezës së negociatave", ka thënë presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në një postim në X pas sulmit.
“Ne presim një përgjigje nga të gjithë në botë që kanë bërë thirrje për paqe, por tani më shpesh heshtin në vend që të marrin qëndrime parimore”, ka shtuar ai.
Të paktën 20 vende në shtatë rrethe të Kievit janë sulmuar. Gati 100 ndërtesa janë dëmtuar, përfshirë një qendër tregtare në qendër të qytetit.
Zyrat e Këshillit Britanik janë goditur nga sulmet ruse mbi Kiev
Raportohet se zyrat e Këshillit Britanik në qendër të Kievit është goditur po ashtu të enjtën në mengjes nga një sërë sulmesh ruse të kryera në disa zona.
Ndërtesa e Këshillit Britanik në Kiev ndodhet shumë afër delegacionit të BE-së, dhe një numër fotografish që po marrin agjencitë e lajmeve duket se e tregojnë atë të dëmtuar nga sulmet, raporton The Guardian.
Kuptohet që organizata, e cila promovon mësimdhënien e anglishtes jashtë vendit, po përcakton se çfarë ka ndodhur.
Shkon në 12 numri i viktimave nga sulmi rus në Kiev
Ka shkuar në 12 numri i viktimave si pasojë e sulmeve ruse gjatë natës në Ukrainë.
Në mesin e viktimave janë edhe tre fëmijë, raporton BBC.
Forcat ruse nisën një sulm të madh me dron dhe raketa gjatë natës duke dëmtuar ndërtesa banimi dhe ndërtesa të tjera në shtatë rrethe, thanë zyrtarët ukrainas.
Presidenti Volodymyr Zelensky ka thënë se sulmi, i cili vrau edhe fëmijë, i tregoi botës përgjigjen e Rusisë ndaj diplomacisë mes përpjekjeve të presidentit të SHBA-së Donald Trump për t'i dhënë fund luftës.
"Rusia zgjedh balistikën në vend të tryezës së negociatave", ka thënë Zelensky në X, duke bërë thirrje për sanksione të reja ndaj Rusisë.
"Ajo zgjedh të vazhdojë të vrasë në vend që t'i japë fund luftës", ka shtuar Zelensky.
Autoritetet e qytetit të Kyiv raportuan për të paktën 38 të plagosur, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit janë duke vazhduar, me shërbimet e emergjencës që po shuajnë zjarret dhe kontrollojnë nën rrënojat e ndërtesave të shkatërruara.