Të paktën 15 palestinezë janë vrarë nga sulmet izraelite të shtunën përgjatë të gjithë territorit, ku Izraeli ka përshkallëzuar fushatën ushtarake në ditët e fundit, sipas agjencisë së mbrojtjes civile.
Zëdhënësi i kësaj agjencie, Mahmud Bassal, ka bërë të ditur se një çift është vrarë së bashku me dy fëmijët e tyre pas sulmit mbi një shtëpi në qytetin jugor të Khan Younis. Krahas tyre, dy persona të tjerë u vranë gjatë një bombardimi në kampin e refugjatëve Nuseirat në qendër të territorit palestinez, ka raportuar The Guardian.
Ushtria izraelite ka njoftuar se nuk është në gjendje të komentojë mbi sulmet individuale, pa i analizuar “koordinatat e sakta gjeografike”.
Mes të tjerash, ushtria izraelite ka deklaruar po ashtu se 83 kamionë me ndihma humanitare hynë në Gazë përmes pikëkalimit Kerem Shalom të premten, pas përfundimit të kontrolleve të sigurisë. Ndihmat përfshinin ushqime, pajisje mjekësore dhe ilaçe.
Para luftës, mesatarisht 500 kamionë hynin në Gaza çdo ditë.
Organizatat humanitare kanë paralajmëruar se një pjesë e madhe e popullsisë është sjellë në prag të urisë për shkak të bllokadës totale të ndihmës nga Izraeli, e vendosur në fillim të muajit mars, e cila u zbut këtë javë si rezultat i presionit ndërkombëtar.