Tanket izraelite kanë hyrë më thellë në lagjet e banimit të qytetit të Gazës të dielën, ndërsa autoritetet lokale shëndetësore kanë thënë se nuk kanë qenë në gjendje t'u përgjigjen dhjetëra thirrjeve të dëshpëruara për ndihmë.
Dëshmitarët dhe mjekët kanë thënë se tanket izraelite kanë hyrë në lagjet Sabra, Tel Al-Haëa, Sheikh Radwan dhe Al-Naser, duke u afruar në qendër dhe zonat perëndimore të qytetit të Gazës, ku qindra mijëra njerëz janë strehuar.
Ushtria izraelite ka nisur ofensivën e saj tokësore të paralajmëruar prej kohësh në qytetin e Gazës më 16 shtator, pas javësh sulmesh intensive në qendrën urbane, duke detyruar qindra palestinezë të largohen.
Hamasi, të cilin Izraeli ka kërkuar që të dorëzohet, ka thënë të dielën se nuk ka marrë asbhë propozim të ri nga ndërmjetësit, pasi presidenti i SHBA-së Donald Trump ka deklaruar të premten se "një marrëveshje për Gazën" dukej e mundshme.
Trumpi pritet të takohet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë të hënën.
Një zëdhënës i Ambasadës së SHBA-së në Izrael ka thënë se ambasadori Mike Huckabee do të udhëtojë për në Egjipt për t'u takuar me zyrtarët egjiptianë "si pjesë e konsultimeve të rregullta diplomatike të zhvilluara midis ambasadave të SHBA-së në rajon".
Egjipti është ndër ata që ndërmjetësojnë midis Izraelit dhe Hamasit.
Shërbimi i Emergjencave Civile në Gazë ka thënë vonë të shtunën se Izraeli kishte refuzuar 73 kërkesa, të dërguara nëpërmjet organizatave ndërkombëtare, për të shpëtuar palestinezët e plagosur në qytetin e Gazës.
Gjatë 24 orëve të fundit, forcat ajrore kanë goditur 140 objektiva ushtarake në të gjithë Gazën, duke përfshirë militantët dhe atë që e përshkruan si infrastrukturë ushtarake, ka thënë ushtria izraelite.
Të paktën pesë persona janë vrarë në një sulm ajror në zonën Al Naser të Gazës, kanë thënë autoritetet lokale shëndetësore. Mjekët kanë raportuar 16 vdekje të tjera në sulmet ndaj shtëpive në
Gazën qendrore, duke e çuar numrin e të vdekurve të së dielës në të paktën 21.
Më vonë të dielën, ministria e Shëndetësisë e Gazës ka thënë në një deklaratë se të paktën 77 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në 24 orët e fundit.
Rrethimi ushtarak i Izraelit ka shkaktuar një katastrofë humanitare në të gjithë Gazën. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se katër qendra shëndetësore në qytetin e Gazës janë mbyllur këtë muaj. Disa qendra të kequshqyerjes janë mbyllur gjithashtu, sipas OKB-së.