Botë

Supremja kërcënon me burg ish-presidentin e Brazilit, Jair Bolsonaro

Jair Bolsonaro

Gjyqtari i Gjykatës Supreme të Brazilit, Alexandre de Moraes, ka kërcënuar me burgim të menjëhershëm ish-presidentin Jair Bolsonaro, duke e akuzuar për shkelje të ndalimit që i është vendosur për paraqitje në audio, video apo intervista të shpërndara në rrjetet sociale.

Sipas Moraes, Bolsonaro duhet të japë një shpjegim brenda 24 orëve, pasi një video ku ai shfaqet është publikuar nga djali i tij, Eduardo Bolsonaro, të hënën.

Ish-presidenti aktualisht po gjykohet nën akuzat se ka komplotuar për të penguar marrjen e detyrës nga presidenti aktual Luiz Inacio Lula da Silva në vitin 2023, akuza të cilat ai i mohon.

Gjykatësi Moraes, i cili po udhëheq hetimet ndaj akteve të dyshuara antidemokratike të Bolsonaros dhe aleatëve të tij, të premten kishte vendosur një sërë masash kufizuese ndaj tij: Ndalim qarkullimi gjatë natës dhe fundjavave, mbikëqyrje 24-orëshe për të parandaluar arratisjen, ndalesë për të kontaktuar me qeveri të huaja dhe ambasadat në Brazil, vendosje të byzylykut elektronik dhe ndalim komunikimi me djalin e tij, Eduardo Bolsonaro, i cili aktualisht lobon për të në Shtetet e Bashkuara.

Pavarësisht këtyre masave, Bolsonaro ka deklaruar se nuk ka menduar kurrë të largohet nga Brazili dhe e ka quajtur gjyqtarin Moraes një “diktator”.