Botë

Të filmuara pa dijeni për përmbajtje në TikTok - gratë përballen me sulme online

Dilara

Gra të zakonshme, në situata të përditshme, janë filmuar fshehurazi nga burra që përdorin syze inteligjente dhe më pas janë ekspozuar në TikTok si “përmbajtje këshillash takimesh”. Videot kanë marrë miliona shikime, duke i kthyer viktimat në objekt ngacmimi, përndjekjeje dhe turpërimi publik. Rasti ka ngritur shqetësime serioze për privatësinë, sigurinë dhe mungesën e mbrojtjes ligjore ndaj abuzimit teknologjik.

Dilara ishte në pushimin e drekës në dyqanin ku punon në Londër, kur një burrë i gjatë iu afrua dhe i tha: “Betohem që flokët e kuqe tregojnë se ke kaluar një zemërthyerje së fundmi”.

Burri vazhdoi bisedën ndërsa të dy hynë në ashensor dhe më pas i kërkoi Dilarës numrin e telefonit.

Ajo që Dilara nuk e kuptoi ishte se burri po e filmonte fshehurazi me syze inteligjente, të cilat duken si syze normale, por kanë një kamerë shumë të vogël që regjistron video. Pamjet u publikuan më pas në TikTok, ku morën 1.3 milion shikime.

“Doja vetëm të qaja”, tha Dilara, 21 vjeç, për BBC-në.

Më vonë u zbulua se burri kishte publikuar dhjetëra video të ngjashme të filmuara fshehurazi në TikTok, duke u dhënë burrave këshilla se si t’u afrohen grave. Dilara zbuloi gjithashtu se në video shihej qartë edhe numri i saj i telefonit. Pas kësaj, ajo u përball me një valë mesazhesh dhe telefonatash.

Një tjetër grua, Kim, u filmua verën e kaluar në një plazh në West Sussex, nga një burrë tjetër që mbante syze inteligjente. Ai e nisi bisedën duke e komplimentuar për bikini.

Ai e pyeti se ku jetonte dhe u përpoq të lidhej me të në Instagram. Kim, 56 vjeçe, nuk ishte në dijeni që po filmohej dhe, gjatë bisedës, ndau informacione për vendin e punës dhe familjen e saj.

Më vonë, burri publikoi dy video në internet, të paraqitura si “këshilla takimesh”, të cilat shumë shpejt arritën 6.9 milionë shikime në TikTok dhe mbi 100 mijë pëlqime në Instagram.

BBC ka parë qindra video të ngjashme në TikTok dhe Instagram, të publikuara nga dhjetëra influencerë meshkuj të ndryshëm. Këta influencerë pretendojnë se ofrojnë këshilla se si të “kapësh” gra dhe, në shumicën e rasteve, videot duket se janë filmuar fshehurazi - duke përdorur syze inteligjente Meta.

Shumë prej këtyre influencerëve, përfshirë edhe burrin që publikoi videon e Kimit, fitojnë të ardhura nga këshillat që u ofrojnë klientëve të tyre.

Hetimi për këtë çështje nisi pasi gazetarja e BBC-së zbuloi një video në YouTube ku ajo vetë ishte filmuar fshehurazi, me titullin: “Duke kapur një bionde të bukur në Leicester Square”. Gjatë hetimit, ajo kuptoi se nuk ishte e vetmja.

Dilara dhe Kim janë mes shtatë grave në Mbretërinë e Bashkuar, SHBA dhe Australi, që i kanë treguar BBC-së se janë filmuar në këtë mënyrë. Të gjitha thanë se u ndienë të shfrytëzuara dhe të tronditura kur mësuan se videot ishin publikuar online.
Në Mbretërinë e Bashkuar, aktualisht nuk ka një ligj specifik që ndalon filmimin e dikujt në një vend publik pa pëlqim, thotë avokati i cili merret me çështje të privatësisë, Jamie Hurworth. Megjithatë, ai shton se “të qenit në një hapësirë publike nuk do të thotë domosdoshmërisht se është e pranueshme të filmohesh dhe më pas videoja të publikohet online”.

Fillimisht, pasi Dilara e raportoi videon në TikTok, kompania i tha se nuk ishte gjetur asnjë shkelje. Vetëm pasi BBC kontaktoi TikTok-un, videoja u hoq. Në një deklaratë, kompania tha se do të heqë videot që shkelin udhëzimet e saj për “ngacmim dhe bullizëm”.

Kim i kërkoi burrit që publikoi videon të hiqte informacionet për punën dhe jetën e saj personale, por ai nuk e bëri këtë.

Prodhuesit e syzeve inteligjente po “vendosin fitimin përpara sigurisë dhe mirëqenies së grave”, thotë Rebecca Hitchen nga koalicioni “End Violence Against Women”. Sipas saj, nevojiten masa më të forta sigurie.

Ndërkohë, ekspertët paralajmërojnë se këto video mund të mos bien qartë në asnjë kategori përmbajtjeje të paligjshme sipas Ligjit të Sigurisë Online në Mbretërinë e Bashkuar.

Dilara e pa videon të nesërmen, kur një shoqe ia dërgoi.

“Zemra të bëhet gropë dhe ndihesh sikur nuk mund të bësh asgjë”, thotë ajo.

Si Kim ashtu edhe Dilara thonë se filmimi në këtë mënyrë ishte një “shkelje e rëndë” dhe besojnë se diçka duhet të ndryshojë. Kim mendon se duhen miratuar ligje për të mbrojtur njerëzit nga filmimi pa pëlqimin e tyre.
“Askujt nuk i jepet e drejta të filmojë njerëz të tjerë, t’i shfrytëzojë, t’i seksualizojë dhe të fitojë para prej tyre pa lejen e tyre”, thotë ajo.
BBC u përpoq të kontaktonte dy burrat që filmuan Kim dhe Dilara, por ata nuk u përgjigjën. Të dy kishin përdorur syze Ray-Ban Meta AI - burri që iu afrua Dilarës mbante syze me xhama të tejdukshëm, ndërsa ai që foli me Kimin kishte syze dielli.
Këto syze po bëhen gjithnjë e më të njohura. Sipas prodhuesit EssilorLuxottica, midis tetorit 2023 dhe shkurtit 2025 janë shitur dy milionë palë.
Meta i tha BBC-së se syzet e saj kanë një dritë LED që ndizet sa herë që bëhet një foto ose video, për t’i bërë të tjerët të vetëdijshëm se po regjistrohet. Kompania thotë gjithashtu se ka teknologji që pengon mbulimin e kësaj drite.
Megjithatë, BBC ka parë disa video online që tregojnë se kjo dritë mund të mbulohet ose të çaktivizohet plotësisht. As Kim, as Dilara dhe as gratë e tjera nuk kanë vënë re ndonjë dritë që të tregonte se po filmohej.
“Nëse videot janë filmuar me syze Meta AI, të cilat normalisht shfaqin një dritë të bardhë gjatë regjistrimit”, thotë avokati Jamie Hurworth, “kjo ngre shqetësime serioze për mjaftueshmërinë e këtyre masave të privatësisë dhe për nevojën e mbrojtjeve më të forta”.
Ministrja për Mbrojtjen dhe Dhunën ndaj Grave dhe Vajzave, Jess Phillips, tha për BBC-në se “filmimi i fshehtë i grave dhe vajzave është i neveritshëm dhe ne nuk do të lejojmë që askush të përfitojë nga kjo”.

“Bombardim” telefonatash

Për shkak se numri i saj i telefonit ishte i dukshëm në video, Dilara thotë se për javë të tëra u bombardua me telefonata dhe mesazhe të pandërprera, shpesh edhe në mes të natës.

Në një rast, ajo thotë se iu përgjigj telefonit dhe një burrë i tha:

“A e di sa budallaqe dukesh? A të vjen keq? A e kupton sa e lehtë u duk të të përdornin?”

Sipas saj, disa burra janë paraqitur edhe në vendin ku ajo punon, duke përdorur fjalinë hapëse nga videoja virale ose duke i kërkuar llogaritë e saj në rrjetet sociale.

Përveç dhjetëra videove të filmuara fshehurazi në TikTok, burri që e filmoi Dilarën ka edhe një komunitet në Discord - një platformë mesazhesh e njohur sidomos mes lojtarëve, ku ai publikon këshilla dhe video të tjera.

Pasi TikTok e hoqi videon e Dilarës, kompania i tha BBC-së:

“Ne kemi hequr përmbajtje që shkel Udhëzimet tona të Komunitetit për bullizëm dhe ngacmim dhe kemi bërë përmbajtje të tjera të papërshtatshme për faqen ‘For You’.”

Kompania e rrjeteve sociale i tha gjithashtu BBC-së se nuk lejon përmbajtje që përfshin informacione personale “që mund të çojnë në përndjekje, vjedhje identiteti, mashtrim apo dëme të tjera”, duke theksuar se ekziston një portal i posaçëm në faqen e saj për raportimin e shqetësimeve mbi privatësinë.

“Mamaja jote është bërë virale”


Kim thotë se për videot e saj e mori vesh vetëm kur djali e telefonoi në orën 05:00 të mëngjesit. Ai kishte marrë mesazhe nga shokët që i thoshin:
“Mamaja jote është bërë virale”.

Pasi u filmua në plazhin West Wittering verën e kaluar, Kim thotë se mori mijëra mesazhe nga burra. Disa prej tyre kishin komente seksuale, si për shembull:
“Nxirr një çmim për të parë trupin tënd lakuriq”
ose
“A ke OnlyFans?”

Edhe gjashtë muaj më vonë, ajo thotë se ende po përmbytet nga mesazhet.
Kim thotë se nuk mendoi se kishte kuptim t’i kërkonte burrit që e filmoi ta hiqte videon, sepse “ajo kishte marrë shumë shikime”.

Ajo thotë se u ndje “plotësisht e shpërfillur” kur ai refuzoi të hiqte pjesën e videos ku ajo fliste për punën e saj.
“Unë isha thjesht një mall, një copë mishi”, thotë ajo.

Disa influencerë që realizojnë këto video përfitojnë gjithashtu financiarisht nga klientë që paguajnë për trajnim dhe këshilla se si t’u afrohen grave. Nëse përmbajtja e tyre bëhet mjaft e njohur, ata mund të përfitojnë edhe pagesa nga programi i shpërblimeve për krijuesit e TikTok-ut.

Avokati i çështjeve të privatësisë, Jamie Hurworth thotë se, edhe pse filmimi i dikujt në një hapësirë publike nuk është i paligjshëm, “ligji mbron të drejtën e individit për një jetë private dhe kjo mbrojtje mund të vlejë si në hapësira publike, ashtu edhe në ato private”.

Ndërkohë, Beatriz Kira, profesore e asociuar e drejtësisë në Universitetin e Sussexit, thotë se është e vështirë që ligjet të ecin me të njëjtin ritëm me çdo “përdorim inovativ dhe kreativ të teknologjisë për të dëmtuar gratë”. Ajo sugjeron një qasje më fleksibile ndaj teknologjive të reja dhe rregullimit të përmbajtjes online në Mbretërinë e Bashkuar.

Rebecca Hitchen, nga koalicioni “End Violence Against Women”, thotë se kompanitë teknologjike, si TikTok, duhet të jenë “të detyruara të ndërmarrin masa parandaluese aktive”.

Ajo shton se udhëzimet e autoritetit rregullator të medias, Ofcom, për dhunën ndaj grave dhe vajzave duhet të merren seriozisht dhe “të kthehen në një kod praktik të detyrueshëm, me pasoja për ata që nuk e zbatojnë”.

Gratë me të cilat ka folur BBC thonë se filmimi i fshehtë  dhe publikimi i pamjeve online i ka lënë ato të dyshojnë se kujt mund t’i besojnë.
“Unë thjesht po sillesha me mirësjellje”, thotë Kim.
“Është për të ardhur keq që tani besimi është thyer”.