Të paktën 23 palestinezë janë vrarë pasi forcat izraelite hapën zjarr mbi turmat që po prisnin ndihmat ushqimore pranë korridorit Netzarim në Gazën qendrore, ka raportuar Al Jazeera, duke cituar një burim nga spitali al-Aëda në Deir al-Balah.
Në total, 34 palestinezë janë vrarë si rezultat i sulmeve izraelite në orët e para të së premtes, sipas transmetuesit me seli në Katar. The Guardian ka shkruar se është e pamundur të verifikohet në mënyrë të pavarur raportimi i lartcekur, pasi që Izraeli nuk lejon gazetarët e huaj të hyjnë në territorin e shkatërruar.
Izraeli e ka bllokuar punën e Kombeve të Bashkuara dhe organizatave të tjera humanitare në Rripin e Gazës, duke lejuar vetëm funksionimin e Fondacionit Humanitar të Gazës (FHG).
Që kur ky fondacion është hapur disa javë më parë, forcat izraelite kanë vrarë të paktën 300 civilë të uritur që përpiqeshin të merrnin ushqim në pikat e ndihmës të tij.
Të enjten, sulmet izraelite në territorin palestinez lanë të vrarë të paktën 72 persona, përfshirë 21 që ishin mbledhur pranë pikave të shpërndarjes së ndihmave të ngritura nga FHG-ja.
Të vdekurit ishin kryesisht gra dhe fëmijë, sipas gazetarit të Al Jazeeras, Anas al-Sharif, i cili publikoi pamje të trupave të fëmijëve të shtrirë nëpër rrugë pas një sulmi izraelit ndaj çadrave që strehonin palestinezë të zhvendosur afër qytetit të Gazës.