Botë

Tërmeti i fuqishëm në Rusi shkakton evakuime në Japoni e SHBA, alarm për cunami

rusi

Një nga tërmetet më të fuqishme në historinë bashkëkohore ka shkaktuar evakuime në Japoni, Hawaii dhe në disa pjesë të bregdetit perëndimor të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Tërmeti me magnitudë 8.8 shkallë të Rihterit kishte epiqendër Rusinë lindore, duke shkaktuar përmbytje të gjera e duke lënë të lënduar disa persona, ka shkruar BBC.

Valë të cunamit me lartësi 3 deri në 4 metra janë raportuar po ashtu në Gadishullin Kamçatka të Rusisë, teksa valë 30 centimetra kanë goditur një qytet në Hokkaido, në veri të Japonisë.

Guvernatori i Hawait, Josh Green, u ka bërë thirrje qytetarëve të ndjekin urdhrat e evakuimit dhe të qëndrojnë të qetë, përderisa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i ka këshilluar amerikanët që të jenë vigjilentë ndaj paralajmërimeve për cunami.

E këto paralajmërime janë lëshuar në nivele të ndryshme edhe në disa pjesë të Kinës, Filipineve, Indonezisë, Guamit, Perusë dhe Ishujve Galapagos pranë Ekuadorit.

Hawaii dhe disa pjesë të Japonisë e ulin nivelin e alarmit për cunami

14 o. më parë / 30 kor 2025 12:08
termet

Hawaii dhe disa pjesë të Japonisë kanë ulur alarmin për cunami në nivele këshilluese, pasi njëri nga tërmetet më të forta të regjistruara ndonjëherë e goditi lindjen e largët të Rusisë në orët e hershme së të mërkurës, ka raportuar AP.

Për pasojë, tërmeti 8.8 ballësh shkaktoi valë të cunamit që arritën deri në Japoni, Hawaii dhe përtej Oqeanit Paqësor.

Deri më tani nuk është raportuar për ndonjë dëm të madh, porse autoritetet kanë paralajmëruar qytetarët që të qëndrojnë larg vijave bregdetare, teksa kanë bërë të ditur se rreziku mund të zgjasë më shumë se një ditë.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë ka vendosur ta ulë alarmin për cunami në bregun jugor të Paqësorit pranë Fukushimës, ndërkohë që paralajmërimi fillestar mbetet në fuqi në pjesën veriore.

Shefi i Përgjithshëm i Departamentit të Mbrojtjes së Hawaiit, Gjeneralmajor Stephen Logan, ka njoftuar se niveli këshillues nënkupton mundësinë për rryma të forta dhe valë të rrezikshme, si dhe përmbytje në plazhe apo në porte.

Ndër të tjera, urdhri për evakuim në këtë shtet amerikan është pezulluar dhe është konstatuar rrjedhimisht se situata është e sigurt për banorët që të kthehen nëpër zonat përkatëse. Krahas kësaj, edhe fluturimet kanë rifilluar në aeroportin ndërkombëtar të Honolulut. Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave të Hawaiit ka njoftuar gjithashtu se portet tregtare do të rihapen.