Botë

Të paktën 18 të vrarë dhe dhjetëra të lënduar në Kolumbi, pas sulmeve të grupeve rebele

kolumbi

Të paktën 18 persona janë vrarë dhe dhjetëra të tjerë janë plagosur në dy sulme të ndara në Kolumbi, duke e thelluar më tej krizën e sigurisë në shtetin e Amerikës Latine.

Sipas autoriteteve, gjashtë persona humbën jetën dhe mbi 60 të tjerë u plagosën pasi një bombë shpërtheu në njërën prej rrugëve më të ngarkuara në qytetin perëndimor të Calit, ka shkruar BBC.

Më herët të enjten, sulmi me dron kundër një helikopteri policor kishte lënë të vrarë të paktën 12 persona në zonën rurale pranë qytetit verilindor të Medellínit.

Sulmet i janë atribuar fraksioneve të Forcave të Armatosura Revolucionare të Kolumbisë (FARC), grup i cili qe shpërbërë zyrtarisht në vitin 2016, ndonëse disa anëtarë të tij vazhdojnë të operojnë jashtë procesit të paqes.

Këto zhvillime paraqesin sfida të reja për proceset e brishta të paqes në Kolumbi, në kohën kur vendi po përgatitet për zgjedhjet e ardhshme të vitit 2026.

Kryebashkiaku i Calit, Alejandro Eder, ka shpallur gjendje ushtarake në qytetin e tretë më të madh të Kolumbisë, pas sulmit me bombë. 

Ai ka njoftuar për ndalimin e përkohshëm të hyrjes së kamionëve në qytet, teksa ka bërë thirrje për ndihmë nga qytetarët, duke ofruar shpërblim prej 10 mijë dollarësh për informacionet rreth ngjarjes.

Pas dy sulmeve, presidenti kolumbian, Gustavo Petro, dhe drejtuesit ushtarakë kanë njoftuar se do të mbajnë një mbledhje të Këshillit të Sigurisë, me qëllimin për të “përcaktuar masat shtesë për mbrojtjen e qytetarëve”.

“Shteti nuk do të nënshtrohet ndaj terrorizmit. Këto krime do të ndiqen dhe ndëshkohen me forcën e plotë të ligjit”, ka shkruar ministri i Mbrojtjes, Pedro Arnulfo Sánchez, në rrjetet sociale.

Sipas dëshmitarëve okularë, shpërthimi në Cali kishte për objektiv Shkollën Ushtarake të Aviacionit “Marco Fidel Suárez”, duke lënë të vrarë civilë dhe duke shkaktuar dëme nëpër banesa.

E sa i përket sulmit ndaj helikopterit të policisë afër Medellínit, presidenti Gustavo Petro ka deklaruar se mjeti ajror ishte i ngarkuar me misionin për asgjësimin e kulturave të gjetheve të kokas – përbërësit kryesor të kokainës.

Helikopteri ishte rrëzuar pasi u godit nga një dron, duke lënë të vrarë 12 oficerët që ndodheshin në bord.