Pothuajse një e treta e veteranëve të luftës në SHBA janë arrestuar ose burgosur në një moment të jetës së tyre – një program i ri që e përdor terapinë me kuaj, po përpiqet ta trajtojë traumën që ata e kanë përjetuar. Ata që e drejtojnë programin e njohur, si “Valor”, thonë se synojnë t’i trajtojnë pabarazitë në shkallën e burgosjes midis popullatës civile dhe asaj të veteranëve. Këto pabarazi janë të theksuara: rreth 8 për qind e të burgosurve në Shtetet e Bashkuara janë veteranë. Në vitin 2016, nga i cili ofrohen të dhënat më të fundit të disponueshme, 107.000 veteranë ishin të burgosur në mbarë vendin.
Dhjetëra burra dhe gra janë mbështetur mbi shufrat prej hekuri të një rrethimi të rrumbullakët, duke parë brenda. Të gjithë janë liruar nga qelitë e burgut për këtë mëngjes.
Nxehtësia e diellit të Teksasit përvëlon përmes çatisë, ndërsa një instruktor, Pat Puckett, i tregon njërit prej anëtarëve të grupit se si të bëjë diçka që nuk e ka bërë kurrë më parë: ta vendosë një thundër në gojën e kalit.
Studenti përpiqet me ndrojtje t’i ndjekë udhëzimet e Puckettit, por kali nuk pranon, e refuzon llamën dhe e tërheq kokën. Pas disa përpjekjesh të pasuksesshme, instruktori e merr llamën nga studenti i shqetësuar, duke i bërë me shenjë të largohet nga kafsha e trazuar.
“Kujdes” thotë Puckett, duke iu drejtuar të gjithëve të pranishëm, “kuajt janë të ndjeshëm. Njerëzit jo. Ne kurrë nuk do të jemi aq të ndjeshëm sa një kalë – por mund të përpiqemi.”
Të gjithë studentët e Puckettit janë të burgosur që po e vuajnë dënimin në Burgun e Qarkut Collin, në veri të Dallasit, Teksas. Të gjithë janë, gjithashtu, veteranë ushtarakë, që marrin pjesë në një program pionier në SHBA, i cili e sjell terapinë e ndihmuar nga kuajt – e njohur ndryshe si terapi ekuine – për veteranët e burgosur.
Puckett, një trajner me përvojë i kuajve, 75 vjeç, është edhe vetë veteran. Ai u rekrutua në ushtrinë amerikane si adoleshent dhe shërbeu dy vjet në artileri gjatë Luftës së Vietnamit.
“Kanë kaluar 50 vjet që kur isha në Vietnam”, ka thënë Puckett.
“Çdo ditë ndihem i trishtuar. Nëse mendoj për një gjë të vetme, më kujtohet era e zorrëve. Nuk e harron kurrë erën e zorrëve të njerëzve. Sapo fillova të merresha me punë kauboji, vendosa diçka pozitive përpara atyre mendimeve. Por, kurrë, kurrë, kurrë nuk do ta harroj”, ka vazhduar ai.
Programi “Veteranët që Marrin Mundësi të Përhershme për Rehabilitim” – i themeluar në vitin 2018, aktualisht punon me rreth 40 veteranë nga i gjithë Teksasi. Ky program ofron një gamë të gjerë shërbimesh që përfshijnë këshillim për shëndetin mendor, këshillim në grup për menaxhimin e zemërimit, si dhe grupe mbështetëse për veteranët që vuajnë nga Stresi Post-Traumatik (PTSD) i lidhur me përvojat në luftë.

Ata që e drejtojnë programin Valor thonë se synojnë t’i trajtojnë pabarazitë në shkallën e burgosjes midis popullatës civile dhe asaj të veteranëve. Këto pabarazi janë të theksuara: rreth 8 për qind e të burgosurve në Shtetet e Bashkuara janë veteranë. Në vitin 2016, nga i cili ofrohen të dhënat më të fundit të disponueshme, 107.000 veteranë ishin të burgosur në mbarë vendin.
Dhe pothuajse një e treta e veteranëve të luftës në vend janë arrestuar ose burgosur të paktën një herë në jetën e tyre – gati dy herë më shumë krahasuar me civilët.
“Një nga gjërat me një veteran është se kur largohesh nga fisi, jo të gjithë e përballojnë njësoj”, ka thënë Sherifi i Qarkut, Jim Skinner, i cili e drejton programin Valor. “Disa njerëz ia dalin, disa të tjerë ecin përpara, por ka nga ata që nuk mund ta bëjnë këtë”.
Skinner ka qenë gjithashtu veteran, duke arritur t’i përballojë nivelet e stresit përmes kohës që e kalonte me kuajt e tij. Pikërisht kjo përvojë e frymëzoi idenë për ta krijuar programin Valor.
Ai e kishte të qartë se veteranët që përballen me vështirësi mund të përfundojnë në situata të rrezikshme. Disa, ka thënë ai, i drejtohen drogës apo alkoolit për t’u përballur me traumën. “Ata janë të mbushur me ankth, marrin vendime të këqija dhe përfundojnë në burg. Dhe në fund, përfundojnë këtu me mua”, ka shtuar Skinner.
Njëri nga të burgosurit që po e shikon demonstrimin e Puckettit është Jeffrey Philips.
“Nuk ke pse të shkosh në luftë dhe të jesh me çizme në tokë me një mitraloz duke vrarë këdo, vetëm që të përjetosh PTSD”, ka thënë ai.
Philips shërbeu pesë vjet në Marinën Amerikane, në dy misione kundër piraterisë rreth gadishullit të Afrikës. Mirëpo, ai ia atribuon PTSD-në e tij përvojave jashtë shërbimit ushtarak.
Gjatë stërvitjes ushtarake, një mik i tij u vra dhe iu vu flaka nga një tjetër rekrut. Më vonë, pak pasi e kishte lënë ushtrinë, dy nga miqtë e tij më të afërt e kishin vrarë veten, gjë që, sipas tij, e çoi në konsum të tepruar të alkoolit. Philips u arrestua disa herë për drejtim të automjetit nën ndikimin e alkoolit. Gjatë qëndrimit në burg, ai u referua në programin Valor.
Terapia e ndihmuar nga kuajt, ka fituar terren në institucionet korrektuese në të gjithë SHBA-në gjatë dekadave të fundit.
Programi më i hershëm i këtij lloji filloi në Kolorado gjatë viteve 1970. Ai u bë i njohur më pas si Programi i të Burgosurve me Kuaj të Egër (Wild Horse Inmate Programme), i cili bashkëpunon me Zyrën për Menaxhimin e Tokës (Bureau of Land Management) dhe ua ngarkon të burgosurve detyrën e trajnimit të kuajve të egër.

Programe të tjera të ngjashme janë shfaqur në burgje dhe qendra paraburgimi në mbarë vendin, por Valor është një nga të paktët që punon ekskluzivisht me veteranë ushtarakë të burgosur.
Një numër gjithnjë e më i madh studimesh mbi efektivitetin e këtyre programeve sugjeron se terapia me kuaj i ofron një sërë përfitimesh psikologjike dhe sjellore për veteranët, duke përfshirë rritjen e vetëvlerësimit dhe dhembshurisë, përmirësimin e rregullimit emocional dhe uljen e stresit.
Gjithashtu, disa studime në vende të tjera të botës tregojnë se terapia me kuaj mund të ndihmojë në uljen e përqindjes së atyre që rikthehen për të bërë vepra kriminale (reoffending), duke e zhvilluar empatinë, vetëvlerësimin dhe një ndjenjë shprese dhe përkatësie tek të burgosurit.
Për Skinnerin, terapia me kuaj është “e përkryer” për veteranët, sepse duket se është efektive edhe në uljen e ankthit dhe PTSD-së. “Është ai niveli i pabesueshëm i ankthit që shumë nga veteranët që ne i shohim në paraburgim, e mbajnë me vete çdo ditë”, ka thënë ai.
Të gjithë pjesëmarrësit në program ndjekin aktualisht pesë ditë punëtori trajnimi me kuaj, të udhëhequr nga Puckett, para se të kalojnë në dy muaj seanca javore terapish me kafshët, që përfundojnë me një ecje festive në shteg për të burgosurit që e përfundojnë programin. Skinner dhe ekipi i tij po ndërtojnë, gjithashtu, stallë të përhershme nga ku do të operojnë ndërsa programi zgjerohet.
Puckett ka thënë se e ka kaluar një pjesë të madhe të jetës së tij duke qenë “cowboy” nëpër Perëndimin e Egër. Ai ka dhënë mësime për trajnimin e kuajve në mbarë botën dhe thotë se ndien një përgjegjësi të thellë ndaj bashkëveteranëve të tij. Ai përpiqet t’i marrë parasysh sfidat unike me të cilat ata përballen.
Puckett ka ndërtuar një reputacion si ekspert në një formë specifike të trajnimit të kuajve, që në gjuhën popullore njihet si “kauboji natyral”, e cila thekson bashkëpunimin me kafshën në vend të dominimit mbi të.
Idetë bazë janë njohja se kuajt, ashtu si qentë dhe macet, kanë jetuar pranë njerëzve për mijëra vjet dhe janë të aftë të kuptojnë dhe kryejnë një detyrë pa pasur nevojë të përdorim të forcës ose për kërcënim me përdorim të forcës. Njeriu arrin të përcjellë komandë thuajse të papërceptueshme, ndërsa kali, duket se instinktivisht, përgjigjet në kohën e duhur.
Për ta bërë këtë të funksionojë, njeriu duhet të mbetet i qetë dhe i vetërregulluar në çdo moment. Kjo mund të jetë jashtëzakonisht e vështirë për këdo që përballet me një sistem nervor të çrregulluar nga efektet e traumës, ka thënë Puckett.
Ashley Davis, një tjetër e burgosur që mori pjesë në punëtorinë Valor, kishte punuar si infermiere emergjente pas shërbimit në Marinën Ushtarake.
“Të punosh me kuajt më ka ndihmuar t’i njoh momentet kur filloj të përballem me vështirësi dhe më ndihmon të kuptoj se duhet të rikthehem në vete. Duhet të marr frymë, duhet të qetësohem”, ka thënë ajo. “Më jep disa mjete në kutinë time të veglave, që mund t’i përdor më vonë, në mënyrë që të mos e prish jetën time përsëri”.
Tani, ajo qëndron në mes të rrethit, ballë për ballë me një kalë. Puckett i ka thënë të relaksohet dhe ta vendosë dorën mbi kokën e kafshës, duke i pushuar gishtat mes syve të mëdhenj të tij. Qëllimi është që kali të ndiejë mjaft siguri për ta ulur kokën në shprehje nënshtrimi.
Davis merr frymë të thellë, duke e nxjerrë ajrin shumë ngadalë. Kalojnë disa minuta të gjata dhe të tensionuara. Por, Davis e ruan përqendrimin, duke e fituar gradualisht besimin e kafshës. Dhe pastaj, në një çast, kali dorëzohet – duke e ulur kokën e tij të fuqishme drejt tokës.