Botë

Të nxehtit ekstrem dhe planifikimi i pushimeve

moti ekstrem

Ndryshimet klimatike po ndikojnë ndjeshëm në mënyrën se si evropianët i planifikojnë pushimet verore. Valët ekstreme të të nxehtit, zjarret dhe rritja e nivelit të detit po e bëjnë Mesdheun gjithnjë e më pak të përshtatshëm gjatë verës, duke i shtyrë turistët të udhëtojnë jashtë sezonit tradicional ose të zgjedhin destinacione më të freskëta. Ky ndryshim ka pasoja të mëdha për industrinë turistike në rajon.

(BBC) – Qe vera e vitit 2023, dhe Katie Piercefield-Holmes nga Suffolk udhëtoi për në ishullin grek të Rodosit me bashkëshortin dhe dy fëmijët e saj për pushime 10-ditore.

Ata kishin rezervuar një dhomë me kondicioner ajri në një vendpushim, me qëllim që ta kalonin kohën duke u çlodhur në pishinë dhe duke vizituar pamjet turistike - por kjo nuk ishte e mundur për shkak të vapës përvëluese. “Edhe pas mëngjesit, një shëtitje pesëminutëshe do të ishte e padurueshme”,  kujton ajo.

Pastaj ndodhën zjarret, të cilat përfshinë të gjithë ishullin. “Me vapën nga zjarret, temperatura arrinte mbi 40 gradë Celsius”, shton ajo.

Në total, rreth 19.000 njerëz u evakuuan nga shtëpitë ose vendet ku ishin akomoduar në Rodos atë korrik. Fotografitë e turistëve që iknin nga ishulli u përhapën në faqet e para të gazetave. Familja e Katiet u këshillua të evakuohej nga vila e tyre, por ajo zgjodhi të qëndronte, duke besuar se do të ishte më e sigurt.

Përvoja, thotë ajo, ka ndryshuar mënyrën se si ajo dhe familja e saj do t’i kalojnë pushimet përgjithmonë. Vala e të nxehtit të verës së vitit 2023 përfshiu pjesën më të madhe të Evropës, veçanërisht vendet përreth Mesdheut, përfshirë Greqinë, Italinë, Spanjën, Turqinë dhe Qipron. Temperaturat arritën 40-45 gradë Celsius gjatë ditës në disa rajone.

Në total, pati më shumë se 47.000 vdekje të lidhura me të nxehtin në të gjithë Evropën në vitin 2023, sipas Institutit të Barcelonës për Shëndetin Global (ISGlobal). Shumica ishin në zonat jugore.

Viti i kaluar kishte parë gjithashtu valë të shumta të të nxehtit në të gjithë Evropën, përfshirë regjistrimin e parë të 40 gradë Celsius në Mbretërinë e Bashkuar. Më shumë se 68.000 njerëz vdiqën në kontinent, sipas ISGlobal.

Ndërsa sezoni i vitit 2024 në Evropë nuk ishte aq ekstrem, shkencëtarët janë të qartë se ndryshimi i klimës i shkaktuar nga njeriu po çon në valë më të shpeshta dhe intensive të të nxehtit në të gjithë botën.

Por së bashku me këtë ndryshim të motit gjatë verës vijnë edhe ndryshime të tjera. Në total, 81% e evropianëve thonë se kanë ndryshuar planet e tyre të pushimeve për shkak të faktorëve që lidhen me ndryshimin e klimës, sipas një raporti të publikuar në prill nga Komisioni Evropian i Udhëtimeve (ETC).

Pothuajse një e treta po zgjedhin destinacione ku moti është më i butë.

Piercefield-Holmes është në mesin e tyre. Ajo është kthyer në Greqi me familjen e saj edhe pas vitit 2023, por vetëm gjatë muajve më të ftohtë, tetorin dhe majin - gjatë verës, familja ende udhëton, por ndjek një qasje ndryshe.

“Ne shkojmë diku ku nuk është aq vapë dhe mund të planifikojmë aktivitete të ndryshme si ecje në natyrë dhe vizita turistike”,  shpjegon ajo.

Familja nuk është e vetme. Simon Calder, një gazetar dhe prezantues në The Travel Show të BBC-së, thotë se një numër agjentësh udhëtimesh kanë vërejtur disa familje që zgjedhin të kalojnë pushimet e tyre kryesore gjatë Pashkëve, në vend që t’i kalojnë gjatë verës.

Pra, a mund të bëhet e gjitha kjo një trend në rritje? Në të vërtetë, një anketë e kohëve të fundit me 2.000 të rritur britanikë e kryer nga kompania e sigurimeve të udhëtimit Insureandgo zbuloi se tre në katër prej tyre mendojnë se disa destinacione pushimesh evropiane do të jenë shumë të nxehta për t’u vizituar brenda pesë vjetëve të ardhshme.

Bas Amelung,  profesor në Universitetin Wageningen, thotë se disa pjesë të Evropës mund të bëhen shumë të nxehta për shumë njerëz në të ardhmen. “Vende të tilla si Spanja, Franca, Italia, Greqia dhe Turqia që aktualisht tërheqin turistët tradicionalë të verës ‘diell dhe rërë’ ka të ngjarë të bëhen shumë të nxehta për t’u rehatuar në to gjatë verës”,  thotë ai.

Por ai gjithashtu beson se edhe nëse temperaturat nuk rriten shumë në afat të shkurtër, perceptimi mund të mbetet ende.

“Njerëzit marrin vendime bazuar në perceptimet e tyre”, shpjegon ai. “Pra, nëse një shumicë e madhe e pushuesve mendojnë se disa destinacione evropiane së shpejti do të jenë shumë të nxehta, ata mund të fillojnë të përshtaten, ose duke shkuar diku tjetër gjatë verës ose duke shkuar në të njëjtin vend në një stinë tjetër”.

E gjithë kjo ngre pyetjen, çfarë do të thotë kjo për vendpushimet turistike në të gjithë Mesdheun, veçanërisht ato që janë mbështetur ekonomikisht në turizmin veror? Dhe nëse ideja e sezonit me vapë të lartë ndryshon, çfarë do të thotë kjo për traditën e pushimeve verore në bregdet?

Moti ekstrem në Mesdhe

Nuk janë vetëm valët e të nxehtit - ndryshimi i klimës po ndikon në turizëm edhe në mënyra të tjera.

Niveli i detit parashikohet të rriten me rreth 0.8-0.9 m deri në vitin 2100. Kjo mund të çojë në një kërcënim afatgjatë për disa vendpushime bregdetare, duke përfshirë një numër në Karaibe, të cilat zakonisht janë më pak se 1 m mbi nivelet aktuale të detit.

Ndërkohë, ishujt e Paqësorit janë të prekshëm nga valët e stuhive - këto gjithashtu mund të kërcënohen nga rritja e niveleve të detit, si dhe nga ndryshimi i modeleve të motit. Ciklonet në rajon mund të bëhen edhe më intensive, sipas Byrosë së Meteorologjisë së Australisë.

Megjithatë, është Evropa ajo që do të ndikojë më shumë te pushuesit britanikë. Aktualisht është destinacioni i tyre kryesor - dhe sipas Organizatës Botërore Meteorologjike, Evropa është gjithashtu kontinenti që po ngrohet më së shpejti në Tokë.

Plazhet, në veçanti, mund të jenë në rrezik. Një studim sugjeron se një e pesta e vijës bregdetare me rërë të Mesdheut mund të përballet me humbje të rënda deri në vitin 2050, sipas skenarit të pesë parashikimeve klimatike të IPCC-së.

Italia Jugore dhe gadishulli Iberik identifikohen gjithashtu si vende në rrezik të lartë për shkak të ndryshimeve klimatike.

Ndërkohë, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis tha në një mbledhje të kabinetit në vitin 2023 se “ne tashmë po i përjetojmë efektet e krizës klimatike dhe e dimë se gjërat ndoshta do të përkeqësohen, jo do të përmirësohen, me temperatura më të larta, më shumë thatësira dhe erëra të forta”.

Përshtatja e resorteve

Tashmë, ka disa shenja të vogla që tregojnë se më shumë njerëz po kalojnë pushimet jashtë sezonit tradicional të pikut. Në total, 8% më pak njerëz planifikojnë të udhëtojnë në Mesdhe këtë verë krahasuar me vitin e kaluar, sipas Teodora Marinska, drejtoreshë operative e ETC-së.

Ndërkohë, më shumë njerëz duket se po udhëtojnë në rajon jashtë muajve tradicionalë: Greqia pa një rritje prej 20% në turizmin pranveror në vitin 2024 krahasuar me të njëjtën periudhë në vitin 2023, sipas analistëve të Bankës Kombëtare të Greqisë.

Dhe turistët e huaj në Spanjë tejkaluan 10 milionëshin në janar dhe shkurt të vitit 2025 - pothuajse një rritje prej 20% krahasuar me shifrat e vitit 2019.

“Këto janë rritje në numra të vegjël, sepse këto vende zakonisht janë mjaft të zbrazëta në dimër, por ne tashmë mund të shohim se rritja është përqendruar atje”, shpjegon Marinska.

Kjo është mirëpritur nga autoritetet në disa vende. “Ne kemi parë destinacione që rrisin investimet në lidhje me muajt e dimrit - për shembull, duke shtuar fluturime në orarin e dimrit”.

Në vend që destinacionet të zbrazen në muajt e verës, Marinska e sheh këtë më shumë si një nivelim të pikut - gjë që mund të nxisë ekonomitë e pikave të nxehta turistike, në vend që t’i dëmtojë ato.

“Bordet turistike kanë investuar shumë në luftimin e trendit të sezonalitetit, jo vetëm për shkak të turizmit të tepërt, por sepse është shumë më mirë që një hotel të qëndrojë i hapur gjatë gjithë vitit pasi edhe vendet e punës janë më të qëndrueshme”, shton ajo.

Për shembull, rajoni malor gjerman i Spessartit, në Bavari dhe Hessen, po e zhvendos fokusin e tij në turizmin gjatë gjithë vitit duke zhvilluar shtigje të reja dhe duke promovuar aktivitete të tilla si ecja në natyrë, çiklizmi dhe mirëqenia.

Disa vende në Mesdhe, të njohura për turistët, gjithashtu po fillojnë të përshtatin atë që ofrojnë.

“Vende, si Spanja, po fillojnë të zgjohen dhe të reagojnë ndaj pasojave të ndryshimeve klimatike dhe realitetit të nevojës për t’u përshtatur”, thotë Prof. Amelung. “Gjërat po fillojnë të ndryshojnë ngadalë, por me siguri”.

Një numër qytetesh, për shembull, ofrojnë tregje mbrëmjeje dhe aktivitete që zhvillohen në ambiente të brendshme gjatë pjesëve më të nxehta të ditës. Calder kujton se bëri një tur në këmbë në qytetin italian të Adriatikut, Grado, që filloi në orën 22:00.

Megjithatë, në disa zona ka implikime në kosto. Në vitin 2024, Greqia zëvendësoi taksën e akomodimit me një “taksë të re për qëndrueshmërinë ndaj krizës klimatike” që synon të mbështesë përpjekjet e rindërtimit pas fatkeqësive të lidhura me klimën.

Kjo do të thotë që për një javë pushime në Greqi midis prillit dhe tetorit, udhëtarët mund të ngarkohen deri në 88 funte shtesë për dhomë.

Nga pushimet në vendlindje te vera në Skandinavi 

E gjithë kjo mund të çojë në disa modele të reja në mënyrën se si njerëzit i kalojnë pushimet e tyre - dhe ku shkojnë.

Pushimet, për shembull, mund të bëhen edhe brenda vendit. Më shumë se gjysma e pushuesve në Mbretërinë e Bashkuar thonë se ka të ngjarë të zgjedhin të kalojnë pushimet në vend për arsye që lidhen me klimën, sipas një studimi të vitit 2024 nga Mintel. Rreth 28% thonë se temperaturat më të ngrohta në Mbretërinë e Bashkuar po i inkurajojnë ata të bëjnë pushime brenda vendit.

Ajo që mbetet për t’u parë është se si kjo mund të ndikojë në çmim. “Një ndryshim i rëndësishëm në zakonet e pushimeve mund të rrisë koston e pushimeve brenda vendit”, thotë Calder.

“Nëse më shumë njerëz vendosin të qëndrojnë në Mbretërinë e Bashkuar dhe të tjerë vijnë në Britani sepse është më tërheqëse nga ana klimatike, rritja e kërkesës do të shkaktojë rritje të çmimeve. Por gjithmonë ka vende ku mund të merrni oferta të arsyeshme”.

Ekspertët e industrisë kanë vënë re gjithashtu një trend në rritje të pushuesve që zgjedhin destinacione të ndryshme, më pak tradicionale në Evropë për pushimet e tyre verore.

“Ka një theks në rritje në udhëtimet drejt destinacioneve veriore, me më shumë rrugë për në Islandë, Norvegji dhe Finlandë se kurrë më parë... duke përhapur turizmin në mënyrë më të barabartë”, sipas Calderit.

“Destinacione të tilla si Skandinavia që nuk ishin shumë të njohura në të kaluarën po bëhen gjithashtu pak më në modë për shkak të trendeve të Instagramit”,  pajtohet Sean Tipton i Shoqatës së Agjentëve Britanikë të Udhëtimit.

Një numër destinacionesh alternative evropiane për plazh po bëhen më të njohura: vende si Shqipëria, Mali i Zi ose Bullgaria po rriten me një ritëm shumë më të shpejtë se destinacionet tradicionale, vëren Marinska.

“Pushimet në plazh janë ende lloji më i popullarizuar”,  thekson ajo. “Por ka një ndryshim në sjellje dhe njerëzit po zgjedhin destinacione të ndryshme për pushimet e tyre në plazh”.

Ndikimi i pushimeve në shkolla

Edhe pse shumë ekspertë parashikojnë se modelet e pushimeve do të ndryshojnë, kjo nuk duket se po ndodh në një shkallë të gjerë. Dhe, ka kufizime për këto ndryshime.

Ndërsa grupe të caktuara mund të jenë më fleksibile në lidhje me kohën kur kalojnë pushimet, siç janë pensionistët ose ata pa fëmijë të vegjël, kjo mund të mos jetë e mundur për ata me fëmijë në moshë shkollore që duan të ndërpresin periudhën e gjatë të verës, thekson Prof. Amelung.

Edhe disa njerëz, të cilët janë gjendur në situata ekstreme gjatë pushimeve, nuk dekurajohen të kërkojnë klima më me diell gjatë verës.

Daniel Rolfe, i cili ishte në muajin e mjaltit në Rodos gjatë zjarreve të vitit 2023, është një prej tyre. “Nuk do të ndryshonim domosdoshmërisht planet ose zakonet e pushimeve për shkak të ndryshimeve klimatike dhe motit të nxehtë por do të shqyrtonim se sa të mundshme mund të jenë zjarret para se të shkonim diku”.

Por, paralajmëron Prof. Amelung, nëse ka shumë më shpesh verëra shumë të nxehta, modelet e pushimeve mund të ndryshojnë ende.

“Nëse kemi valë të mëdha të nxehti dhe zjarre në të gjithë Mesdheun në tre ose katër nga pesë verat e ardhshme, kjo mund të jetë një pikë kthese në perceptimin publik, duke kaluar nga ‘klima mesdhetare është ideale për pushimet verore’ në ‘Mesdheu është thjesht tepër i nxehtë në verë; le të shkojmë diku tjetër’”.